79 vjet çlirim, ende të pushtuar nga lufta mes vedit!

Nov 28, 2023 | 7:40
SHPËRNDAJE

piro_ahmetajGJENERAL PIRO AHMETAJ

Paraprakisht dhe mbi të gjitha dëshiroj të uroj përzemërsisht mbarë shqiptarët: “Gëzuar 111-vjetorin e pavarësisë si dhe 79-vjetorin e çlirimit nga nazifashistët”!

Në këtë atmosferë festimesh, dëshiroj të përsëris: “Përuljen për martirët, që në shekuj janë flijuar për pavarësinë dhe çlirimin nga okupatorët, si dhe nderimin për luftëtarët e një gjenerate patriotesh që pa dallim feje, bindjesh politike dhe krahine iu bashkuan fitimtarëve të koalicionit antifashist në Luftën e II, duke shkruar një histori lavdie për kombin. Po ashtu, shpreh mirënjohjen dhe respektin për burrat dhe gratë nën/me uniformë (ushtarakët, punonjësit e policisë) si dhe ndaj kujtdo tjetër, që me përkushtim shembullor dhe përulësi fisnike kanë apo vijojnë të sakrifikojnë për mbrojtjen e interesave kombëtare, për sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve, stabilitetin demokratik të shoqërisë si dhe integrimin në strukturat e vlerave Euruatlantike.

Së dyti, e gjej tërësisht të cinike ndaj të rënëve/dëshmorëve, por edhe turpëruese për të gjallët (kryesisht politikëbërësit por jo vetëm) që në vend që çlirimi nga nazifashistët, pra kjo ngjarje e madhe në memorien e historisë kombëtare, të shërbente për të mjekuar plagët e luftës së klasave si dhe kohezionin rreth interesave kombëtare; pra në vend të shërbente për të ndërtuar pajtimin mes shqiptarëve, jo vetëm 79 vjet pas çlirimit, por fatkeqësisht ende 32 vjet pas përmbysjes së regjimit komunist, politika, shoqëria dhe qytetarët vijojnë të mbahen të kacafytur në 1 betejë me ndasi ekstreme!

Thënë këtë, gjithsesi një fakt është i sigurt dhe i gjithëpranuar, që kjo “përleshje për jetë a vdekje 79 vjet pas çlirimit”, nuk u ka shërbyer kurrsesi shqiptarëve dhe as interesave kombëtare. Por mirë 47 vjet (1944-1991) kur ndasitë klasore ishin radikale dhe sigurisht jo vetëm në Shqipëri, por është shumë e shëmtuar që ky debat vijon ende në 32 vitet fundit pluralizëm (ballkanik/fasadë) ku udhëheqësi suprem i di të gjitha! Ndërsa kështu, pyetja mbetet fare e thjeshtë për të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh politike: “Kujt i ka shërbyer dhe për agjendën e kujt riciklohet çdo fund nëntori kjo luftë bolshevikësh nga politikanë zullumqarë, si dhe një listë delekuentësh të punësuar me lista natën në borderonë e Kuvendit…”?! Së treti, është turp dhe marre bashkë, që ende 79 vjet mbas çlirimit nga nazifashistët nuk është gjetur paqe mes shqiptarëve për këtë datë-ngjarje historike.

Nga ana tjetër, mbetet shumë e qartë për shqiptarët që edhe 32 vjet pas përmbysjes së komunizmit dhe 14 vjet mbas anëtarësimit në NATO, “beteja e Stalingradit për datën e çlirimit” nuk ka të bëjë me nderimin as të dëshmorëve dhe as të çlirimtarëve, por vetëm me luftën mes skalioneve/partive politike për të frymëzuar ushtrinë e nostalgjikëve, militantëve, kamikazëve dhe sekserëve të pushteteve në betejat elektorale të radhës, me qëllim për të marrë apo mbajtur me çdo çmim pushtetin! Nga ana tjetër, më duhet ta qartësoj se me sa gjetjet strategjike në këtë opinion, nuk po bëj as historianin, as analistin e gjithëdijshëm, por në mënyrë të përsëritur dhe të përulur po të doni, po përpiqem të kontribuoj me sa mundem për: “të zgjuar vetëdijen e shoqërisë mbi një listë të vërtetash dhe vlerash rreth kësaj date, që i bashkojnë shqiptarët”. Kjo, pasi shpresoj se kjo datë-ngjarje do të duhet të na shërbejë jo për të “vaditur urrejtjen” mesh shqiptarësh, por si “ilaç për të mjekuar plagët e luftës turpëruese mes vedit ose sho-shoqin, si dhe për të ndërtuar paqen dhe kohezionin ndërqytetar në udhëtimin e Shqipërisë drejt vlerave Euroatlantike”.

Thënë sa më sipër, ndërtimin e një platforme pajtimi e gjej si një prioritet me interes të lartë kombëtar, çka kurrsesi nuk e gjej të pamundur, por një mision fisnik me përgjegjësi të lartë dhe detyrim shtetëror njëherësh. Së katërti, insistoj edhe më fort se ilaçi më i mirë për pajtimin dhe harmoninë sociale janë të vërtetat mbi ndasitë dhe vlerat që i bashkojnë rreth kësaj datëngjarje të shënuar në historinë kombëtare. Prandaj qëllimi i këtij opinioni është të identifikoj dhe në vijim po shpalos një “paketë me 8 të vërteta të gjithëpranuara” për çlirimin e vendit nga nazifashistet:

E vërteta e gjithëpranuar nr. 1: Përtej kundërshtive për detajet (ditën, natën, orën, emrin e ushtarit që u largua i fundit nga territori RSH), çlirimi i vendit nga pushtuesit fashist mbetet një ngjarje e lavdishme në historinë kombëtare. Duke pranuar këtë, duhen mëshiruar mohuesit e luftës NÇL dhe çdo shtrembërim që minon përpjekjet për paqe dhe pajtim kombëtar.

E vërteta e gjithëpranuar nr.2: Besoj mbetet vlerë përbashkuese dhe krenari legjitime njëherësh që Shqipëria jonë e vogël u rreshtua në koalicionin e madh të fitimtarëve. Kjo vërtetë është e konfirmuar edhe nga Henry Kissinger në librin “Diplomacy”: “Shqipëria ishte një ndër të vetmet vende që u vetëçlirua pa prezencën e Ushtrisë së Kuqe, ose aleatëve perëndimorë”.

E vërteta e gjithëpranuar nr.3: Vetëdije kombëtare mbi ekzagjerimet folklorike dhe bolshevike të historisë së Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe pendesë fisnike për vrasjet, burgosjet, denigrimin dhe luftën e klasave ndaj jo vetëm kundërshtarëve politikë të pushtetit, por edhe bashkëluftëtarëve. Për këtë, jo pa qëllim risjell në vëmendje qëndrimin e shtetarit (Kryeministrit) mendjehapur, Mehdi bej Frashëri, i cili në 7 prill 1939, në Radio Tirana, pasi i bëri thirrje popullit që “të ngrihej me armë kundër pushtimit” dhe iu drejtua zyrtarisht Musolinit: “Nga hiri i shpirtit të Skënderbeut, ju bëjmë thirrje të mos e cenoni pavarësinë e Shqipërisë, përndryshe armata juaj fashiste do të kalojë vetëm mbi kufomat e burrave dhe grave të këtij vendi”! Pra, duke thënë këtë dhe të tjera fakte të pamohueshme, do të ishte shumë e padrejtë dhe shume cinike të mos përulemi me të njëjtin nderim edhe para dhjetëra-mijëra shqiptarëve që po ashtu, kanë dhënë jetën, pasurinë dhe gjithçka që kanë mundur për pavarësinë, çlirimin dhe orientimin perëndimor, por u vranë, u burgosën dhe u persekutuan brutalisht nga regjimi komunist qe u instalua në Shqipëri pas nëntorit 1944 deri në vitin 1991.

E vërteta e gjithëpranuar nr.4: përtej vlerave të pamohueshme të luftës na duhet ta pranojmë se vendet e vogla si Shqipëria, do vijojnë ta kenë të pamundur të vetëpërcaktojnë fatet gjeopolitike. Kështu është shumë e njohur tashmë se rreshtimi i Shqipërisë në kampin lindor nuk u realizua as nga prezenca fizike e Ushtrisë së Kuqe, as nga e drejta e vetëvendosjes, por nga vendimmarrja e fuqive të mëdha. Si e tillë, rreshtimi me lindjen: “as i jep kredite, as i mitizon, as i fajëson dhe as i shfajëson” aktorët politikë dhe pushtetarët e kohës. Kështu mbetem me shpresë që përtej bejteve folklorike, të pranohet gjerësisht që kontributi i Shqipërisë ishte modest në pikturën e madhe të Luftës së II Botërore, pasi e thënë edhe më thjeshtë, Shqipëria do ishte çliruar gjithsesi jo më vonë se 8 maji 1945. E vërteta e gjithëpranuar nr.5: Është fakt i hidhur ndoshta për disa, por që do të duhet të gjithëpranohet me urtësi se pas çlirimit të vendit nga nazifashistet në nëntor 1944, regjimi komunist dhe diktatura e proletariatit: “U mori jetën kundërshtarëve politikë si dhe pronën, të drejtën e fjalës dhe besimit në Zot shqiptarëve”.

Pa pranuar fisnikërisht këtë të vërtetë kriminale, pa kërkuar falje shtetërore dhe pendesë njerëzore për vrasjet, burgosjet, internimet, ndërtimi i paqes dhe pajtimi kombëtar “mes vetit ose sho-shoqit” jo vetëm për datën e çlirimit do të vijojë të mbetet mision i vështirë, për të mos thënë i pamundur. E vërteta e gjithëpranuar nr. 6: Duhet “rikthyer shiriti i kujtesës”, që aplikimi i modelit stalinist dhe bashkë me të barbarisë së luftës së klasave nuk ishte vetëm në dorën e aktorëve të Partisë Komuniste në Tiranë. Thënë këtë, diskutimet histerike mbi historinë: “Sikur Balli të kishte bashkëpunuar me partizanët apo Mukja të ishte e suksesshme?!” dhe të tilla përralla nuk do kishin ndryshuar as kufijtë shtetërore, as rreshtimin e Shqipërisë me Lindjen, as instalimin e komunizmit dhe as krimet e regjimit komunist përgjatë 45 viteve. E vërteta e gjithëpranuar nr.7: Shpresoj të njihet gjerësisht fakti se mbas viteve 1990, në shumicën dërrmuese të vendeve të sunduara nga “stalininizmi”, u aplikua dënimi (jo për kafe…) për krime kundër njerëzimit i “udhëheqësit suprem, anëtarët e Byrosë Politike, drejtuesve të Hetuesisë dhe Sigurimit kriminal të Shtetit”.

Me apo pa të drejtë, në gjykimin tim për të shmangur një vetëgjyqësi që nuk do i shërbente askujt, Shqipërisë edhe si vend i vogël iu imponua një qasje, më e butë nga rasti i Rumanisë etj.. Gjithsesi, mësimi i përbotshëm i historisë është se nëse ngjarjet makabre lihen në harresë, ato rrezikojnë të përsëriten edhe më dhunshëm. Prej kësaj del edhe mesazhi: “Fal por mos harro”, ose i përkthyer nga anglishtja: “Forgive, but do not forget”! E vërteta e gjithëpranuar nr.8: Shqiptarët e dinë fare mirë se konflikti 32-vjeçar, gati banal për ditën dhe orën që ushtari fundit nazist kapërceu kufirin me triçikël, në këmbë ose zvarritje në Hanin e Hotit, nuk riciklohet për të respektuar luftën, as dëshmorët dhe as të gjallët, por për të shtrënguar radhët e militanteve dhe votuesve rreth partisë dhe pushtetarëve të radhës.

Vetëm kështu mund ta justifikosh këmbënguljen për 29 Nëntorin, datë e cila fatkeqësisht edhe pas 32 vitesh demokraci vijon t’i mbajë të ndarë dhe duke u kacafytur shqiptarët. Nga ana tjetër, duhet ta përmendim që sipas arkivave shtetërore, deri në vitin 1947, data 28 nëntor është festuar zyrtarisht edhe si datë çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët. Kjo provohet edhe në faktin që pikërisht në 28 nëntor 1944, në fjalën e tij me rastin e kësaj feste, pra vetë Enver Hoxha deklaronte: “28 Nëntori, Dita e Flamurit u bë dy herë e shenjtë…”! Pra, për edhe më keq, qoftë edhe rastësisht data 29 Nëntor mbart një simbolikë antishqiptare dhe është një provë e fortë e vasalitetit dhe paranojës së pushtetit të diktatorit Hoxha, pasi ka njehsuar datën e çlirimit të Shqipërisë me festën e Federatës së Jugosllavisë (i shpallur nga marshalli Tito në 29 nëntor). Në përmbledhje, duke mbajtur në konsideratë që data 29 nëntor ende 79 vjet pas çlirimit nuk ka prodhuar paqe as kohezion, por edhe në 32 vitet e fundit thelloi urrejtjen dhe konfliktin mes shqiptarëve, në kapacitetin e një eksperti për çështjet e Sigurisë Kombëtare, do t’u sugjeroja faktorëve politik dhe Kuvendit të RSH për të vlerësuar me urtësi dhe përgjegjshmëri të lartë kombëtare, që si datë zyrtare e celebrimit të çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashistët të konsiderohet një nga dy opsionet në vijim:

Opsioni 1: data 17 Nëntor, ose bashkimi me datën e çlirimit të Tiranës, e cila besoj se do të gjente kohezion kombëtar, por edhe konsensus të gjerë nga politikanët mendjehapur, veçanërisht të gjeneratës së re që nuk kanë asnjë arsye dhe as motiv të mbeten në llogoret e këtij konflikti diskretitues. Për më tepër, për këtë opsion më duhet të përmend edhe një definicionin ndërkombëtar: “data zyrtare e çlirimit të një vendi është dita kur është ulur flamuri i pushtuesit në kryeqytet si dhe institucionet qendrore dhe në vend të tij është ngritur zyrtarisht flamuri kombëtar”!

Opsioni 2: Data 8 Maj, ose bashkimi me datën e nënshkrimit të fitores mbi fashizmin (8 Maj 1945) nga koalicioni i fitimtarëve. Nënvizoj se ndërkohë këtë datë çlirimi e festojnë zyrtarisht më shumë se 20 vende, gjysma nga të cilat janë vende të lindjes, mbasi ato u anëtarësuan në NATO mbas viteve 1990. Në shtesë, besoj fort se secila nga këto dy opsione/data (17 Nëntor apo 8 Maj), jo vetëm do të ishte një përpjekje serioze që do të mjekonte plagët e konfliktualitetit, por edhe do të kontribuonte për ndërtimin e paqes së munguar për 32 vjet si dhe pajtimin kombëtar rreth datës çlirimin dhe jo vetëm. Për të qartësuar keqkuptimet dhe qetësuar (nëse ka të tillë) të lënduarit apo edhe të keqkuptuarit nga ky këndvështrim dhe këto sugjerime, dëshiroj të përsëris përuljen për dëshmorët që në shekuj kanë dhënë jetën, për pavarësinë, për çlirimin nga pushtuesit si dhe ata që kanë apo vijojnë të kontribuojnë me sakrifica dhe përkushtim shembullor për ndërtimin e paqes dhe promovimin e vlerave Euroatlantike edhe në Shqipëri.

*Ekspert për Sigurisë Kombëtare, Rajonin & NATO-n, Zv.president i Këshillit të Atlantikut, si dhe ish-këshilltar i Presidentit të RSH; Zv.ShShPFA dhe përfaqësues ushtarak i RSH në SHAPE/NATO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura