80 vjet nga marrëveshja e Bretton Wood-sit (krijimi i FMN dhe Bankës Botërore)

Jul 17, 2024 | 8:13
SHPËRNDAJE

anastas-angjeliAKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

(Tetëdhjetë vjet më parë, delegatë nga 44 vende u mblodhën në Bretton Woods, New Hampshire, SHBA, për të koordinuar rindërtimin pas Luftës së Dytë Botërore dhe për të promovuar bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. Institucionet për të cilat ata hodhën themelet – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore – qëndrojnë në zemër të rendit monetar dhe financiar aktual global).

22 korriku i këtij vitit (2024) shënon 80-vjetorin e konferencës së Bretton Woods, në të cilën koalicioni i aleatëve në Luftën e Dytë Botërore nënshkroi aktin e marrëveshjes së krijimit të institucioneve me të rëndësishme financiare ndërkombëtare që krijoi Sistemin Monetar Ndërkombëtar, për të cilin do të kujdeseshin dhe mbikëqyrnin, Institucionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (B.B.) me elementin e parë të saj, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Më vonë Bankës Botërore iu shtuan edhe 4 organizma të tjerë. E më pas, këtyre dy institucioneve të mëdha iu shtua edhe krijimi i Organizatës Botërore të Tregtisë, që në fillim u quajt GATT dhe sot është shndërruar në OBT. Të tre këta organizma kushtëzuan krijimin e Sistemit Ndërkombëtar Monetar (Financiar) dhe krijuan kushtet për një botë më të integruar dhe më të ndërkombëtarizuar pas Luftës së Dytë Botërore. Anëtaret e këtyre organizmave janë shtuar gradualisht, por të gjitha vendet pjesëmarrëse në Breton Woods konsiderohen themeluesit e të tria këtyre institucioneve.

Në Bretton Woods, pas diskutimeve të forta mes Harry Dexter White, përfaqësuesin amerikan, Kejsi, (Britanik) nuk arriti të bindte përsëri të pranishmit për krijimin e një monedhe të re botërore me kurse të lira këmbimi. Pushteti politik i Amerikës në arenën ndërkombëtare, pozicioni i saj në ekonominë botërore dhe shume arsye e faktorë të tjerë bënë që dollari amerikan të shndërrohet në mjetin kryesor të pagesave ndërkombëtare. Në fakt, teorikisht ai ruajti konvertueshmërinë e tij me arin dhe ruante kursin e këmbimit me të fiks, pavarësisht se Bankat Qendrore të vendeve pjesëmarrëse në organizmat që do të krijoheshin nga kjo mbledhje ishin të detyruara ta përdornin dollarin si një rezervë valutore. Njëherësh përmes kësaj marrëveshjeje u përcaktua një arkitekturë për sigurinë nëpërmjet organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB-së). Në “jetën” dhe “historinë” e këtyre institucioneve, kjo arkitekturë globale ka vazhduar të ekzistojë duke “rizbuluar dhe rigjetur” veten herë pas here, përmes reformimit të vazhdueshëm. Padyshim, që në këtë proces evoluimi dhe transformimi të këtyre institucioneve, linja e ndjekur ka qenë siguria ndërkombëtare dhe ekuilibri i mundshëm i ekonomisë botërore.

Marrëveshjet e Bretton Woods ishin një kompromis mes dy planeve, (britanik dhe amerikan) në të cilat plani White (amerikan) kishte më shumë peshë politike. Por, eventi më i rëndësishëm, krahas krijimit të FMN dhe BB, ishte që dollari amerikan u bë përfundimisht monedha e pagesave ndërkombëtare dhe për pasojë monedha e rezervave monetare të pothuajse të gjitha vendeve kapitaliste. Në vijim, Shteteve të Bashkuara iu bënë të qartë aleateve të tyre se edhe pagesat për zhvillimin e Europës pas luftës (plani Marshall) nuk do të ktheheshin në ar, por në dollar. Në këtë konferencë, liderët e botës perëndimore ranë dakord se të paguar Shtetet e Bashkuara për mallrat e dhëna gjatë luftës në dollar amerikan, duke i shkëputur lidhjen e tij me arin. Pavarësisht kësaj, deri në vitin 1971 SHBA ruajtën këmbyeshmërinë e dollarit me arin. Në fillimet e para, FMN ishte “banka kryesore” e shteteve anëtare kryesisht të ekonomive të zhvilluara, por anëtarësimi në të sa vinte dhe rritej jo vetëm nga vendet e zhvilluara, por edhe nga të ashtuquajtura vende në zhvillim apo vende të varfra, që në disa raste nuk paguanin përkohësisht as kuota pjesëmarrjeje. Më pas, në vitet 1970 dhe ‘80, kur sistemi i Bretton Woods kaloi në kolaps dhe qarkullimi global kapitalit u rrit, FMN u bë një organizatë “zjarrfikëse” (për të shuar krizat) duke u fokusuar te krizat e borxhit në Amerikën Latine dhe vende të tjera me një ekuilibër të brishtë makroekonomik anëtarë të kësaj organizate.

Nëse vitet ‘80 i dhanë jetë konceptit të konsensusit të Uashingtonit, FMN ishte ajo që e përfaqësoi atë. Parashikimet e politologut amerikan Francis Fukuyama për fundin e historisë nuk dolën të sakta. Ato që ne tani i konsiderojmë si dekadat e arta të globalizimit, pas vitit 1989 ishin larg nga një “udhëtim i thjeshtë”. Krizat shpërthyen në Meksikë, Lindjen e Mesme dhe juglindjen e Azisë, Rusi dhe përsëri më pas në Argjentinë dhe Brazil. Kushtet e ashpra të vendosura nga FMN u përballën me një reagim të fortë edhe nga ekonomistë të njohur në perëndim. Për shkak të ekonomisë së tyre në rritje, Kina u fut në lojë me premtimet e ndryshimit të pjesëmarrjes së votimit të FMN-së. Ndërkohë, udhëheqja evropiane e FMN-së u pajtua me qeverinë e ish-kancelares gjermane Angela Merkel dhe administratën “Obama” për të vendosur burimet e fondit pas ndihmave të radhës për eurozonën. Periudha e post-rënies së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së regjimeve komuniste në vendet e Europës Lindore u shoqërua me reformat politike demokratike, vendosjen e pluralizmit politik dhe kalimin e ekonomive të tyre në ekonominë e tregut. Vendet e ish- bllokut komunist, përfshi edhe Shqipërinë, u anëtrësuan në FMN dhe BB. Në këtë periudhë, veçanërisht nën drejtimin e FMN nga Michael Camdessus, FMN u fokusua në politikat e stabilizimit ekonomik të këtyre vendeve, reformat fiskale, buxhetore e bankare, privatizimin e pronës shtetërore dhe funksionimin e tregut etj.. Ne mënyrë të jashtëzakonshme, disa nga programet më të mëdha në historinë e fondit u mobilizuan për Greqinë, Irlandën dhe Portugalinë, veçanërisht në krizën e viteve 2008-2012. Situata u përkeqësua nga fakti se ndryshimet në pjesëmarrjen në votime që u premtuan për Kinën dhe tregjet e tjera në zhvillim u sanksionuan në Kongresin amerikan nga republikanët, të cilët ndoqën parimin dhe sloganin “Amerika e Para”. Vetëm në vitin 2016, pjesëmarrja e Kinës u rrit në diku mbi 6 për qind, shumë pak nga 16.5 për qind që mban SHBA-të.

Në 10 vitet e fundit, nën udhëheqjen e Dominique Strauss-Kahn, Christine Lagarde dhe Georgieva, stafi i fondit ka qenë i angazhuar në rishikimin e paragjykimeve për ashpërsimin fiskal dhe lirinë absolute të lëvizjeve të kapitalit. Ata kanë zbutur kushtet e kredidhënieve të mëdha dhe të ndjeshme politikisht. Fondi gjithashtu ka zgjeruar mbikëqyrjen e tij për të përfshirë çështje të pjesëmarrjes në tregun e punës të grave dhe trajtuar çështje të pabarazisë dhe të ndryshimeve klimaterike. Nga viti 2020 e këtej, ai ishte në mënyrë të konsiderueshme proaktiv në reagimin ndaj pandemisë COVID-19, luftës në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme dhe mbi të gjitha, në të drejtat e tij për analizën e gjendjes ekonomike të vendeve pjesëmarrëse edhe në politikat ekonomike të shumë vendeve afrikane dhe të Amerikës Latine.

Por, edhe pse agjenda e FMN mund të jetë e përditësuar, pyetja të cilës nuk mund t’i shmangemi është – çfarë dhe kë përfaqësojnë institucionet e Bretton Woods? Ashtu siç ka argumentuar Martin Wolf, një gjë që dimë me siguri për drejtimin e ekonomisë botërore është se balanca po zhvendoset nga perëndimi në lindje. Kur u mbajt takimi i G20 në New Delhi në shtator të 2023, rreth 59.1% e aksioneve votuese në FMN ishin në duart e vendeve që përbëjnë 13.7 për qind të popullsisë së botës në një kohë kur pjesa e votimit të Indisë dhe Kinës të marra së bashku arrinte rreth 9%. Kjo duket se shkon kundër tendencave që po shfaqen për të ardhmen e ekonomisë botërore. Por, para se të analizojmë ndikimin e këtyre ndryshimeve le të hedhim një vështrim të shkurtër:

Shqipëria dhe FMN – 33 vjet bashkëpunim

Më 15 tetor të këtij viti, Shqipëria bën plot 33 vite si anëtare e institucioneve të Bretton Woods-it, FMN dhe Bankës Botërore. Rëndësia e kësaj date nuk qëndron thjesht në një nënshkrim dhe anëtarësim. Anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore nuk do të konvertohej thjesht në një llogari huaje me këto dy institucione. Kjo do të thoshte që Shqipëria kishte tashmë mundësi të përpunonte strategjitë e saj të kalimit të krizës dhe të zhvillimit, programet e ndihmave, programet e investimeve, programet e tërheqjes së investimeve të huaja dhe të teknologjisë së përparuar, zhvillimin e reformave strukturore dhe të privatizimit, ato të tregut etj.. Rrugëtimi i bashkëpunimit të Shqipërisë me FMN-në, në këto 33 vjet tranzicion nuk ka se si të mos vlerësohet, përgjithësisht i suksesshëm si në drejtim të mbështetjes përmes Asistencës Financiare, ashtu edhe përmes Asistencës Teknike. Padyshim, me gjithë qëndrimet e ndryshme në disa raste dhe “zigzaget” në llojin e marrëveshjeve të arritura e të realizuara me të, bashkëpunimi, mbështetja dhe këshillimi me këtë institucion ndërkombëtar mbetet shumë i suksesshëm e i dobishëm. Numri i marrëveshjeve Shqipëri-FMN që nga data e anëtarësimit është 8 dhe gjenden në tabelën më lart.

Përmes programeve të realizuara me FMN-në, në tranzicionin ekonomik të Shqipërisë, në periudha të ndryshme janë realizuar objektiva të ndryshme. Kështu, në periudhën 1992-1993 (programi stand-by) kishte si prioritet injektimin e forcave të tregut në ekonominë tonë, në periudhën 1993-1996 (në programin ESAF) ishin politikat e konsolidimit të stabilizimit për të siguruar rritjen, në periudhën 1997-1998 (në programin EPCA-ja) prioritet ishte konsolidimi fiskal, në kushtet post-konfliktuale emergjente, në periudhën 1998-2001, (me programin ESAF/PRGF) prioritet ishte vazhdimi i konsolidimit fiskal, kontrolli dhe mbyllja e skemave piramidale, privatizimi i bankave etj., në periudhën 2001- 2006 (me programin PRGF) dhe më pas 2001-2006 me programin PRGF EFF) prioritetet ishin krijimi i klimës makroekonomike për zhvillim, përmirësimi i klimës së biznesit, politikat e shpenzimeve, reduktimi i varfërisë, përmirësimi i sektorit energjetik, apo mbështetja në bilancin e pagesave, në dy vitet e fundit për ringritjen ekonomike, për rindërtimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë së COVID-19 etj..

Gjithashtu, FMN-ja ka mbështetur Shqipërinë gjatë gjithë periudhës së tranzicionit, me asistencë teknike në një numër fushash ku përfshihen: shpenzimet publike dhe cilësia e tyre, tatimet dhe doganat, mbikëqyrja e bankave, në Bankën e Shqipërisë, politikën monetare, bilancin e pagesave, financat dhe qeverisjen, në fushën e statistikave qeveritare etj..

REFORMIM APO NJË BRETTON WOODS I RI?

Ka disa politika të këtyre institucioneve që tashmë, pas 80 vjetëve të funksionimit të tyre duket që shkojnë disi kundër tendencave që po shfaqen për të ardhmen e ekonomisë botërore. Kjo, sepse bota po ndryshon dhe padyshim dhe zhvillimet dhe ekuilibrat ekonomike. Veçanërisht me ndryshimet e mëdha klimaterike dhe ndryshimet e vrullshme teknologjike dhe të Inteligjencës Srtificiale, pas krizës financiare të viteve 2008- 2012, krizës së pandemisë, luftës RusiUkrainë dhe Izraelit në Gaza, këto ndryshime kanë dalë më në pah.

Sipas shumë studimeve, 10 ekonomitë më të forta në botë në vitin 2050 do të udhëhiqen nga SHBA, Kina, India, ndërsa BE-ja do të luajë një rol shtesë. Pra, brenda 25 viteve do të ketë një ndryshim brezash në 10 ekonomitë më të forta në botë: do të shohim zhvendosjen e fuqisë ekonomike globale nga ekonomitë e përparuara drejt atyre në zhvillim, veçanërisht në Azi dhe Amerikën Latine. Analistët thonë se ekonomia botërore mund të dyfishohet në madhësi deri në vitin 2050, duke tejkaluar shumë rritjen e popullsisë, falë përmirësimeve të vazhdueshme të produktivitetit të drejtuar nga teknologjia. Sipas Goldman Sachs, vendet anëtare të BRICS, në vitin 2075, do të jenë ekonomia më e madhe botërore. Prandaj dhe tashmë debatet dhe diskutimet po bëhen për: “Një rend monetar dhe ekonomik të përshtatshëm për shekullin e 21-të” dhe a do të ketë një Bretton Wood-s të ri?

Shumë analistë dhe institute të specializuara mendojnë se trajtimi i sfidave të shekullit të njëzet e një, nga komuniteti ndërkombëtar, në mënyrë efektive dhe të barabartë, nuk mund të arrihet pa një arkitekture globale ekonomike dhe financiare të reformuar. Në këtë proces reformimi, sipas shumë analistëve, duhet të konsiderohen disa prioritete që kanë dalë në pah si:

Së pari, ekonomive në zhvillim duhet t’u jepet më shumë zë në institucionet shumëpalëshe.

Së dyti, Rrjeti Global i Sigurisë Financiare (GFSN) – rrjeti i institucioneve që ofrojnë financime kritike në kohë krize – duhet të forcohet dhe të bëhet më i përgjegjshëm ndaj nevojave të ekonomive në zhvillim që përballen me ndryshimet klimatike dhe rreziqet makroekonomike.

Së treti, duhet të krijohet një mekanizëm ndërkombëtar për të dhënë zgjidhje të drejta dhe të shpejta për krizat e borxhit sovran.

Së katërti, financimi i problemeve të ndryshimeve klimaterike duhet të rritet shumë dhe të gjitha flukset financiare publike dhe private – duke përfshirë huadhënien nga institucionet financiare ndërkombëtare – duhet të përputhen me qëllimet e përcaktuara në marrëveshjen e Parisit për klimën.

Së pesti, bankat ndërkombëtare, kombëtare dhe nënkombëtare të zhvillimit duhet të forcohen. Përshtatja dhe zbutja ndaj ndryshimeve klimatike do të kërkojë shuma të mëdha investimesh. Prandaj, bankat dhe fondet publike të zhvillimit duhet të luajnë një rol shumë më të madh në financimin e transformimit strukturor dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Së gjashti, duhet të ketë përparim drejt një sistemi shumëpalësh të monedhës dhe rezervës të përqendruar në njësinë e llogarisë së FMN-së, të Drejtat e Tërheqjes Speciale (SDRS).

Së shtati, FMN-ja dhe institucionet financiare rajonale duhet të krijojnë mekanizma të koordinimit të politikave për të menaxhuar paqëndrueshmërinë në flukset e kapitalit nëpër rajone dhe midis ekonomive në zhvillim dhe atyre të përparuara.

Së fundi, arkitektura ndërkombëtare e taksave duhet të forcohet për të mbështetur zhvillimin e barabartë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Natyrisht, pa vullnetin dhe vendimmarrjen e SHBA dhe vendeve perëndimore,(sidomos çështja e kuotave të përfaqësimit), të cilat sot për sot mbeten lokomotiva të zhvillimit ekonomisë globale, vështirë se këto çështje mund të konsiderohen. Të tjerë analistë pretendojnë se: bota po ndryshon, bashkime të reja ekonomike po lindin (dhe zhvillohen me shpejtësi (BRICS) dhe pas çdo ndryshimi të madh, lind nevoja për marrëveshje të reja dhe hedhin idenë, veç të tjerash, edhe të një marrëveshjeje të re, një Bretton Woods i ri”. Ndërkaq, “pretendimet e BRICS, vazhdojnë me tendencë, veç bashkimit ekonomik e monetar, edhe për zgjerim dhe bashkepunim politik (Putin hodhi idenë e krijimit të Parlamentit të vendeve BRICS,) Por…

A do të ketë një Bretton Woods të ri?

Kjo është një pyetje që shumë e bëjnë, shumë e mendojnë, por pak flasin. Kjo për faktin se nuk di asnjë se kush do të jetë në qendër të një Bretton Woods të ri. Do të jetë dollari, do të jetë euro, do të jene të gjitha këto dhe do të dalë një para digjitale e garantuar nga të gjithë?

Sa afër aq edhe larg, ideja e një Bretton Woodsi të ri. Kjo sepse ato (vendet BRICS) që “janë ngritur kryen kundër dhe kërkojnë shkëputje nga dollari”, edhe pse përfaqësojnë një territor dhe popullsi të madhe, (42% të popullsisë së botës, 30% të territorit të saj) ato kontribuojnë vetëm me 23% të PBB-së dhe 18% të tregtisë botërore. Megjithatë, ndërmjet tyre, vendet BRICS realizojnë vetëm 6% të tregtisë totale. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), deri në vitin 2028, ato mund të përfaqësojnë një të tretën e ekonomisë botërore dhe në 2075 të udhëheqin ekonominë botërore. Por, ajo që është më e rëndësishme sot në ekonominë botërore, rreth 60% e tregtisë ndërkombëtare kryhet në dollar amerikan dhe gati 40% në euro (një pjesë e vogël bëhet në monedhat vendëse).

Të gjithë pranojnë se roli i dollarit, pas daljes së euros, ka rënë disi në arenën ndërkombëtare, por s’duhet harruar dhe të gjithë e dinë që Sterlina humbi hegjemoninë e saj 2 shekuj pas ripozicionimit të Anglisë në tregun ndërkombëtar, ndërsa Holanda humbi dominimin e saj 100 vjet pas krizës se tulipanëve. Të gjithë e dinë që diçka do të ndodhë, por asnjë nuk e di se kur çfarë dhe si do të ndodhë. Duhet tëe presim, ndoshta shumë.

tabela

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura