A duhet Shqipëria të aplikojë kamatën ligjore?!

Jul 24, 2024 | 8:44
SHPËRNDAJE

arben-malaj-1PROF. DR. ARBEN MALAJ

“Qeveritë mund të përmirësojnë përkohësisht rezultatet e tregut”. N. Gregory Mankiw, Universiteti i Harvardit

Prof. Gregory Mankiw, autor i librit më të shitur të makroekonomisë në botë, i cili fatmirësisht përdoret edhe nga studentët tanë, është i njohur edhe për formulimin e 10 parimeve se si duhet të funksionojë ekonomia për politikëbërësit, vendimmarrësit, bizneset dhe individët. Parimi i shtatë është ai që na shërben në këtë diskutim publik për atë që ndodhi me dhe disa kredidhënës dhe përmbarues grabitqarë. John Keynes thekson se kur një aktivitet bëhet një flluskë, problemi menaxhohet, por nëse një kompani e tërë (si në vitin 1997), funksionon si një flluskë, atëherë fundi është i tmerrshëm.

Ky është një paralajmërim për të identifikuar sa më shpejt praktikat grabitqare. Për bankierët e bankave të nivelit të dytë, që me lakminë e tyre nxitën krizën financiare globale të vitit 2008, ishkryeministri i Gordon Brown, 10 vjet ministër i suksesshëm i Financave në qeverinë e Tony Blair, një mendje brilante në menaxhimin e financave publike do të theksonte se: “Disa bankierë duhet te ishin burgosur. Ne nuk shpjeguam se sa fajtorë ishin bankat huadhënëse dhe çfarë po bënim në të vërtetë për t’u marrë me këto probleme “. Për të kufizuar babëzinë e huadhënësve dhe të përmbaruesve grabitqarë është përdorur koncepti i kamatës ligjore, i parashikuar edhe në Kodin tonë Civil, neni 450, paragrafi i parë ku theksohet se kamata ligjore vendoset me ligj. Ky detyrim ligjor nuk është zbatuar as pas 30 viteve. Kamata ligjore nënkupton vendosjen e një kufiri të sipërm të interesave, për shembull jo më shumë se 18% ose jo më shumë se x për qind nga interesi i ofruar nga Bankat Qendrore.

Ajo mund të sjellë efekte pozitive për huamarrësit, për huadhënësit, për kompanitë e kreditit dhe për ekonominë në tërësi. Në konceptin e kamatës ligjore mund të përfshihet edhe vendosja e një tavani kufizues se sa shumë një hua dhënës mund t’i kërkojë një huamarrësi për shumën e kredisë së dhënë. Ky kufizimi i interesave përdoret kryesisht për kreditë konsumatore/kreditë që japin IFJB dhe për kreditë për shtëpitë. Trendi global është që tavanet e interesave aplikohen vetëm për raste të veçanta. Banka e Shqipërisë po merr asistencë nga Banka Botërore dhe po punon për këtë reformë. Ndoshta jo më vonë se data 31 dhjetor 2024, ky legjislacion duhet të jetë miratuar dhe të jetë efektiv. Një kredidhënie me synime paraprake grabitqare sjell kosto financiare dhe psikologjike në tri nivele. E para është për huamarrësin, sepse ai kaloi nga pritshmëria për t’u rritur dhe pasuruar në një debitor i pashpresë; e dyta -nga cilësia e mirë e kredisë përfitojnë bankat dhe IFJB sepse kostoja e procedurave të mbledhjes së borxhit të keq dhe pasojat e gjobave nga mbikëqyrja i vë IFJB në një pozitë të rrezikshme. E treta dhe më kryesorja – nga kredidhënia e suksesshme përfiton ekonominë në tërësi. Kredia e mirë dhe kthimi i saj është mbrojtja më e mirë e depozitave dhe kapitalit të investuar në huadhënie.

Pikërisht për të gjitha këto përfitime, kreditë e këqija kanë një limit jo më shumë se 5% të kredive në total dhe në të njëjtën kohë, autoritetet licencuese, rregullatore dhe mbikëqyrëse të bankave dhe IFJB janë bërë më të rrepta për të mbrojtur kredimarrësit dhe parandaluar kredidhëniet grabitqare. Kriteret e Bazelit janë në përmirësim të vazhdueshëm. “Lufta” mes institucioneve kredituese për të dhënë sa më shumë kredi, pavarësisht nga risqet e tyre dhe autoriteteve rregullatore dhe mbikëqyrëse për të identifikuar, parandaluar dhe pastruar nga bilancet e tyre kreditë grabitqare do të jetë e përhershme. Në vijim të ballafaqimit të ideve dhe praktikave më të mira për të mbrojtur huamarrësit e painformuar dhe të pa ditur po i rikthehem diskutimit lidhur me “Kamatën Ligjore” Kamata ligjore është një koncept i rrënjosur në idenë e mbrojtjes së huamarrësve nga tarifat e tepërta. Kamata ligjore përcakton normat maksimale të interesit për disa lloje të kredive, veçanërisht kredinë konsumatore. Këto tarifa janë shpesh më të larta se ato që tarifohen zakonisht në treg.

Zbatueshmëria dhe efektiviteti i kamatës ligjore nën zhvillimet e vrullshme të tregjeve financiare të mbështetura edhe nga revolucioni teknologjik/FinTech dhe i inteligjencës artificiale është bërë më kompleks dhe me të papritura të shpeshta. Përparësitë e aplikimit të kamatës ligjore përfshijnë: (i) Mbrojtjen e konsumatorit – pasi parandalon normat e larta të interesit në huadhëniet grabitqare; (ii) Stabilitetin e çmimeve pasi mund të kontribuojë në një mjedis financiar të qëndrueshëm duke parandaluar kostot e tepërta të kredisë dhe (iii) Thjeshtësinë e njohjes së detyrimeve. Risqet potenciale të aplikimit të kamatës ligjore përfshijnë: (i) Pasojat joefektive – në periudhat e inflacionit të lartë, normat ligjore të interesit mund të bëhen të vjetruara dhe të parëndësishme; (ii) Dekurajimi i huadhënies – normat e ulëta të kamatës ligjore mund të dekurajojnë kreditimin. Rënia e kreditimit ul kërkesën agregate në ekonomi, ul ritmet e rritjes ekonomike, rrezikon rritjen e papunësisë dhe varfërisë. (iii) Shtrembërimi ekonomik – Mund të çojë në kushte artificiale të tregut dhe të pengojë inovacionin financiar.

Shumë vende janë tërhequr nga aplikimi i kamatës ligjore. Ajo përdoret në pak lloje kredidhënie ose në rrethana specifike. Ky ndryshim pasqyron një prirje më të gjerë globale drejt tregjeve financiare të çrregulluara dhe rritjes së mbrojtjes së konsumatorit nëpërmjet mjeteve alternative. Përparësi ka marrë zbatimi rigoroz i mbrojtjes së konsumatorëve. Rregulla më të hollësishme rregullojnë zbulimin e kushteve të kredisë, periudhat e mospagimit dhe aspekte të tjera. Mbrojtja e konsumatorit në sektorin financiar dhe atë bankar ka evoluar ndjeshëm vitet e fundit. Qëllimi është krijimi i një tregu të drejtë dhe transparent ku konsumatorët mund të marrin vendime të informuara. Korniza të forta rregullatore janë të domosdoshme për të parandaluar IFJB për të synuar dhe marrë fitime grabitqare. Rregullore të qarta dhe gjithëpërfshirëse janë të domosdoshme. Vendet me rregullore të qarta dhe të zbatueshme shpesh kanë rezultate më të mira për mbrojtjen e konsumatorëve. Autoritetet e pavarura rregullatore janë thelbësore për zbatimin efektiv të ligjeve për mbrojtjen e konsumatorëve. Në Shqipëri, bazuar në direktivën e BE-së, ligji për kamatën ligjore duhet të miratohet si një ndërhyrje e menjëhershme dhe pasi të kemi një legjislacion të qartë dhe funksional për mbrojtjen e konsumatorëve të shërbimeve financiare, aplikimi i kamatës ligjore zëvendësohet gradualisht. Kjo kërkon rritje të edukimit financiar të popullatës për kursimet, investimet dhe huamarrjet e tyre.

[1]https://www.bankofalbania.org/Rreth_Bankes/Organizimi/Keshilli_Mbikeqyres/Prof_Dr_Arben_Malaj_22891_2.html;

[1] https://www.insider.co.uk/news/we-should-jailed-bankers-says-26460681;

[1] https://www.eba.europa.eu/activities/basel-frameëork-global-regulatory-standards-banks

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura