Absurdi vs “Shtetit të së Drejtës”!

Jun 24, 2024 | 9:08
SHPËRNDAJE

NGA BEN ANDONI Ben Andoni1

Pyetja dhe dilema më e madhe publike, pas rishfaqjes sistematike të malit me dosje në SPAK dhe gjithë sistemin e drejtësisë, është nëse do funksionojë Drejtësia dhe bashkë me të edhe Shteti i së Drejtës?! Të dhënat e raportit të SPAK për vitin 2023 kanë të dhëna, që të bëjnë të mendosh gjatë: “krahasimisht me 2022 ka një rritje të konsiderueshme të hetimeve të nisura me 139% dhe 20% më tepër çështje të regjistruara në kuadër të korrupsionit por kur vjen puna për masën e sigurimit rezulton një tendencë rënëse me 3% të masës arrest me burg në raport me vitin e kaluar (arrest me burg përbën 49% të masave)” (Muço-Monitor, 2024). Përgjigja nga politika tashmë ka humbur, sepse edhe referimet e dukshme si ai i IPARD-it, apo ato që lidhen me Shëndetësinë dhe Mjekësinë, duket se nuk e bëjnë Ekzekutivin të ndërmarrë masat e duhura, kurse koncepti i “Shtetit të së Drejtës”, duket gati absurd. “Të fortët” megjithë oksigjenin amerikan nga SPAK-ut nuk tranden, kurse Ekzekutivi “Rama” vetëm qesëndis me indiferencë dhe kuptohet ‘suksese’.

Togfjalëshi “Shtet i së Drejtës” është nga më të përdorurit e binomit të politikës PS-PD në rrafshin e ligjërimit të jashtëm dhe më pak atij të brendshëm. E theksojmë të brendshëm, pasi shpesh ata që e përdorin nga politikanët ka pak gjasa ta kuptojnë në thelb, kurse nga ana tjetër është absurdi që na përball realisht dhe e zvetënon krejt kuptimin e “Shtetit të së Drejtës”. Zhvillimi dhe përballja e këtij koncepti përmes respektit ndaj Kushtetutës sonë, arnuar disa herë, kanë treguar problematikat e shumta, të cilat teoricienët e Drejtësisë i kanë shpjeguar mirë. “Ndërtimi i një Shteti të së Drejtës është produkt i angazhimit qytetar. Ai nuk përfaqëson vetëm një kontribut të institucioneve shtetërore, por edhe një kontribut të të gjithë aktorëve në vend, duke përfshirë individët, shoqërinë civile, profesionistët e deri tek universitetet e Akademia e Shkencave. Çdo ndihmesë në këtë drejtim paraqitet me rëndësi të veçantë, për faktin se, Shqipëria ndodhet në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, një proces ky, i cili kërkon konsolidimin e shtetit të së drejtës, në vend”, (Zaganjori dhe Anastasi dhe Çani, 2011).

Kanë qenë pikërisht këto projeksione, që na tregojnë përgatitjen e fashave të ndryshme të shoqërisë dhe aktorëve të interesuar sepse ajo që e kanalizon të gjithë energjinë politike dhe pritshmëritë e ndryshme në vend lidhen me përmbushjen e parametrave, të cilat ndikojnë tek procesi i integrimit në familjen evropiane.

Michel Foucault në leksionin e 14 janarit 1976, titulluar “Kritika e sovranitetit dhe analitika e pushteteve moderne”, trasoi një rrugë, asokohe e panjohur për demokracinë, sepse ishte herët të parashikohej shembja e Murit të Berlinit dhe zhvillimi i demokracive të reja, ca më shumë ajo shqiptare sa i përket mënyrës së funksionimit të pushtetit. “U përpoqa të studioja disi ‘mënyrat e pushtetit’, domethënë të qëmtoja mekanizmat e tij duke i vendosur mes dy perspektivave, mes dy kufijsh: nga njëra anë rregullat e së drejtës, që përvijojnë formalisht fushën e ushtrimit të pushtetit, kurse, nga ana tjetër, kufiri tjetër, është ai që do ta quaja efektet e vërtetësisë që prodhon pushteti, efekte të cilat sa prodhohen dhe drejtohen nga pushteti, aq edhe ushqejnë apo përforcojnë pushtetin në fjalë. Kemi pra, një trekëndësh: pushteti, e drejta, e vërteta”. Dhe, pak më tutje, filozofi shtron një pyetje, që ai e sheh si problem tradicional, i shtruar shpesh nga filozofia politike: “Si mundet ligjërimi i së vërtetës, ose thjesht, si mundet filozofia si ligjërim dhe disiplinë par excellence e së vërtetës, të përcaktojë kufijtë e së drejtës së pushtetit”? Në fakt, edhe këtë e ka të ezauruar në leksionin e tij por ato që do të analizojë dhe ngritur me një pyetje retorike është faktike: “Cilat janë ato rregulla të së drejtës, që vë në përdorim pushteti për të prodhuar ligjërime vërtetësie”?

Shqipëria në këto tridhjetë e katër vjet përball ligjërimin politik, që është shprehje e koncentruar thjesht e 1-shave, ku elementët bazikë të vërtetësisë duhet t’i gjenim në respektimin dhe zbatimin e programeve. Kryeministrat Nano, Berisha dhe Rama, personazhet me të cilët është drejtuar historia jonë politike e pas viteve ’90, kanë qenë shembuj të ligjërimeve të gjata, shpesh të paekonomizuara, jo pak herë duke etiketuar “armiqtë e jashtëm” dhe “problemet e Evropës” si shkaqe të sfidave, ashtu si duke shtjelluar premtimin dhe akuzat politike, mbi vërtetësinë e vetme të gjykimeve të tyre. Rezultati: Shqipëria ka dhe mbetet në nivele korrupsioni të frikshëm. Vendi ynë ka ndërtuar një demokraci, që i mbetet shumë borxh “shtetit të së drejtës”. Sot, jo thjesht, Shqipëria por të gjitha vendet e Ballkanit përballen me këtë sfidë, që po merr karakter absurd. E shqiptojnë, por nuk ‘e kuptojnë’ atë që e kanë para syve. Referuar një studimi ndërkombëtar mbi korrupsionin në nivel evropian (qendra kërkimore Rand) vlerësohet se korrupsioni në nivel evropian është rreth 900 miliardë euro.

Nëse do të përdorim të njëjtën metodologji për Shqipërinë rezulton se në Shqipëri është rreth 10% e PBB-së apo 2.5 miliardë euro në vit (Muço-Monitor, 2024). Por kryeministri Rama, në diskursin e tij populist e shmang pjesën e përpjekjes së reformave drejt shtetit ligjor, duke përmendur se kusuret janë mbi vetë Bashkimin Evropian që po “zvarritet”. Të mendosh se me gjithë problematikat e veta, që realisht nuk janë të vogla, BE-ja është busull për të gjithë pjesën tjetër të rruzullit, atëherë duhet të kuptosh dhe të deshifrosh konceptin e të vërtetës tek politikanët tanë. Kryesisht tek 1-shat. Shqipëria mbetet peng i 1-shave dhe jo i detyrimit ndaj Shtetit të së Drejtës. Atë që Rama e bëri para 2013, kulmi i të cilës arriti me absurdin e çështjes së Kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit, po e kthen opozita e sotme e PD-së me të njëjtën monedhë. Në këtë cak, kur pritet nisja e Mbledhjes së Dytë Ndërqeveritare, Shqipërisë i duhet që të tregojë se vendi ynë është “Shtet i të drejtës”, por puna dhe veprat e saj lënë shumë për të dëshirua. Kryeministri Rama nuk begenis as edhe t’u përgjigjet interpelancave, kurse me fuqinë e pamatë ka pështjelluar dhe konceptet e të drejtës dhe të vërtetën.

Në këtë rast pushteti që ai po ushtron, ashtu si Berisha, paraardhësi i tij, ka humbur ekonomizimin e ligjërimeve dhe nuk po jep me sensin e të drejtës. Sërish na vjen në ndihmë Foucault për konceptin real: “Pushteti na detyron të prodhojmë vërtetësi dhe vetë pushteti nuk mund të ushtrohet veçse duke prodhuar vërtetësi”. Nuk ia vlen të zgjatemi në konceptin teorik për Shtetin e të Drejtës, por duket se korrupsioni dhe pastaj përqendrimi i pushtetit, duke shmangur parametrat që e mbajnë Shtetin e të Drejtës tregojnë realisht vendin ku jemi sot. “Sa e habitshme është në fund të fundit që vendet me nivele relativisht të larta korrupsioni nuk arrijnë të zbatojnë me sukses reformat demokratike të udhëhequra nga BE? Pse mund të pritet që liderët politikë të korruptuar të pranojnë ndikimin negativ të korrupsionit dhe të angazhohen sinqerisht për ta luftuar këtë çështje duke bërë përpjekje reale për të përmbushur kërkesat strikte të BE-së dhe standardet e larta të sundimit të ligjit? (Martin-Russu, 2022), shtrohet argumenti në një artikull të botuar tek “SpringerLink”.

Në kohën tonë, veç korrupsionit; varfërisë së vendit, që është evidentuar në indekset ekonomike (Shqipëria dhe Kosova, më të varfrat në Europë edhe në 2023, madje, sipas FMN-së, do mbeten njëlloj të paktën deri në 2028); niveleve të krimit të organizuar, problemeve zgjedhore, që nuk ndalen dhe ende një drejtësie apatike, po tregojnë dëmtimin në thelb të Shtetit të së Drejtës dhe mbi të gjitha pasivitetin e një Homo Albanicus, që jeton në territorin tonë, i cili nuk mund të ndryshojë më dot asgjë. Jo më kot, kur shqiptohet Shteti të së Drejtës të duket si një togfjalësh absurd, që i shërben më shumë fytyrës së mëtuar evropiane sesa atij realitetit ku jetojmë.

(Homo Albanicus)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura