Ekzistojnë hormone të caktuara në trupin tonë që, siç është vërtetuar nga shkencëtarët, janë përgjegjës për varësinë nga ushqimi. Shumë njerëz mund të kenë pak ose aspak kontroll mbi sasinë apo llojin e ushqimit që konsumojnë. Kjo jo vetëm që shton numrin e kilogramëve, por shkakton edhe çrregullime të caktuara mendore, siç është depresioni.
“Bright Side” liston disa këshilla nga nutricionistët dhe specialistët e ushqimit për t’ju ndihmuar të luftoni varësinë nga ushqimi.
Zëvendësoni ushqimet e përpunuara dhe ëmbëlsuesit me alternativa ushqyese. Shumë studiues thonë se produktet që përmbajnë nivele të larta sheqeri, ëmbëlsues artificialë dhe yndyrna, shkaktojnë varësi dhe reaksione kimike në trup. Prandaj është e rëndësishme të blini produkte më të shëndetshme. Për ta bërë më të lehtë, bëni një listë para se të bëni pazar, në mënyrë që t’i përmbaheni asaj dhe të mos bëni blerje të papritura.
Kontrolloni porcionet. Nëse nuk mund të përjashtoni plotësisht ushqimin e pashëndetshëm nga menuja, nutricionistët thonë se mund të zvogëloni varësinë ndaj tij duke ngrënë vetëm një sasi të caktuar. Për shembull, nëse doni të hani patate të skuqura, përgatisni pak dhe konsumojini një herë në javë. Gjithashtu, mësoni se cila pjesë e një produkti të caktuar është e sigurt për t’u ngrënë. Nëse jeni ende të uritur, prisni rreth 30 minuta para se të konsumoni diçka tjetër. Gjatë kësaj kohe dëshira juaj për të ngrënë ndoshta do të kalojë.
Konsumoni vakte të rregullta dhe të shëndetshme. Duhet t’i kënaqni nevojat tuaja ushqyese përmes vakteve të ekuilibruara. Të gjithë kemi dëgjuar se mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Për më tepër, disa profesionistë të shëndetit mendor thonë se nëse zgjidhni ushqim të shëndetshëm në fillim të ditës, ai në përgjithësi do të kontribuojë në përfshirjen e strategjive të shëndetshme në rutinën tuaj.
Ndryshoni zakonet tuaja shoqërore. Ndryshimi i rutinës tuaj të përditshme mund të jetë një ndihmë e madhe për të hequr qafe zakonet e këqija të ushqimit. Mundohuni të kaloni më shumë kohë në aktivitete që nuk përfshijnë ngrënien. Për shembull, në vend që të dilni me miqtë për darkë, mund të shkoni për të parë një film.
Kur uleni në një tryezë për të ngrënë përqendrohuni tek ushqimi dhe përtypeni ngadalë. Hormonet janë përgjegjëse për oreksin dhe marrjen e kalorive, dhe duhen rreth 20 minuta që ata të dërgojnë sinjale në tru se keni ngrënë dhe se jeni ngopur. Pra, ngadalësimi do të zvogëlojë shumë shanset për të shtuar peshë.
Kushtojini vëmendje ushqimit emocional. Shumë njerëz mendojnë se konsumojnë më shumë ushqim kur janë të mërzitur ose të stresuar. Por kjo nuk i zgjidh problemet tuaja. Së pari, ngrënia emocionale shoqërohet me zgjedhje të pashëndetshme si karamele, ëmbëlsira dhe pica, etj. Ju mund ta shmangni këtë duke gjetur mënyra të shëndetshme për të përballuar stresin. Meditimi, joga, stërvitja, biseda me një mik, madje edhe leximi dhe shikimi i serialeve televizive, nëse bëhen rregullisht, mund të ndihmojnë shumë në zvogëlimin e stresit, si dhe t’ju ndihmojnë të humbni peshë.
Shmangni kafeinën. Gjumi i mirë është shumë i rëndësishëm për të qëndruar të shëndetshëm dhe për t’u përballur me stresin e përditshëm, dhe kafeina, duke qenë një stimulues, mund t’ju largojë gjumin. Përveç kësaj, siç tregon hulumtimi, ekziston një lidhje midis mungesës së gjumit dhe shtimit të peshës.
Gatuaj ushqime në shtëpi. Ushqimi në shtëpi është më i shëndetshëm, sepse ju jep shumë më tepër kontroll, siç thonë ekspertët. Kur e dini saktësisht se sa kripë, sheqer ose yndyrë ka në pjatën tuaj, mund të keni një ide më të mirë se si të arrini qëllimet tuaja për t’u ushqyer shëndetshëm.
Pranoni çdo përparim që bëni. Për shembull, mund ta shpërbleni veten duke shkuar në një spa ose me ndonjë gjë tjetër që ju pëlqen vërtet. Ose, vendosni një qëllim për të ngrënë shëndetshëm për një muaj. Pasi ta keni arritur qëllimin, festojeni këtë me një udhëtim në fundjavë me miqtë tuaj. Ekspertët besojnë se ky lloj sistemi shpërblimi ndihmon për të kapërcyer varësitë nga ushqimi.
Kujdesuni për trupin tuaj. Studimet sugjerojnë se masazhi mund të jetë një pjesë e dobishme e programit për të humbur peshë. Për shembull, një masazh suedez është shumë i mirë për qarkullimin e gjakut dhe për muskujt, ndikon në zonat problematike të trupit dhe përmirëson ndjenjën e përgjithshme të mirëqenies. Ju gjithashtu mund të përdorni kremra të veçantë për vetë-masazh në zonat problematike si barku, këmbët dhe ijet.
Kërkoni ndihmë profesionale. Ballafaqimi me rezultatet e varësisë nga ushqimi mund të jetë mjaft shkatërrues, prandaj mos u ndjeni keq kur kërkoni ndihmë. Nëse mendoni se keni një çrregullim të ngrënies, flisni menjëherë me një mjek. Trajtimi për këto çrregullime shpesh përfshin terapi, grupe mbështetëse dhe disa ilaçe.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al