Akademia dhe Reforma në Sistemin e Shkencës

Sep 19, 2017 | 11:15
SHPËRNDAJE

REDI SHTINO *

Shkenca dhe kërkimi sh kencor, prej gjenezës së etimologjisë së tyre, janë në kërkim të së vërtetës dhe në shërbim të shoqërisë. Pikërisht sepse kërkojnë në terrin e së panjohurës, janë koshiente për limitet e tyre dhe për faktin se ajo që nuk dinë, është gjithnjë më e madhe se ajo që dinë: në ndryshim nga politika. Kjo e fundit duket se i ka zënë vendin të parave, ndërsa misioni historik i reformës së kërkimit shkencor projektohet të jetë pikërisht depolitizomi i shkencës ne Shqipëri.

redi shtino

Kisha vendosur të mos shprehem mbi debatin mediatik të ngritur rreth Akademisë dhe problematikave të shumta të kërkimit shkencor në vend, pikërisht sepse mungojnë pak ditë nga fillimi i punës së Qeverisë se re dhe shpejt do të bëhet publik produkti i finalizuar për reformimin tërësor të sistemit të kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit. Këto rreshta dhe ato që do të vijojnë, tregojnë që nuk arrita të rri indiferent ndaj argumentit. Kjo, falë pozicionimit jokorrekt dhe të përsëritur (këtë here në media) të disa prej anëtareve të grupit të punës, që morën pjesë në përgatitjen e paketës së reformës në sistemin e shkencës ne vend.

Më duhet të informoj publikun se, prej 1 qershorit 2016 janë ngritur tri grupe pune për finalizimin e: 1) Strategjisë Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin 2017-2022; 2) Reformës Institucionale të Kërkimit Shkencor dhe 3) Ligjit të ri për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin. Me vullnetin e lirë të anëtarëve të grupeve, çdo mbledhje është regjistruar audio dhe zbardhur në minuta, të cilat më pas janë miratuar me votim (minutat) në mbledhjen e radhës. Pra, gjithçka edhe e dokumentuar në nivelin më të detajuar, përfshirë këtu edhe qëndrimet dhe kontributet e çdo anëtari. Theksoj sa me sipër, duke u referuar veçanërisht qëndrimit mohues apo të heshtur të disa anëtarëve, mbi punën dhe produktin final të paketës së reformës në shkencë, por njëkohë- sisht duke lënë jashtë cektësinë e debatit të ngritur, që i referohet vetëm në mënyrë teorike dhe jo empirike argumentit: përfshirë të gjithë ata, që pozicionohen në mënyre subjektive dhe jo objektive mbi problemin madhor të kërkimit shkencor në vend.

Ata, të cilët tregojnë se si duhet apo mund të jetë struktura e re e sistemin institucional të kërkimit shkencor, pa treguar nëpërmjet cilave analiza kanë arritur në këto konkluzione dhe cilët janë instrumentet empirike që kanë përdorur për të arritur tek to.

Kam kënaqësinë të informoj publikun se, ndërsa Strategjia Kombëtare e Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit 2017- 2022 është përfunduar dhe ndodhet në pritje të mbledhjeve të para te Këshillit të Ministrave për t’u miratuar, të painformuarit vijojnë me diskutime teorike mbi të ardhmen e Akademisë së Shkencave, e cila është vetëm maja e ajsbergut te problemeve të kërkimit shkencor në vend, pasi janë rreth 20 Institucione që kanë në fushën e përgjegjësisë ushtrimin e kërkimit shkencor ndër Ministri, Institute, Qendra e Agjenci dhe që në dekada, nuk pjekin asnjë produkt të kësaj kategorie. Problemi i kërkimit shkencor në vend nuk janë emra të përveçëm institucionesh, por i gjithë sistemi i shkencës dhe rentabiliteti i tij, në krahasim me vendet e rajonit. Për t’u matur me këto të fundit, dhe mbi të gjitha me kapacitetet tona reale, na u desh fillimisht të zbulonim gjendjen aktuale mbas gati tre dekadash dekompozimi e atrofizimi të pandalur të burimeve njerëzore dhe materiale.

Për këtë realizuam Censusin e parë të kërkimit shkencor në vend, që gjeti protagonist të gjitha institucionet publike dhe private, që e ushtrojnë atë teorikisht ose efektivisht. Nuk mund të thuhej me saktësi se ku dëshironim dhe mund të arrinim në vitin 2022, pa patur mundësinë të tregonim se në çfarë situatë ndodhej efektivisht gjendja e kërkimit shkencor.

Censusi na dha mundësinë të identifikonim (sipas ndarjes së manualit Fraskati të OECD) plakjen në fusha të caktuara, ndarjen e subjekteve kërkimore sipas gjinive, moshës, shkollimit, gradave shkencore dhe titujve akademik, publikimeve brenda dhe jashtë, pjesëmarrjes në projektet kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare, në konferenca, në borde revistash shkencore, identifikimin e kapaciteteve infrastrukturore dhe logjistike të institucioneve, numrin e bibliotekave, arkivave, etj, etj.

Falë tij, realizuam një radiografi të thellë të sistemit të kërkimit shkencor në vend në nivel burimesh njerëzore dhe materiale, që mundësuan analizën e nevojshme për të treguar dhe matur kapacitetet e kërkimit shkencor në funksion të programimit real dhe efektiv. Në sajë të realizimit të Censusit, u bë e mundur edhe krijimi me pas i Portalit Kombëtar të deklarimit të Kërkimit Shkencor, pranë MAS (Për më tepër mbi, Strategjinë 2017-2022, Censusin dhe Portalin, shih -http:/ /kerkimi- shkencor.arsimi.gov.al/).

Një instrument dixhital, i cili mundëson aksesin me funksione deklaruese, nëpërmjet formularëve të parapërgatitur, për subjektet kërkuese shkencor shtetërore apo private, institucionale apo individuale, me qëllim përditësimin dhe pasqyrimin e gjendjes së tyre të publikimeve dhe angazhimit shkencor, në kohë reale. Këto ditë po punohet që Portali të shndërrohet në ACRIC – Albanian Current Research Information Systemm sipas standardeve e rekomandimeve të EuroCRIS dhe CERIF ( Current European Research Information Framework). Ftoj të gjithë protagonistët e debatit, që përpara së të çimentojnë qëndrimet e tyre mbi argumentin e reformimit të Akademisë së Shkencave (tashmë jashtë çdo afati), të marrin mundimin e të konsultojnë dokumentet e mësipërme në website-in e MAS, në mënyre që ambiciet e tyre protagoniste të jenë koherente me pozicionin që mbajnë në botën akademike shqiptare.

Duku iu kthyer Akademisë dhe reformës së arkitekturës institucionale të kërkimit shkencor, po mundohem të përmbledh një pjesë të ideve e sugjerimeve që janë parashtruar lidhur me reformën e sistemit duke synuar drejt një modeli të përshtatshëm e të përputhshëm me kushtet aktuale, burimet financiare e njerëzore dhe perspektivën e zhvillimit të kërkimit shkencor ne vend. Puna filloi me një anketim drejtuar anëtarëve të Akademisë së Shkencave, lidhur me opinionet që kishin mbi nevojat e reformimit dhe formulën finale ose skemën që duhej përdorur për ngritjen e strukturës se re institucionale. Anketimi u realizua në formë të personalizuar për çdo anëtar që iu përgjigj kërkesës dhe që dorëzoi vlerësimin e tij.

Këtyre të fundit u shtuan edhe vlerësimet që bënë seksionet e Akademisë e që u dorëzuan në MAS. Vlerësimet e vjela rezultuan të pathelluara apo bazuara mbi një analizë reale të shkaqeve që kishin çuar në gjendjen aktuale, të shoqëruara me mungesën e dhënies së një alternative të bazuar. Opinionet e anëtareve të A.Sh rezultuan të ndara, të fragmentuara dhe të paafta për zgjidhje efektive.

Në këto kushte grupit të punës së reformës institucionale iu desh të përgatiste një analizë të variantit që paraqiste përfaqësuesi i Akademisë në grup (Varianti 1 – V.1) dhe të atij të paraqitur nga përfaqësuesi i Komisionit të Ekspertëve për Reformën në Sistemin e Shkencës (Varianti 2 – V.2) i ngritur me Urdhër KM nr. 128, dt. 25.03.2014, për të dalë më pas eventualisht në një vlerësim final ose variant të tretë (Varianti 3 – V.3) sipas nevojës. Nga analiza e V.1, në vlerësimin tim, rezulton se: Shqipëria u përball pas viteve ’90 me një tranzicion të vështirë socio-ekonomik që i preku të gjitha fushat, mes të cilave edhe atë të kërkimit shkencor. Ajo njohu aplikimin e paprecedentë dhe në nivele ekstreme të Terapisë së Schok-ut, dhe sot mbas dy dekadash e gjysmë mund të themi se simptomat e dekadencës, më shumë se në çdo fushë tjetër, janë më se evidente në fushën e kërkimit shkencor dhe të zhvillimit të teknologjisë.

Mungesa e zhvillimeve graduale dhe e një tranzicioni të butë shkaktuan një ndërprerje traumatike të lidhjeve ekzistuese ndërmjet prodhimit dhe kërkimit shkencor në vend. Planifikimi dhe financimi i centralizuar, në të kaluarën (plani 5-vjeçar), bënin të mundur matjen në mënyrë të suksesshme të produktit të kërkimit shkencor dhe alokimin me efikasitet të punës shkencore sipas sektorëve, ndërkohë që mungesa e përshtatjes së kësaj formule me zhvillimet e reja të tregut të lirë, mbi të gjitha për shkak të indiferencës së faktorit politik, shkaktuan ndërprerjen e lidhjes ekzistenciale me prodhimin apo me çdo stimul tjetër të aftë për të mbajtur në këmbë kontributin e kërkimit shkencor dhe zhvillimit apo transferimit të teknologjisë në vend.

Kështu, komuniteti shkencor në mungesë të planifikimit të centralizuar dhe të organizuar në funksion të produktit konkret, humbi peshën dhe rëndësinë e tij duke mbetur në harresë dhe duke njohur një financim gjithnjë e më të kufizuar për shkak të mungesës së produktit konkret, realizimit dhe matjes së tij, deri në mbylljen e një sërë institucionesh e subjektesh kërkimore-shkencore. Kjo mungesë përshtatshmërie dhe rentabiliteti kushtëzuan fillimin e një operacioni të vazhdueshëm bashkimesh, shkrirjesh dhe mbylljesh të institucioneve të kërkimit shkencor, të cilat me eliminimin e tyre linin zbuluar fusha të tëra të kërkimit shkc.

Këto zhvillime kushtëzuan atrofizimin e burimeve materiale dhe njerëzore, të cilat me kalimin e viteve humbën duke mos u rinovuar më. Sikur të mos mjaftonte kjo periudhë u karakterizua edhe nga largimi i një numri jo të vogël shkencëtarësh jashtë vendit për shkak të financimit të paqëndrueshëm e gjithmonë e më shumë në zbritje. Ky ishte trendi deri në 2006, vitin kur u materializua reforma e fundit në këtë sektor dhe që vulosi Terapinë e Schok-ut në kërkimin shkencor shqiptar.

Mbas 10 vitesh nga kjo datë rezulton se propozimi për kthimin e Akademisë së Shkencave në gjendjen e saj të mëparshme (me Institute) është tërësisht i pamundur për shkak të atrofizimit të burimeve materiale dhe njerë- zore, të mungesës së mirëmbajtjes dhe rinovimit të Instituteve të larguara nga Akademia, të cilat me vendosjen pran IAL-ve humbën përfundimisht kapacitetet e tyre të dëmtuara seriozisht deri në atë kohë. Edhe propozimi i kthimit të vetëm të QSA pranë Akademisë është i papranueshëm për shkak të humbjes së profilit multidimensional që një Akademi Shkencash duhet të ketë dhe denatyrimit të saj me një fushë të vetme studimore.

Varianti reformues i Akademisë (V.1) nuk merr në konsideratë dhe nuk i jep zgjidhje situatës së rreth 20 Instituteve, Qendrave dhe Agjencive që janë krijuar nga shkrirja e institucioneve të ndryshme e që janë në vartësi të Ministrive apo që kanë profile të dyfishta mes funksioneve të shërbimit, monitorimit, analizave në fusha të ndryshme dhe kërkimit shkencor. Janë rreth 1200 punonjës me këtë profil që peshojnë në buxhetin e shtetit dhe të cilët (përfshirë Institucionet më sipër) nuk gjejnë asnjë vlerësim në V.1. Ky variant e trajton argumentin e Akademisë në mënyrë të izoluar dhe nuk merr në konsideratë problemin madhor të Reformës Institucionale të Sistemit të kërkimit shkencor në vend.

Po ashtu varianti i dytë (V.2) rezultoi i papërshtatshëm, pasi ky variant i paraqitur nga Komisioni i Ekspertëve për Reformën në Sistemin e Shkencës (2014) ishte marrë paraprakisht në vlerësim nga kabineti i KM më parë dhe ishte vlerësuar si i pamjaftueshëm për të realizuar Reformën, për shkak të mosmarrjes në konsideratë të reformave të ndërmarra nga viti 1990 deri tani. Dokumenti i referohej periudhës 2006-2014. Varianti në fjalë, ashtu si edhe ai i ofruar nga përfaqësuesi i Akademisë, nuk merrte në konsideratë nevojën e reformimit të të gjithë Sistemit të shkencës, por mjaftohej vetëm me trajtimin e problematikave të Akademisë së Shkencave dhe QSA-se.

Në mungesë të një propozimi të bazuar mbi analiza të thelluara dhe realiste GP, duke mbajtur parasysh edhe gjendjen e kërkimit shkencor në vend, si rrjedhojë e rezultancave të Censusit, mori në shqyrtim alternativa të tjera modelesh ekzistuese të administrimit institucional të kërkimit shkencor duke i dedikuar një vë- mendje të veçantë modelit të Komisionit Europian (Varianti 3 – V.3) dhe më saktësisht JRC (Joint Research Center). Kjo sigurisht edhe për shkak të vetë nevojës së përafrimit të politikave në këtë fushë me BE, si rrjedhojë e hapjes së procesit të negocimit për anëtarësimin në BE.

Ky model presupozon krijimin e një Qendre Kombëtare të Kërkimit Shkencor, në vartësi të Ministrisë së Arsimit (në këtë rast Ministria duhet të quhet ndër të tjera edhe e Shkencës) ose të Këshillit të Ministrave dhe krijimin pranë Komisionit të Përhershëm Parlamentar të Arsimit, të një NënKomisioni për Çështjet e Kërkimit Shkencor, Zhvillimit Teknologjik e Inovacionit.

Kjo Qendër, në kushtet tona, parashikohet të ketë në varësi të paktën 3 struktura kryesore. 1) Qendrën e Studimeve Albanologjike e Sociale – QSAS 2) Qendrën e Shkencave Mjedisore e Bujqësore – QSHMBT (që duhet të rimarrë në administrim Institutin e Gjeoshkencave, Mjedisit e Ujit – IGJEUM dhe Institutin e Fizikës Bërthamore, që i kanë kaluar në varësi me reformën e vitit 2006 Universitetit Politeknik dhe ndoshta një pjesë të instituteve që janë në varësi të ministrive të linjës, veçanërisht të Ministrisë së Bujqësisë) 3) Qendrën e Shkencave Inxhinierike Infrastrukturore e ICT (që duhet të ketë në varësi institute si Instituti i Ndërtimit, Instituti i Transportit apo qendra kërkimore për studime, certifikime e hartime projektesh kombëtare infrastrukturore dhe në fushën e ICT).

Qendra do të funksionojë si Institucion përgjegjës për koordinimin e kërkimit shkencor, për të kryer kërkim të mirëfilltë shkencor bazë e aplikativ dhe për t’i ofruar në çdo rast Qeverisë studime, ndihmë shkencore për të gjitha aspektet e veçanta në ndihmë të konkretizimit të politikave publike e zhvillimit social-ekonomik. Qendra parashikohet të drejtohet nga një Bord Drejtues. Ky i fundit do të jetë i aksesueshëm nëpërmjet konkursit publik, sipas kritereve të shpallura nga organi epror.

Akademia e Shkencave mund të parashikohet të jetë pjesë e strukturës me funksione honorifike, këshillimore dhe monitoruese ndaj cilë- sisë së projekteve të financuara (pa pasur fuqi bllokuese) nga strukturat e QKSH për zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë në Shqipëri. Qendra parashikohet të ketë një buxhet të sajin si zë të veçantë në buxhetin e organit epror për zërat runing cost dhe për pjesën tjetër të financojë nëpërmjet granteve të veçanta projektet që Qeveria do të shpallë si prioritete të programit të saj në bashkëpunim me AKKSHI.

Pavarësisht të gjithave, fjala e fundit i mbetet kabinetit të KM, në funksion të politikave afatmesme dhe afatgjata të Qeverisë. Në mbyllje më duhet të shtoj se draft-ligji i shkencës mbas retreat-it të fundit të dt. 8-10 shtator, ndodhet në fazën e tij pothuajse finale, që do t’i lërë vendin hapjes së konsultimit publik me grupet e interesit dhe ministritë e linjës. Uroj që bota akademike t’i dedikojë kësaj pakete vëmendjen e duhur, në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e së shkuarës, për një rimëkëmbje efektive të shkencës shqiptare: borxh që u kemi brezave që do të vijnë.

*Këshilltar i ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura