Duke i kënduar një humbjeje, një momenti të dhimbshëm, ajo fitoi trofeun e festivalit. Me një këngë të krijuar nga Flori Mumajesi, dedikuar “Emmy”-t, këngëtares që u nda nga jeta në mënyrë tragjike pak kohë më parë, Elvana Gjata ka rrëmbyer trofeun e edicionit të tetë të “Top Fest”. Pas javësh të tëra prezantimi në ekranin e “Top Channel” dhe netëve gjysmëfinale, mbrëmjen e së dielës u zhvillua në Pallatin e Kongreseve “Top Fest”. Shumatorja e votave të publikut dhe të jurisë në sallë (Genti Rushi, Juliana Pasha, Ezdalin Gorani, Arbana Osmani dhe Elton Deda) fituese shpalli Elvana Gjatën, e cila merrte pjesë për herë të parë në këtë festival. Madje ky ishte i pari trofe i madh për këngëtaren, pas shumë çmimesh të dyta apo trofe të tjera në festivalin “Kënga Magjike”. Por nuk ishte vetëm Gjata me këngën “Me ty” që u vlerësua në këtë mbrëmje. Ishin edhe 9 çmime të tjera që u ndanë gjatë natës finale të drejtuar nga Ledion Liço dhe motrat Vjolla, Marina dhe Luana. U nderuan me çmime këngëtarë si Flori, Anjeza Shahini, Flaka Krelani, Endri Prifti, Xhensila Myrtezai etj. Ndërkohë që të tjerë këngëtarë interpretuan gjatë kësaj mbrëmje. Të gjitha këngët u interpretuan live, shoqëruar nga orkestra e “Top Channel”, nën drejtimin e Dorian Gjonit.
Çmimet
Çmimi i madh: Elvana Gjata
Artisti i ri më i mirë:
Anxhelina Hadërgjonaj
Çmimi “Top Albania Radio”:
“NRG Band”
Çmimi i internetit:
“Tallava” e Flori Mumajesit”
Kënga më e mirë Rrok dhe Alternativ: Flaka Krelani
Artisti më i mirë mashkull:
Gent Bushpepaj.
Kënga më e mirë Pop dhe R&B: Xhensila Myrtezaj
Balada më e mirë:
“Do vazhdoj të flas”, Endri Prifti
Artistja më e mirë femër: Elvana Gjata
Interpretuesi më i mirë:
Anjeza Shahini dhe Dren Abazi