Një tjetër libër me rrëfime nga Fatos Kongoli. Në një kohë të pazakontë, kur vendi po kalon një gjendje të jashtëzakonshme, shkrimtari boton një tjetër libër me rrëfime, titulluar “Kapitulli i Amerikës”.
Nuk është thjesht një rrëfim për jetën e tij amerikane, por një rrëfim për një nga kapitujt më të vështirë të jetës së tij, atë të sëmundjes. Kur e keqja ka kaluar dhe shkrimtari i është kthyer jetës normale, ku letërsia zë sërish vendin më të rëndësishëm të jetës së tij, është momenti i një kthimi mbrapa, për të kujtuar ato ditë, por edhe për të parë atë ndriçim që i fanepsej dhe e mbajti ne jetë.
Ishte një libër në sirtar, që e kishte quajtur fillimisht “Aventura” e më pas u pagëzua me titullin “Gënjeshtarë të vegjël”. Ishte ai që e mbajti gjallë, për të kaluar përmes agonisë së sëmundjes, drejt botimit. Por jo vetëm të tij. Pas tij vjen sot në libraritë e Tiranës libri “Kapitulli i Amerikës”, nga botuesit besnikë të Kongolit, “Toena”.
FATOS KONGOLI
FRAGMENT
… Tani nuk mund të them me saktësi se sa kohë qëndrova pas këtij operacioni të dytë në atë dhomën e madhe të reanimacionit. Kur dilja nga kllapitë, kisha vetëm një dëshirë: të ikja nga kjo botë. E kam torturuar Lilin. Ajo flinte atje që të kujdesej natën për mua, mbi një batanije të shtruar mbi dysheme, ndërsa unë, me të ardhur në vete, i lutesha të më gjente diçka, ta pija e të ikja. Këtë kërkesë, si ma ka pohuar Rolandi më pas, sepse mua nuk më kujtohet, ia paskam bërë në prani të tij edhe doktor Ohrit, ndërsa ai njeri i sjellshëm ma kishte prerë shkurt: “E po mirë, nëse ke dëshirë të vdesësh, vdis!”.
Po të mundesha, do ta kisha bërë këtë. Por unë nuk mundesha. Isha i aftë të vëreja vetëm një gjë: degradimin e pandalshëm të qenies sime. Një kateter – kështu quhej mjeti – grumbullonte urinën në një qese, që shkarkohej nga infermieret e, më pas, nga Lili. Një infermier, i specializuar, burrë serioz e shumë i rregullt, pastronte çdo ditë qesen ku mblidheshin të pëgërat. Dikush tjetër më mjekonte kohë më kohë plagën e operacionit, e qepur me pe nga poshtë deri sipër etj. Më injektoheshin lloj-lloj serumesh, në parakrahët e mi s’kishte më vend për të futur age, e kjo ishte një torturë më vete. Mbi të gjitha, trupi nuk më bindej, muskujt sikur kishin harruar funksionin e tyre, lëvizja vetëm krahët, këmbët mund t’i shtrija apo t’i mblidhja, asgjë më shumë, praktikisht isha i paralizuar. Vinin pastaj periudhat e gjata të kllapisë, kur ky mjerim fizik fashitej dhe zgjoheshin vatra të tjera. Në këto kllapi më ndodhte diçka e çuditshme.
Para se të shfaqej sëmundja me gjithë agresivitetin e saj, siç e kam vënë në dukje në fillim të këtyre shënimeve, kisha nisur një roman të ri. Për arsye të shkërmoqjes së kujtesës, nuk e mbaj mend se ku dhe kur kisha nisur ta shkruaja, në Nju-Jork apo në Tiranë. Mbaj mend vetëm se këtë libër të ri kisha nisur ta shkruaja i pasigurt për atë që po bëja, aq sa në vend të një titulli, që doli vetvetiu më vonë, e kisha quajtur “Aventura”. Dhe në kompjuter e shënoja me kodin Av. E kam fjalën për romanin tim më të fundit “Gënjeshtarë të vegjël”. E çuditshmja që më ndodhte gjatë kllapisë, ishte se në atë gjendje pavetëdije, truri im punonte: në njëfarë mënyre unë shkruaja, kthehesha tek “Aventura”, në pikën ku e kisha ndërprerë për shkak të sëmundjes, e vazhdoja, nuk e teproj po të them se e çova deri në fund. Me këtë shpjegohet edhe lehtësia, me të cilën, kur pas tetë muajsh mungese, u ktheva në shtëpi, unë ia dola ta përfundoja atë libër relativisht shpejt. A mund të pohoj tani se “Aventura”, e ndërprerë vrazhdësisht, ka luajtur ndonjë rol që unë, në kundërshtim me çka dëshiroja, të mos ikja, të rikthehesha, për të mos e lënë atë të zhdukej? Me fjalë të tjera, a mund të thuhet se ajo, në njëfarë mënyre, më mbajti në jetë?
Do të ishte qesharake po ta besoj këtë. Sidoqoftë, “Aventura”, herë-herë, ngrinte krye brenda meje për të më kujtuar se ekzistonte. Në një çast, kur e pashë veten shumë keq, të dobësuar, të shndërruar në një qenie, së cilës i kishin mbetur vetëm kockat e lëkura, pata një lloj ndriçimi: Mos duhej të vija në dijeni për ekzistencën e saj Lilin dhe, përmes Lilit, Irenën? Midis infermiereve dhe infermierëve, që puna ua sillte të kujdeseshin për mua, me njërin prej tyre kisha një marrëdhënie, po them, të privilegjuar. Ai ishte rreth të tridhjetave, po ndoshta më i ri, dhe sillej ndaj meje me shumë nderim. S’më kujtohet sesi e quanin, por në një gjendje gjysmëzgjuar, gjysmë në kllapi, një natë i bëra një pyetje tepër të vështirë për të.
Desha të mësoja prej tij që, bazuar në përvojën si infermier, sa kohë mendonte se do të mund ta shtyja?
Ai u zu keq. Atëherë unë ia drejtova pyetjen ndryshe:
“Të lutem, – i thashë, – më bëj një nder, nuk do t’ia them askujt. A mund ta shtyj kështu edhe një muaj?”.
Ai sërish ngurroi. “Meqë kërkon ta dish, – foli më në fund, – sipas meje, të paktën edhe nja dy muaj i ke të sigurta. Më tej, s’di ç’të them, por, të lutem, kjo të mbetet midis nesh”.
E falënderova. Me vjen keq që tani nuk ia mbaj mend as emrin, as fytyrën atij infermieri. Nuk e di përse ia drejtova këtë pyetje. Nga ngutja për të mësuar se edhe sa kohë do të më duhej të vuaja në atë gjendje? Sidoqoftë, duke qenë se më mbeteshin së paku edhe nja dy muaj, e mblodha që ekzistencën e “Aventurës” të vazhdoja ta mbaja për vete, deri në kufirin e fundit.
Më kujtohet se një mbrëmje, s’mund të them se ku ndodhesha, në reanimacion apo poshtë te kirurgjia, Irena më mori në telefon, më pyeti nëse pranoja që ajo të më dërgonte ndonjë nga punonjëset e saj të shtëpisë botuese, për të zhvilluar një bisedë me mua. Unë nuk pranova. Nuk isha as në humor, as në gjendje të zhvilloja biseda, me këdo qoftë.
Por edhe për një arsye tjetër. Nëse pranoja, rrezik t’i zbuloja bashkëbisedueses ekzistencën e “Aventurës”, e kjo do të thoshte të ndahesha prej saj. Jam sunduar gjithë jetën nga një “fiksim”: s’kam dashur kurrë të jap shpjegime apo të zbuloj gjërat që kam pasur nëpër duar, në përputhje me një të ashtuquajtur parim – i jam përmbajtur kurdoherë këtij parimi – sipas të cilit ato që tregohen, nuk shkruhen. “Aventura” vazhdonte të ishte në “laboratorin” tim, vazhdoja të merresha me të. Nuk doja të ndahesha prej saj..
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al