A ka shokë inxhinieri Mit’hat Elmaz Biçaku?

Mar 13, 2023 | 7:23
SHPËRNDAJE
Mit’hat Elmaz Biçaku
Mit’hat Elmaz Biçaku

FATOS ZHARRI

Po tregoj një ndodhi të jetuar rreth viteve 2001-2002. E thjeshtë, por që flet shumë përmes qëndrimit të një drejtuesi në Librazhd, qëndrim, të cilin sot e ndesh gjithnjë e më rrallë te punonjësit e administratës sonë shtetërore. Pse e them këtë? Sepse, për fat të keq, në ditët tona është krijuar një tip nëpunësi “lepe, peqe”, siç thotë populli, servil dhe i gatshëm të zbatojë urdhrat e çdo eprori edhe atëherë kur urdhri bie ndesh me ligjin. Ndodh kështu, sepse në radhë të parë nuk ka respekt për veten. Dhe, sipas këtij hesapi, këtij lloj nëpunësi i del më mirë. Si të thuash, me një gur vret dy zogj: edhe ujët shkon në vijën e shefit, por dhe vet bëhet i besueshëm, “duke e pasur mirë me të”, me krahët e mbrojtur nga ndonjë e papritur e nesërme dhe përfitimet ruajnë statuskuonë. Thëniet dhe aforizmat e shumta e shprehin qartë këtë lloj karakteri.

…Kishte pak kohë nga fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës nacionale Qukës-Qafë Thanë. Tenderi ishte fituar nga një firmë turke. Në këtë periudhë unë kryeja detyrën e kryetarit të bashkisë të qytetit të Librazhdit. Inxhinierin Mit’hat Elmaz Biçaku nuk e njihja nga afër. Ishte drejtor i ndërmarrjes pyjore të Librazhdit. Të krijonte përshtypjen e një njeriu të ftohtë, por korrekt. Njihja vëllanë e tij, Ramazanin, si djalë i rregullt dhe i përpiktë. Buzagaz dhe një aktivist i palodhur i forcës tonë politike. Kishte bërë emër të mirë si përpunues bulmeti, mbështetur edhe në traditën e familjes së vet qarrishtare. Mit’hatin, nga ana tjetër, e shihje të shoqëruar me kolegë të tij, sidomos me ata të moshës së re dhe tepër rrallë mund ta vëreje në ndonjë lokal a kafene.

…Atë ditë të diel isha vetëm në shtëpi, pasi bashkëshortja dhe fëmijët kishin shkuar në Korçë për dy-tri ditë. Ishte mëngjes. Binte një shi i hollë dhe bënte pak ftohtë. Troket dera. Dola menjëherë. Përballë meje një mik i mirë që punonte në një dikaster të rëndësishëm. U habita pak. Ç’hall e kishte prurë vallë në këtë orë mikun nga Tirana?

-Urdhëroni, hyni brenda, i them

-Jo, m’u përgjigj ai dhe vazhdoi: Kam ardhur me një deputet dhe po të presim te lokali poshtë pallatit.

U vesha shpejt e shpejt dhe dola. Miku im zbriti më parë, për të mos lënë vetëm deputetin. Shkova tek kioska e Dush Roçit, siç i thoshim në Librazhd, një biznesmen punëtor ky dhe mjaft i respektuar. Në një nga tavolinat jashtë ishin ulur dy miqtë nga Tirana. U përshëndeta dhe u zgjata dorën dy miqve. Deputetin nuk e njihja, përveçse e kisha parë përmes ekranit të televizorit gjatë seancave parlamentare. As ai nuk më njihte. M’u përgjigj shkurt: -Mirëmëngjesi dhe, për mirësjellje as pyeti, qoftë dhe formalisht, sikurse ndodh në këto raste, për familjen apo sesi na shkonin punët, por menjëherë m’u drejtua: – A e njeh drejtorin e ndërmarrjes pyjore të Librazhdit?

-E njoh, ia ktheva, por nuk kam ndonjë afrimitet. Është shumë më i ri se unë, nuk kam marrëdhënie shoqërore, edhe pse jetojmë në një qytet të vogël si Librazhdi.

-Si mund ta takojmë, ndërhyri, këtë radhë me ton autoritar pushtetari.

-Ja, mos gjejmë ndonjë djalë të ri e ta dërgojmë ta njoftojë, -i them. Nga që ishte akoma herët, nuk kishte asnjë njeri që ta dërgoja dhe kafexhinjtë nuk kishin dalë akoma nga shtëpitë për të frekuentuar lokalin. –Po shkoj vetë, u them dy miqve, meqë shtëpinë e kakëtu afër. U nisa dhe pse më vinte rëndë sesi do ta thërrisja Mit’hatin kaq herët. Megjithatë, shkova.

– O Mit’hat, fola nga poshtë ballkonit të katit të dytë. Doli menjëherë. –Urdhëro, u përgjigj inxhinieri.

-Kanë ardhë dy shokë nga Tirana dhe duan të të takojnë.

-Po vij menjëherë, nuk vonohem.

Ndërkaq vetë nuk prita dhe u largova menjëherë. Pas 10 minutash, përshëndeti duke u dhënë dorën dhe u ftua të ulet.

-Ti je drejtori i ndërmarrjes pyjore?- foli deputeti, serbes, si për t’i dhënë rëndësi më shumë vetes.

-Di që unë jam,- u përgjigj Mit’hati me një farë qesëndie.

-Dëgjo këtu, meqenëse fillon rruga QukësQafë Thanë, unë jam i interesuar të ngre një pikë inertesh (gurore) aty në Qafë Thanë për të nxjerrë granil, çakëll dhe inerte të tjera. Ndërkaq hapi dosjen që mbante midis duarve në tavolinën e lokalit dhe nxori prej andej disa shkresa të përgatitura në Tiranë.

-Futu një firmë këtyre, urdhëroi sakaq me ton arroganti. Sjellja e tij po më çudit. Tani tabloja ishte qartë. Nuk më kishte rastisur një tip i tillë, megjithëse kisha punuar në disa sektorë. Përbrenda zieja i tëri. Këtë gjendje të atypëratyshme, nuk e la të zgjatej zëri i Mit’hatit. I qetë, lakonik, sikurse ishte ai, me autoritetin e një drejtuesi të mirë dhe të respektuar i përgjigjet deputetit:

-Nuk e kam në edukatë të firmos dokumente në lokale e mejhane, zoti deputet. Dorëzoi ato në Zyrën e Protokollit të ndërmarrjes dhe do të marrësh përgjigjen brenda pesë ditësh sipas ligjit.

Miku i porsaardhur nga Tirana, veshur me kostumin e deputetit, që nuk e priste këtë përgjigje, e trashi zërin më tepër, edhe pse u krijua një situatë e nderë. Si të kërkonte t’i jepte dhe një shans këtij nëpunësi dhe drejtuesi model, hakërrie:

-Do t’i firmosësh apo jo?

-U thashë se nuk i firmos nëpër lokale dhe nuk mund të nëpërkëmb ligjin, përsëriti zëplotë drejtor Mit’hati.

Deputeti, i mësuar me pehlivanllëqe, duke mos hequr dorë nga presioni, i skuqur i tëri, pyeti sërish: -Po të them edhe një herë, do t’i firmosësh apo jo?

Drejtori ktheu vështrimin nga unë. U pamë sy ndër sy, duke i lënë të kuptonte që të mos shqetësohej për mua, se nuk kisha ndonjë merak apo qejfmbetje dhe se ndihesha mirë për qëndrimin e tij.

Nuk i firmos hëëë… zvarriti zërin deputeti dhe shtoi: Kush të ka emëruar drejtor ty more, duke e ngritur zërin më lart.

Di që nga Tirana më ka ardhë emërimi, foli me qetësi, por dhe me qesëndi Mit’hati.

-Ta shikosh ti, kërcënoi më tej deputeti. Do të bisedoj me kolegun tim të Librazhdit dhe do të shohësh, a do të jesh më drejtor i pyjores.

Dhe fatkeqësisht, kështu ndodhi. Pas një muaji drejtori u lirua nga detyra. “Fermani” i erdhi pa asnjë motivacion. Të paktën të ishte shkruar: “S’i ke plotësuar dëshirën deputetit”. Një ndodhi që flet shumë. Dhe, jo pa qëllim vendosa këtë titull “A ka shokë inxhinieri Mit’hat Bicaku?”. Sigurisht ai ka shumë shokë e miq. Personaliteti i tij është rritur. sot bën pjesë në grupin e inxhinierëve të administrimit të zonës të Shebenikut. Puna është që administrata shtetërore të ketë më shumë drejtues si Mit’hat Biçaku, me karakter të fortë, që nuk u nënshtrohen dallkaukëve, kudo që mund të livadhisin ata, të guximshëm – për t’i treguar vendin cilitdo që thyen ligjet e shtetit, pavarësisht postit që mban.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura