Gazeta prestigjioze “Washington Post” ka publikuar një artikull në të cilën flet për një email që Hillary Clinton, nëpërmjet këshilltarëve të saj, ka marrë nga manjati George Soros. E-maili është marrë më 23 Janar 2011, që do të thotë vetëm dy ditë pas demonstratës së 21 Janarit në Tiranë.
Sipas gazetës, emaili në fjalë provon lidhjet e forta të Clinton-it me donatorët e fushatës së saj.
Në këtë email, Soros bën një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur në Tiranë dhe kërkon ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian për të stabilizuar situatën në Shqipëri, pasi siç shkruan ai, “situata është shumë e tensionuar”.
“Në email-in dërguar Sekretares së Shtetit, Clinton në atë kohë, Soros propozon që t’i bëhet thirrje e menjëhershme Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës në atë kohë, Edi Rama, që të ndalin protestat e ardhshme dhe të tërhiqen nga deklaratat që nxisin revoltë”-shkruan “Washington Post”.
Shënimi për Sekretaren e Shtetit Hillari Klinton nga financieri liberal, Xhorxh Soros kërkonte “vëmendje urgjente, nga nivelet më të larta të qeverisë amerikane”. Klinton sinjalizoi menjëherë një ndihmës të nivelit të lartë, për atë që ajo e përshkroi si “një mesazh të fortë që është i mirë dhe i nevojshëm për t’u bërë”
E-mailet e shkëmbyera, në të cilat Soros paralajmëron rritjen e trazirave në Shqipëri, dëshmon se çfarë marrëdhënieje krijonte Klinton me donatorët e çështjeve të familjes së saj, gjatë kohës që qëndroi në Departamentin e Shtetit, para se të kandidojë në 2016, për postin e Presidentit.
Dhe ato tregojnë sesi këta donatorë, disa prej tyre me interesa më të hershëm se qeveria e Shteteve të Bashkuara, fituan akses deri në nivelet më të larta, për shqetësimet në politikat me shtypin.
Soros, një nga kontribuesit kryesorë të Fondacionit Klinton, ishte një nga donatorët më të mëdhenj, të cilit iu zbuluan mesazhet nga Departamenti i Shtetit, javën e kaluar, si pjesë e e-maileve që po zbulohen nga ish sekretarja e shtetit.”
Bëhet fjalë për mesazhe elektronike të shkëmbyra në 23 janar të vitit 2011, dy ditë pas vrasjeve të 21 janarit.
“Unë jam veçanërisht i shqetësuar në lidhje me veprimet e kryeministrit. Është videokasetë e anëtarëve të Gardës Kombëtare që qëllonin mbi demonstruesit nga tarraca e Kryeministrisë. Prokurori (i emëruar nga Partia Demokratike), ka lëshuar urdhër-arreste për individët në fjalë. Kryeministri e kishte akuzuar më parë opozitën se ka vrare qëllimisht këta aktivistë. Pasi kaseta doli, deputetë nga partia e tij e akuzuan prokurorin për planifikimin e një grusht shteti në bashkëpunim me opozitën, një akuzë të cilën zoti Berisha e përsëriti sot”, thuhet në emailin e George Soros.
Ndërsa pika e dytë, e cila sipas George Soros duhet të bëhet në mënyrë urgjente, është caktimi i një ndërmjetësi ndërkombëtar nga SHBA-ja dhe BE-ja, për të ulur në tryezë dy partitë. Ai propozon tre emra, që sipas tij janë më të përshtatshëm për këtë funksion.
“SHBA dhe BE-ja duhet të punojnë në harmoni të plotë mbi këtë çështje, por duke pasur parasysh aspiratat europiane të Shqipërisë dhe BE-ja duhet të marrë rolin udhëheqës. Kjo është arsyeja pse unë sugjeroj për të emëruar një ndërmjetës të tillë si Karl Bildt, Marti Ahtisari ose Miroslav Lajçak, të gjithë kanë lidhje të forta me Ballkanin”, propozon Soros.
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka muaj që ka nisur debati për përdorimin e email-it personal në kohën që Hillary Clinton ka qenë Sekretare Shteti.
Madje, ajo është akuzuar për mos përdorimin e email-it zyrtar. Kjo çështje u bë edhe më e debatueshme kur zonja Clinton priste që të shpallte kandidaturën e saj për presidente brenda radhëve të demokratëve, e cila deri më tani është edhe emri më i favorizuar në radhët e partisë së Presidentit Obama.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al