Analiza e BIRN: Projekti i Skavicës ndjell frikë dhe pasiguri në luginën e Drinit të Zi

Nov 8, 2022 | 19:00
SHPËRNDAJE

Pas nënshkrimit të një marrëveshje me kompaninë amerikane Bechtel në korrik 2021 për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, qeveria shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama kanë qenë të zëshëm mbi suksesin që kjo kontratë nënkuptonte.

projekti i skavices

Në prill Rama e cilësoi hidrocentralin, i cili sipas tij rrit me 20 për qind prodhimin e energjisë hidrike në vend, një “ëndërr të gjatë”.

Madje së fundmi ndërsa vizitonte Dibrën në 29 tetor, Rama i cilësoi si të pakuptueshme kundërshtimet ndaj projektit dhe akuzoi opozitën se kishte nxitur kundërshtimet.

“Çfarë ka këtu, pse duhet me qenë kundër? Duke dëgjuar hienat”, tha Rama, i cili premtoi shtëpi për ata që prekeshin dhe punë për ata që jetonin rreth e rrotull luginës.

Por ndërsa kryeministri premton dhe zhurma rreth hidrocentralit shtohet, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, KESH, që është pronare e hidrocentralit në gati një duzinë përgjigjesh për palë të treta të publikuara në faqen e saj pas kërkesave për informacion, bën me dije se ende nuk ka një projekt përfundimtar dhe po ashtu as bisedime dhe as vendimmarrje mbi fatin e banorëve.

Paqartësia për të ardhmen i ka bërë dyshues banorët e fshatrave që preken nga ndërtimi i HEC-it.

“Këtu mungon transparenca,” tha Haxhi Idrizi, 76-vjeç, nga fshati Muhurr, ndërsa shpjegoi se banorët e tij kurrë nuk e kishin braktisur tokën.

“Ne vijojmë të mbetemi në dilemë se ç’farë na premton qeveria ne, për ndërtimin e hidrocentralit”, shtoi ai.

Dyshimet e banorëve ngrihen mbi një histori të gjatë të kompensimit të padrejtë që u ofrohet atyre që shpërngulen në favor të projekteve publike në Shqipëri.

Në vitin 2016 BIRN gjeti se banorët e fshatrave që u përmbytën nga ndërtimi i hidrocentralit të Vaut të Dejës prej 45 vjetësh ende presin kompensimin e premtuar, ndërsa jetojnë në kapanone të mbuluara me eternit që shërbyen si fjetore për punëtorët e digës së parë mbi lumin Drin.

Konfliktet e hapura me të shpronësuarit nga qeveria me çmime reference shumë më të ulëta se sa tregu, janë lajme të zakonshme në Shqipëri, ndërsa BIRN ka gjetur se edhe në këto raste pagesat vonohen duke u pamundësuar të shpronësuarve një jetë normale.

Ankthet e shpërnguljes


Takim në fshatin Muhurr të Dibrës per HEC Skavicen | Foto: Hysen Likdisha

Lëvizja “Jo Skavicës-Po Dibrës”, e krijuar nga dibranë që preken direkt prej projektit apo të emigruar që kërkojnë të ruajnë zonën, zhvilloi gjatë tetorit takime në 19 fshatra që sipas planeve të publikuara preken direkt prej HEC-it.

Majlinda Hoxha, aktiviste e lëvizjes dhe koordinatore e takimeve i tha BIRN se pavarësisht se ku kishin shkuar, qëndrimi i banorëve kishte qenë i unifikuar kundër projektit.

“Gjetja më interesante, nëse mund ta quaj kështu, ishte se në çdo fshat kemi marrë të njëjtin  feedback;- ne do sakrifikojmë jetën për të mbrojtur pronën, tokën dhe varret e gjyshërve tanë”, tha ajo.

Hoxha thotë se hidrocentrali do të ishte fundi i Dibrës dhe se lëvizja ka marrë mbështetje nga organizata mjedisore ‘EuroNatur’ për ti bërë ballë projektit.

“Jo pak, por 32 fshatra humbin lidhjen direkte me Peshkopinë, si dhe “mbytet” trashëgimia kulturore –historike 3000 vjeçare”, tha ajo, ndërsa shtoi se ndikimi shkon përtej atyre zonave që mbulohen nga uji.

Hoxha shtoi se ata po ndihmojnë banorët që të jenë të qartë në takimet e mëvonshme të konsultimit publik, në të cilat projekti duhet të kalojë.

“Në këtë fazë banorët duhet të paraqesin problematikat që kanë dhe ne do angazhohemi që të kemi edhe disa të dhëna mbi efektet negative të këtij projekti, që banorët  të jenë më të përgatitur”, shpjegoi ajo.

Pjesmarrës në një prej takimeve të lëvizjes të zhvilluar në 17 tetor në Muhurr, Nazmi Drizi, kryetari i shoqatës “Për mbrojtjen e Luginës së Drinit të Zi”, tha se projekti e ndante krahinën në katër pjesë dhe përmbyste një pjesë të mirë të saj.

“Punimet janë ndal, por kjo s’ka besë,” tha ai. “ Dibrën don ta zhbëj me një të rënë të lapsit, Edi Rama”, shtoi Drizi duke fajësuar kryeministrin.

Por ndërsa bëhen gati për të kundërshtuar projektin, banorët janë duke bërë edhe llogaritë se çfarë mund të shpëtojnë prej asaj që kanë trashëguar në vite.

Hysen Uka, studiues-publiçist, njëherësh edhe kryetar i shoqatës Nisma Dibrane, thotë se ndërsa e kundërshtojnë në tërësi projektin, banorët duhet të bëhen gati që ai mund t’iu imponohet. Ai thekson se nëse projekti ndërtohet ata duhet të marrin një kompensim të drejtë për pronat e humbura.

Uka kërkoi që qeveria duhet të marrë përsipër që të financojë banorët e “zhvendosur, për ringritjen e veprimtarive bujqësore-blegtoriale, agroturizëm, bletari, peshkim etj”.

Sipas tij qeveria duhet tu ofrojë banorëve jo dëmshpërblim monetar për pronën, por tokë bujqësore prodhuese, banesa dhe një paketë investimesh që duhet të përfshijë edhe ngritjen e një qyteze në njësinë administrative Kastriot, si dhe infrastrukturë që do të mundësonte lidhjen e zonave që izolohen nga liqeni i hidrocentralit me aeroportin e Kukësit dhe “rrugën e Arbërit”.

Por frikërat dhe dëshirat e banorëve janë për momentin të bazuara vetëm në fjalët e dëgjuara në mitingje elektorale. Korporata Elektroenergjitike thotë se ende nuk ka përfunduar faza studimore e projektit dhe as kishte deri në fund të tetorit një ide të qartë të numrit të atyre që preken.

KESH në përgjigje të njërës prej kërkesave për të drejtë informimi mbi Skavicën, të publikuara në faqen e saj në 27 shtator, thotë se ende nuk kishte përfunduar faza e parë që parashikon studim teknik, atë të fizibilitetit dhe vlerësim mjedisor të projektit.

“Analiza e fizibilitetit teknik, social, mjedisor dhe ekonomik do të përcaktojë edhe avantazhet dhe disavantazhet projektit të cilat do të analizohen e konsultohen edhe me publikun përpara marrjes se një vendimi përfundimtar”, thuhet në përgjigje.

KESH shprehet se ende nuk e ka të qartë se cilët do të jenë fshatrat e prekur dhe as numrin konkret të banorëve që do të zhvendosen.

“Aktualisht studimi i fazës së pare është akoma në proces. Propozimet për vendin e zhvendosjes do të jenë të sakta pas realizimit të kontakteve në vend me banoret e zonës, gjatë fazës së njoftimit të rezultateve të fazës së parë të projektit”, thuhet në përgjigjen e KESH të tetorit 2022.

Ndikimi në mjedis


Tubat e njërit prej hidrocentraleve që po ndërtohet në Zall Gjoçaj. Foto: Sami Curri.

HEC-i i Skavicës është një projekt që ka nisur fillimisht  në vitet 1970 si pjesë e kaskadës së Drinit, për plotësimin e nevojave të vendit me energji elektrike dhe si një rezervë ujore për pjesën tjetër të kaskadës

Aktualisht qeveria shqiptare hodhi hapin e parë për vënien në lëvizje të projekti, një vit më parë me nënshkrimin e një marrëveshje me kompaninë Bechtel, e cila sipas kontratës po kryen studim teknik të zonës, fizibiliteti dhe po ashtu edhe vlerësim të ndikimit në mjedis.

Kosto të projektit janë ende të paqarta por shifrat e përmendura publikisht në varësi të digës dhe madhësisë së hidrocentralit variojnë nga 250 milion euro deri në 500 milion euro. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha gjatë një fjalimi në parlament në tetor 2022 se punimet do të nisnin brenda 9 muajve, por se ende vijonin negociatat për financimin e digës.

Projekti pritet të hasë në kundërshtime të forta të organizatave të mjedisit që e shohin atë si rrezik për biodiveristetin në zonë.

Andrey Ralev, një aktivist i biodiversitetit shkroi në faqen e organizatës mjedisore ‘Bankwatch’ në korrik të këtij viti se diga mbi Drin ishte “gjëja e fundit që i duhej Shqipërisë”, ndërsa arsyetoi se ndërtimi do të zhdukte përfunditmisht Rreqebullin e Ballkanit.

Në të njëjtën kohë organizata si EuroNatur dhe Riverwatch kanë qenë gjithashtu të zëshme në kundërshtimin e planeve për ndërtimin e digës, që i shohin si jo të qëndrueshme.

EuroNatur është ndërkohë aktive në mbështetje të aktivistëve lokalë në organizimin e banorëve kundër projektit. Në një takim në fshatin Muhurr në 17 tetor, Edi Tuka drejtues ekzekutiv i ‘North Green Association’, një OJF vendore e mbështetur nga EuroNatur, u foli banorëve mbi pasojat mjedisore të digës në mjedisin e zonës.

Sipas Tukës një pjesë e faunës së egër rrezikon të zhduket dhe bashko më atë edhe 70 për qind e bimëve autoktone medicionale dhe bujqësore./Reporter.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura