BEN ANDONI
Kryeministrit Edi Rama nuk i duhet aq shumë fitorja e zgjedhjeve lokale 2023, që nënkupton nga ana sasiore marrjen e numrit më të madh të bashkive dhe komunave, kurse nga ana cilësore, bashkitë kryesore. Tek e fundit e ka gati të kryer atë. Ramës po duket se i duhet më shumë fitorja e zgjedhjeve, si bast i asaj që mundohet të fiksojë në habitatin politik dhe në historinë e zgjedhjeve të pushtetit lokal, sesa realisht të bëjë ndryshimin e duhur të vendit, i cili është virtual me ndërtimet shumëkatëshe dhe i pranueshëm me Rilindjen Urbane. Anipse aspak i përkthyer në mirëqenie për publikun, i cili referuar Bankës Botërore, numëron rreth 33% të shqiptarëve, të cilët jetojnë në varfëri me më pak se 5.5 dollarë në ditë, element që e bën vendin tonë më të varfrin në rajon. Dhe, kur mendon se pabarazia prek zonat skajore, siç ndodh me ato veriore me zhvillim më të ulët ekonomik dhe kupton narrativën e Ramës për mungesën e bashkëpunimit në rast të fitores së kundërshtarëve (shtuar me retorikën absurde të Berishës për veçim të Veriut), të bën të kuptosh arsyen e largimit të shqiptarëve në numra sfidues, sidomos nga zonat e varfra. Shifrat e të ikurve tashmë e kalojnë të njëjtin fenomen te fqinjët. Mbledhja aritmetike e të dhënave të Eurostat tregonte se shuma e përgjithshme e lejeve të qëndrimit të lëshuara nga vendet e BE-së për shqiptarët është 778.149 (2008-2021). Sakrifica e ka edhe një të mirë të madhe. Falë punës së brezave të emigrantëve jashtë vendit, shqiptarët e këtejmë po përballojnë një jetë gjithnjë e më të rëndë. Plot 834 milionë euro janë dërguar prej tyre gjatë vitit të shkuar, niveli më i lartë prej 2008-s. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në raport me vitin 2021 remitancat janë zgjeruar me 73 milionë euro apo 9.6 për qind, citohet A2. Socialistët e thjeshtë, por edhe shqiptarët në masë po e ndjejnë këtë, teksa më shumë sesa zgjedhjet u intereson sesi të gjejnë një mundësi për mbijetesën, kurse më të rinjtë për të ikur. A e dinë dhe a e ndjejnë këtë situatë pushtetarët? I lodh vallë pushtetarët përsëritja e këtyre realiteteve? A është i lodhur Rama nga pushteti, i cili në narrativën e vet mundohet të gjejë lloj-lloj arsyesh të dobisë së pushtetit të vet? Pothuajse. Të mjafton gjuha e trupit dhe e kupton. Nëse në Ballkan mbajtja e pushtetit quhet zotësi, në psikologji gjykohet ndryshe dhe kjo mund të rezultojë deri në fatale nëse do vazhdojë: “Individi i etur për pushtet ndjek një rrugë që e çon drejt vetë shkatërrimit”, shprehej dikur psikologu Adler.
Nuk është thjesht konstatim se: Rama i ka tejkaluar të gjithë paraardhësit e tij në Partinë Socialiste, qoftë në aspekte sasiore dhe ashtu cilësore. Konsumin besojmë se e ndjen më së shumti, vetë ai. Por edhe ngopjen, kur mund të bësh gjithçka. “Po qe për lidhjet në Greqi, e në Turqi i kam vetë”, iu përgjigj pa nevojë në distancë kandidatit të Himarës. Mbi të gjitha të jesh kryetar i një partie, si PSja, në timonin e së cilës Rama është fill pas viteve 2000, kur e mori fuqinë e partisë që lindi në kohën e rezistencën antifashiste, nuk është përgjegjësi e vogël. Veçse është domethënie e madhe. Megjithatë, me forcën, jo pak herë kultin e tij, e ka tejkaluar aq shumë imazhin e partisë, saqë thjesht prej tij janë ndërruar simbolikat por edhe fryma e PS-së, së cilës i sheh tashmë më shumë elementë të djathtë se PD-ja e përçarë. Asnjë zë kritiku nuk belbëzon. Ai që provon ia ulin, kurse ai që tenton ndryshe si ishBEN ANDONI A e lodhi pushteti Ramën dhe pse i duhet fitorja ‘23?! zv.kryeministri Braçe shmanget.
Në fushata, njeriu kupton se Rama është gjithçka për masën e socialistëve. Mjafton të vijë ai dhe ndryshon shumëçka, aludoi ministri i Drejtësisë Manja në Kongresin e Socialistëve, duke treguar se ishte ai që e mbante këtë forcë. Lideri që ulet gju më gju me popullin, ka arritur ta bëjë me sukses këtë falë aftësisë së batutave dhe përshtatjes me dukjen e Homo Albanicus, që e do këtë sjellje “të thjeshtë”, por assesi përmbajtjen. E sa ta përsiasë mirë publiku, ai vetë harrohet pastaj në udhëtimet e pafundme, në angazhimet e panevojshme dhe panelet, por jo në hallet reale të tyre. Shumë herë Rama duket sikur të jetë Kryeministri i Luksemburgut. Këtu është diferenca dhe ajo që shikon se Rama është më shumë një lider që plotëson egon e tij, por shumë pak mendon për politikat që mund të ndihin zhvillim më të balancuar. “Një politikan mendon për zgjedhjet e ardhshme. Një burrë shteti, për brezin e ardhshëm”, shprehej dikur një nga personalitetet më të njohura të SHBA-së, James Freeman Clarke… Rama, ashtu si paraardhësit e tij Berisha, Meta, Nano, nuk e menduan asnjëherë që të bënin diçka që do mbetet, sepse me sa duket nuk kanë as empatinë, por edhe përkushtimin e liderëve modestë. Raporti i fundit i Bankës Botërore (BB) në logjikën e vetë mbi shifrat theksonte se një nga problemet themelore të qeverisjes aktuale është shpërndarja e përfitimeve nga rritja ekonomike, pasi kjo është përkthyer me varfëri. Jemi sërish e sërish të fundit. Dhe, kur kujton ligjërimin e tij për bashkëpunimin (mungesën) me bashkitë që synohen dhe mund të merren nga të Djathtët do kuptohet se fitorja e tij është fitore për vetë atë dhe egon e tij. Anipse edhe ngopjen e tij me pushtet. Socialistët e tjerë pothuaj janë të padukshëm, paçka se Veliaj mban një peshë shumë të madhe me Qarkun e Tiranës, kurse të deleguarit kryesorë, të tillë si Gjiknuri, Balla dhe Klosi i bien kryq e tërthor vendit, por të kërrusur dhe në pritje të vlerësimit të fundit të Liderit Socialist.
Flitet edhe për mbrojtjen sociale, por edhe ky parametër po mbetet shumë pas mesatares së Bankës Botërore. Nuk po përmendin parametra të tjerë, por një gjë bie në sy hapur: Rama po mundohet të lëbyrë njerëzit me projektet strategjike si Durrësin, stadiumet, por aspak realitetin. Më shumë se çdo gjë, i duhet përballja e vetes, ndaj në çdo takim, sikur të mos jetë Kryeministër i vendit, ai referon përtej të qenit drejtues i një vendi me parametra të varfër. E nëse këtë guxim e ka me zyrtarët e huaj, një gjë që e bën shpesh (disa herë madje duke artikuluar shumë drejtë për problemet e asimetrisë së marrëdhënies së BE-së me vendet tona), pothuaj e ka dyfish me publikun në këto zgjedhje, ku gjuha e përdorur po bëhet e lodhshme dhe me nota ofenduese. Nëse nuk do të ishte përballë vulgariteti i Berishës dhe disa herë i kundërshtarëve, atëherë ai do dilte aspak mirë.
Po pse vazhdon, kur është kaq i ngopur? Edhe me këtë pushtet duket se është ende i paplotësuar ngaqë retorika e tij mban brenda fyerjen dhe simbolikat përçmuese, duke i lënë hapësirë që edhe reagimi të jetë në këtë nivel. Kështu po mbulohet korrupsioni i kësaj klase politike, që për fat të keq i përfshin të dyja partitë kryesore, PS dhe PD. Nuk mund të mohohet se Shqipëria s’është zhvilluar, por ky fakt s’është përkthyer në mirëqenie dhe mbi të gjitha në qasjen e të gjithë shqiptarëve për jetë më të mirë. Zhvillimi i sektorit të ndërtimeve dhe infrastruktura, kjo e dyta krejt e nevojshme dhe ende që lë shumë vend për të dëshiruar, më shumë kanë ndihur një klase me pasuri të madhe (i miklojnë të dy partitë) krahasuar me shqiptarin e thjeshtë, që i duhet kohë-jetë për të blerë shtëpinë ku të fusë kokën. Po kjo ka pak rëndësi për të. I rëndësishëm është kulti, që e ngrenë të gjithë dhe ende nuk po e mbush Kryeministrin.
A shikohen këto nga Kryeministri aktual dhe administrata e vet? Me shumë gjasa po, por duket se Ramës nuk i bën më përshtypje sepse gjërat më shumë i bën për qetësimin e vet. E megjithatë, përballë ka Berishën, që fryn akoma parulla të 70 viteve përpara për ndarjet Veri-Jug. Dhe, ndaj i drejtohet popullit, me të gjitha mënyrat e mundshme të komunikimit që do të dëgjojë: Me tallava, me fjalor rruge, me etiketime negative e çdo gjë tjetër.
Në të gjithë këtë hulli, Ramës duket se i duhet kjo fitore e zgjedhjeve ‘23 më shumë për ta qetësuar egon e pafre duke e vendosur veten në historinë e politikës shqiptare sesa në atë të ndryshimit real. Kjo e fundit mund të bëhej pa zë. Ndaj e shikon hapur që Ramës nuk i intereson sepse i fiton zgjedhjet sapo futet me armatën e tij të kuratorëve dhe aparatçikëve, madje ka mundësi që edhe ta parashikojë rezultatin me saktësi gati matematike, që tashmë po e mban dhe e kalçifikon në pushtet. Dhe, sërish: për çfarë e do vallë? Mbase të qetësojë veten dhe të plotësojë atë ego, që e mban larg shumë gjërave, që lidhen me dyshimet e tij. Dikur i ka shprehur… me përballjet ekzistenciale. Megjithatë, Rama është i ngopur me një pushtet, që nuk i thotë më asgjë; me masën e vartësve që i tundin palmën; me imazhin e reformatorit në botë; ndaj edhe këto votime janë një statistikë e thatë, para kundërshtarëve, që s’i llogarit. Në dorën e tij është veç PS edhe e gjithë politika dhe institucionet. Kjo duket se e ka lodhur paq, njeriun, që nuk është habi të largohet vetë për t’ua lënë vetë socialistëve në të ardhmen rrugëtimin, por aspak përgatitjes së pasardhësit apo strukturave, që me sa duket nuk janë në fokusin e tij. Shembulli i PD-së me përçarjen s’i mjafton, madje as fati i saj, që mund të përsëritet edhe më rëndë pas ikjes së tij te PS. Në egon e tij, s’ka fund dhe e vetmja masë është vetja, pasi nuk gjen kundërshtar tjetër, por megjithatë lodhja ndihet qartë. Qoftë edhe te partia që i ka dhënë dhe e plotësoi me kultin e pamatë që ka dhe ndaj fitorja e ‘23 i duhet vetëm si stad, por edhe si frymëmarrje në këto kohë, ku parametrat ekonomikë, po i tregojnë një qeverisje aspak cilësore e asfare vlerësuese për të ardhmen e partisë, që e drejtoi vendin në dekada të tëra.
(Homo Albanicus)
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al