“21 janari festë zyrtare”, zbardhet debati te ‘Ligjet’. Fino: S’ka asgjë të keqe një tjetër ditë pushimi. Murrizi: Kushton shumë më pak se një PPP

Nov 1, 2019 | 15:17
SHPËRNDAJE

ARDIT HOXHA/ Një propozim i deputetit demokrat, Myslim Murrizi, për të shpallur 21 janarin si festë zyrtare në nder të Kongresit të Lushnjës, i mbajtur në datat 21 deri 31 janar 1920, ka ngjallur debat në Komisionin e Ligjeve.

murrizi fino

Ndryshe nga sa pritej që të kishte përplasje për 21 janarin, duke u nisur nga ajo që ka ndodhur në vitin 2011, debati në Komision u përqendrua më shumë te festat zyrtare dhe pushimi i administratës.

Duke argumentuar se Kongresi i Lushnjës është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare, Murrizi tha se kjo datë duhet patjetër të futet në listën e festave kombëtare. Nuk pati kundërshti, por socialisti Alket Hyseni ngriti shqetësimin e numrit të lartë të festave, që në rast të miratimit të këtij propozimi, do të shkonin në 15 të tilla. Hyseni u kundërshtua nga socialisti tjetër në këtë Komision, Bashkim Fino, i cili hodhi idenë se mund të bëhet festë zyrtare pa e bërë pushim administrata, duke evituar kështu kostot e mundshme në buxhet.

Ideja për të ndryshuar ligjin për festat zyrtare është përkrahur edhe nga deputetët e tjerë socialistë dhe kryetari i këtij Komisioni, Ulsi Manja, të cilët në fund të diskutimeve ranë dakord që të merret një javë më shumë kohë për të riparë këtë projektligj, por njëkohësisht të shikohet edhe mundësia për një ndërhyrje në ligjin për festat zyrtare të vitit 1992.

komisioni i ligjeve

DEBATI NË KOMISIONIN PARLAMENTAR:

Myslim Murrizi: Kongresi i Lushnjës duhet të jetë festë zyrtare, pasi ka qenë me rëndësi të madhe për vendin. Kërkesa i është dërguar Kreut të Kuvendit, Kryeministrit, si dhe Presidentit. Kongresi i Lushnjës është viti i parë i parlamentarizmit, është festuar për 17 vite me radhë, deri në 1939. Në diktaturë, 21 janari u zëvendësua me 11 janarin, 1 ditë feste më shumë kushton shumë më pak se një PPP që jepni ju. Përveç 28 Nëntorit, asnjë festë s’ka rëndësinë e 21 janarit.

Adriatik Alimadhi: A e dini ju se Partia Socialiste është vazhduese e denjë e Partisë Komuniste kriminale?

Ulsi Manja: Të lutem z.Alimadhi, respekto etikën, se PS-ja është një parti që e kanë 800 mijë shqiptarë.

Adriatik Alimadhi: Edhe sot e treguat se jeni trashëgimtarë të ideologjisë komuniste… Z.Murrizi, doja të dija nga ju nëse e keni marrë parasysh që këta janë ende një parti antikombëtare?

Ulsi Manja: Kemi 29 vjet nga shembja sistemit komunist dhe ky projektligj nuk ka ardhur kur në pushtet ishte partia e z.Alimadhi.

Myslim Murrizi: Ngjarjet kombëtare u përkasin të gjithë shqiptarëve që janë brenda këtij territori që kemi sot, që nga viti 1913, që janë ruajtur pikërisht nga Kongresi për të cilin po flasim.

Ralf Gjoni: A mendoni ju se ky duhet të jetë sipari i një ndryshimi të festave zyrtare të Shqipërisë?

Myslim Murrizi: Unë e shikoj 21 janarin e 1920-ës njëlloj si 28 Nëntori i 1912-ës.

Bashkim Fino: Përveç festave fetare dhe atyre për stinët dhe vitin e ri, unë shoh që ne kemi vetëm dy data politiko-historike, pra mendoj se ka vend edhe për këtë datë që nderon Kongresin e Lushnjës. Unë propozoj që ne të marrim ca kohë, që të marrim disa indicie që ia vlejnë ta bëjmë këtë datë si datë pushimi. S’ka asgjë të keqe që ne të bëjmë një tjetër ditë pushimi.

Fatmir Xhafaj: E doni festë kombëtare apo festë kombëtare e pushim që të pushoni, apo thjesht të respektohet?

Bashkim Fino: Unë e them këtë edhe për ty Fatmir, për të vërtetuar parlamentarizmin shqiptar.

Myslim Murrizi: Po të pyeten historianët, jam dakord të shtyhet me një javë.

Alket Hyseni: Vlerat historike nuk kemi çfarë t’i diskutojmë. Por përtej kësaj, unë kam për detyrë që t’i shtroj këtij komisioni gjëra konkrete. Janë 82 mijë punonjës të administratës publike dhe rreth 3040 të ndërmarrjeve shtetërore, të cilët me ligj, po u bë festë zyrtare, duhet të jenë pushim. Pastaj kategoria tjetër, mjekët, infermierët policët etj., do të paguhen 50% më tepër. Kështu që, dëmi në ekonomi është. Nga ana tjetër, ne tani duam pushim apo që të marrë rëndësi data? Historia nuk bëhet me festa zyrtare, por me botime serioze.

Bashkim Fino: Po ka një gjë, që o do na flasësh për historinë, ose për anën financiare. Për histori nuk flasim dot as unë, as ti. Për anën financiare është absurde të diskutohet tani se sa shumë pushime të padrejta bëjnë shqiptarët. Mbajeni ditën e pushimit. Ne kërkojmë që 21 janari të kujtohet si festa e Lushnjës dhe krijimin e parlamentarizmit shqiptar. Nëse bëhet për pushim, më mirë që të tërhiqemi. Ne e duam festë zyrtare, nuk e duam pushim.

Ulsi Manja: Për rëndësinë historike të 21 janarit 1920 nuk flasim dot. Pastaj, çështja e ndërhyrjes në ligjin për festat kombëtare. Edhe unë jam dakord, se ky ligj është i vitit 1992 dhe ka nevojë të përmirësohet, se jo çdo festë zyrtare ka nevojë që të jetëpushim.

kalendari i festave

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura