Afera e inceneratorit të Tiranës, SPAK urdhërarrest edhe për biznesmenin Ilir Dedja

Jul 13, 2024 | 10:54
SHPËRNDAJE

Mes personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhërarreste për aferën e inceneratorit të Tiranës është edhe biznesmeni, Ilir Dedja.

SPAK

Biznesmeni mësohet se jeton në shtetin e Zvicrës. SPAK mësohet se ka lëshuar 6 urdhërarreste, mes tyre tre shtetas të huaj, por asnjë prej tyre nuk është arrestuar pasi nuk janë gjetur në banesa. Sipas gazetares Klodiana Lala, nga sistemi TIMS ka rezultuar se vetëm një prej tyre ndodhet në territorin e Shqipërisë, ndërsa të tjerët ndodhen jashtë vendit.

Ilir Dedja u bë i njohur në Shqipëri për shkak të kontratave prej qindra mijëra eurosh me kompanitë e incineratorëve dhe një skandali në Zimbabve.

Në korrik të vitit 2018, Stela Gugallja dhe Ilir Dedja u paraqitën në një zyrë noterie në zonën e ish-Bllokut në qendër të Tiranës për të nënshkruar një kontratë me vlerë 500 mijë euro për shitjen e aksioneve të kompanisë C.G.C –një kompani me humbje, pa aktivitet dhe zero asete në bilancin e vet.

Planet e Dedjes në kohën që bleu kompaninë C.G.C nuk janë krejtësisht të njohura, por Prokuroria e Posaçme beson përmes një hetimi të saj se kontrata e blerjes së aksioneve nga Gugallja ishte fiktive.

Ndryshe ndodhi një vit më pas, kur Dedja i ktheu aksionet mbrapsht në këmbim të 600 mijë eurove, të cilat u dërguan përmes katër transfertave bankare në llogarinë e tij në Zvicër.

Kjo nuk ishte marrëveshja e vetme e biznesit mes Dedjes, 55 vjeç dhe administratorëve të aferës së incineratorëve, që mundësoi transferimin e qindra mijëra eurove të taksapaguesve shqiptarë drejt juridiksionit offshore të Zvicrës.

Në vitin 2021, katër transferta të tjera me vlerë rreth 500 mijë euro u transferuan nga kompania Integrated Energy BV SPV e incineratorit të Tiranës drejt kompanisë 3DDD Swiss Trading SA me seli në Lugano, gjithashtu e kontrolluar nga Dedja.

Transfertat bankare drejt parajsave fiskale përmes përdorimit të kontratave fiktive janë një ndër format klasike të pastrimit të parave në botë dhe në Shqipëri.

Megjithatë, hetuesit shqiptarë patën një arsye shtesë për gjumimin e parave që rrodhën nga nga kompanitë e incineratorëve drejt Zvicrës, pasi dyshohet se ato po financojnë jetën në arrati të ish. nr.2 të qeverisë shqiptare, Arben Ahmetaj dhe partneres së tij.

Ndërsa lidhjet e ish.zv.kryeministrit me biznesmenët famëkeqë të incineratorëve ishin të njohura që në fazën paraprake, hetimet e reja të SPAK dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet zvicerane kanë zbuluar lidhje të reja të tij me emigrantin shqiptar, Ilir Dedja.

Sipas SPAK, Dedja është personi që garanton strehimin e partneres së Ahmetajt në qytetin piktoresk të Luganos në Zvicër, shkruan BIRN.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura