109-vjetori i Pavarësisë/ Presidenti Meta merr mesazhe urimi nga disa krerë shtetesh: Mbështesim anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Nov 29, 2021 | 18:47
SHPËRNDAJE

Në 109 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, disa presidentë të vendeve europiane i kanë shprehur urime kreut të shtetit shqiptar, Ilir Metës.

meta dita e clirimit

Me anë të një njoftimi për mediat, Presidenca bën të ditur se Meta ka marrë mesazhe urimi nga Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, Kroacisë, Zoran Milanoviç, Slovenisë Borut Pahor, i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, Austrisë Aleksandër Van der Bellen, i Konfederatës Zvicerane Guy Parmelin, mbreti i Suedisë Karl Gustav, Perandori i Japonisë Naruhito, Presidenti i Çekisë, Milos Zeman dhe disa krerë të tjerë shtetesh.

Presidenti i Polonisë Duda shkruan në mesazhin e Tij se :”Republika e Polonisë i kushton vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve miqësore me përfitim reciprok me Shqipërinë. Dua njëkohësisht të shpreh vlerësimin për rolin stabilizues të Shqipërisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor si dhe t’Ju siguroj për mbështetjen konsekuente të Polonisë në synimet e Shqipërisë drejt integrimit europian.”

Në mesazhin e urimit të Presidentit të Krocisë, Milanoviç, ndër të tjera theksohet se: “Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë e ta fuqizojmë miqësinë tonë si dhe të bashkëpunojmë në fusha me interes të përbashkët, duke u dhënë marrëdhënieve tona aleate një nxitje të re për të zhvilluar bashkëpunimin. Kroacia mbështet fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Shpresoj që së shpejti të miratohet kuadri negociues për vendin tuaj dhe të mbahet konferenca ndërqeveritare!”

Ndërsa Presidenti slloven Pahor, shprehet mes të tjerash: “Të jeni të sigurt mbi mbështetjen e vendosur e Sllovenisë për Shqipërinë ndaj përpjekjeve të saj për reforma si dhe për t’iu afruar Bashkimit Europian, si dy vende të lidhura nga interesi i përbashkët për stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe integrimit të tij në BE. Me këtë rast, dëshiroj të ripohoj mbështetjen e Sllovenisë për procesin e zgjerimit edhe gjatë Kryesimit nga ana e saj të Këshillit të Bashkimit Europian!”

Kurse Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski thekson se: “Si aleatë në NATO, marrëdhëniet tona do të zhvillohen edhe më shumë. Së bashku jemi të përkushtuar për bashkim sa më të shpejtë me Bashkimin Europian!”

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda ndër të tjera thekson se: “Vlerësojmë kontributin e Shqipërisë për sigurinë e Rajonit Balltik dhe mbështesim fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për integrim europian!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura