Akademia e Shkencave: Reforma Fuga dhe antireforma Gjinushi

May 23, 2019 | 10:11
SHPËRNDAJE

DR. ELVIN LUKU

60808127_2048192271958073_2126727621541625856_n

Në debatet aktuale lidhur me Akademinë e Shkencave përballen platforma e grupit të Skënder Gjinushit, e cila përfaqëson Akademinë aktuale të Shkencave, dhe platforma alternative, personale e Artan Fugës. I njohur me këto dy platforma, meqë Ministria e Arsimit i solli në të gjitha universitetet e Shqipërisë për konsultim, po jap disa mendime që, në fakt, i kam ndarë edhe me kolegë të tjerë universitarë. Në parantezë theksoj se deri më tani Ministria e Arsimit, për çudi, rezultatet e këtij konsultimi i mban ndryrë te sirtarët e zyrave të saj.

Duhet evidentuar se nga pikëpamje metodologjike shkencore është e vështirë të krahasohet një projektligj, sikurse është ai i propozuar nga z. Gjinushi me një platformë të prezantuar nga z. Fuga.

Pa rënë në gjykime subjektive, vërehet se prezantimi i “draftligjit Gjinushi” nga grupi i punës në Akademinë e Shkencave tregon se faza e konsultimit publik është një çështje e ezauruar për ta, pavarësisht se ky projektligj në formën e platformës nuk i është prezantuar asnjëherë trupave të gjera pedagogjike për diskutime paraprake.

Në këtë kuadër, vlerësimi mbi dy draftet është zhvilluar sipas një filtri në të paktën nëntë parime themelore pa të cilat asnjë institucion demokratik dhe i pavarur, si Akademia e Shkencave, nuk do të mund të garantonte jetëgjatësi, zhvillim, produktivitet e transparencë.

Këto parime janë:

1. Vizioni i Akademisë së Shkencave;

2. Veprimtaria në kërkimin shkencor;

3. Eficenca e akademikut në kërkimin shkencor;

4. Transparenca dhe “llogaridhënia” e Akademisë;

5. Mekanizmat e kontrollit cilësor të punës shkencore;

6. Rinovimi i elitave brenda Akademisë;

7. Orientimi e ndikimi i kërkimit shkencor në ekonomi;

8. Roli i akademikëve në debatet publike;

9. Raporti i kërkimit shkencor me revolucionin dixhital.

Së pari, ajo që evidentohet menjëherë sapo bie në kontakt me dy propozimet janë dallimet në frymë dhe filozofi. “Draftligji Gjinushi” e koncepton Akademinë e Shkencave sipas një organizimi vertikal, si organin më të lartë të shkencës, funksioni i të cilit është të të mbikëqyrë, vlerësojë, organizojë, nderojë, këshillojë, asistojë, etj., por nuk parashikon që akademikët të jenë të angazhuar full-time në kërkim shkencor. Nga ana tjetër, “Platforma Fuga” bazohet në një filozofi horizontale pune, ku akademiku të jetë kërkues aktiv, madje ka detyrim të jetë i punësuar në një institucion universitar apo agjenci kërkimi shkencor, në rolin e drejtuesit ose pjesëtarit aktiv në grupin kërkimor. Në këtë mënyrë dhe kërkuesit e rinj, përveçse punojnë me metodologji të konsoliduara shkencore, kanë mundësi të përftojnë dhe nga përvoja dhe qasja analitike e cilitdo akademik.

Së dyti, në vijim të këtyre formave të organizimit të punës kërkimore evidentohet edhe një element thelbësor dallues i dy projekteve: Në “draftin Gjinushi” organi më i rëndësishëm i Akademisë së Shkencave është Asambleja, e cila përbëhet nga 30 akademikë të zgjedhur. Por po të analizosh nenin 9, “Të drejtat dhe detyrat e anëtarëve të Asamblesë”, të këtij projektligji vëren se puna kryesore e tyre është: “të zgjedhin…”, “të marrin pjesë…”, “të stimulojnë…”, “të mbledhin informacion…”, “të japin ekspertizë…”, pra një organ burokratik këshillues, dëgjues dhe rekomandues. Nga ana tjetër, “Platforma Fuga”, ofron një alternativë dinamike në kërkim, ku 30 akademikët anëtarë janë të shpërndarë në institucionet universitare e institute, të cilët asistohen edhe nga 100 anëtarë korrespodentë, pjesë e të cilëve janë të gjithë anëtarët që kanë mbushur moshën e pensionit. Pra, ka një ndërthurje të energjisë së intensitetit kërkimor dhe përvojës, duke menaxhuar dhe faktorin moshë në funksion të kërkimit cilësor.

Së treti, po të analizosh fushën e veprimtarisë në “draftin Gjinushi”, ajo rezulton të jetë edhe më pak ambicioze se çdo OJF që operon aktualisht ne Shqipëri. Ka varfëri idesh, nuk parashikohen hulumtime në fusha konkrete, studime, trajnime, metodologji shkencore, etj., Ndërkohë që vërehet një qasje krejtësisht tjetër në platformën konkurrente, e cila ndër të tjera parashikon dhe metoda të matjes së impaktit të punës shkencore në ekonomi dhe tregun e punës.

Së katërti, sikurse vërehet në tabelën e mëposhtme, në “draftligjin Gjinushi”, ndryshe nga sa ndodh në “Platformën Fuga”, nuk parashikohen masa sa i takon mekanizmave të vetëkontrollit mbi cilësinë e kërkimit shkencor; ndikimin e hulumtimeve nga ana e Akademisë së Shkencave në fusha specifike në shoqëri; transparencën në raport me publikun si taksapagues apo dhe rolin e Akademisë në debatet e mëdha publike.

Së pesti, në “Platformën Fuga” është një pikë kryesore rinovimi i elitave. Kërkues të rinj shkencor, me gradën “doktor” e më tej, mund të jenë pjesë e “Njësive Ndihmëse kërkimore dhe shkencore”, pra, të japin kontributin e tyre në Akademi, i cili do të jetë dhe i matshëm përmes raportimeve. Nga ana tjetër, në “Draftin Gjinushi” parashikohet “Akademia e të Rinjve”, një organizëm ekzistues, i cili kufizon kontributet për kërkimin shkencor vetëm brenda 20-vetëve. Pra, ka një lloj burokratizimi të sistemit në baza jomeritokratike. Kërkuesi i ri nuk vlerësohet mbi produktin sipas kontratave të përkohshme, por nëse është apo jo pjesë e “Akademisë së të Rinjve”, me mandat 4-7 vjeçar.

Së gjashti, zhvillimi i teknologjisë dhe informacionit ka revolucionarizuar sot të gjitha fushat e jetës. Madje, trendet në shkollat më të njohura perëndimore po orientohen drejt analizave dhe kërkimeve ndërdisiplinore. Ky trend që ka dekada që po zhvillohet në botë duhet reflektuar edhe në institucionin më të lartë të mendimit dhe kërkimit shkencor, Akademinë e Shkencave. Në këtë pikëpamje e shoh me shumë vend që “Platforma Fuga” është ndërtuar mbi këtë frymë, e cila reflektohet dhe në emrin e ASH-së, në “Akademia e Shkencave dhe e Novacionit Teknologjik e Republikës të Shqipërisë”. Nga ana tjetër, në “Draftin Gjinushi”, nuk reflektohet asnjë ide e këtij ndikimi të vrullshëm teknologjik, as në fushën e veprimtarisë së Akademisë.

Së shtati, një nga problematikat me të cilat përballemi vazhdimisht si kërkues shkencor janë fjalorthi i termave. Kjo “varfëri e gjuhës” përgjegjëse e të cilës është dhe Akademia aktuale, duhet të marrë fund. Shqipja duhet të pasurohet me terminologji të reja të disiplinave të reja, përndryshe brezat e ardhshëm do të vuajnë një lloj “izolimi linguistik” në një botë globale. Mes dy drafteve, një gjë e tillë parashikohet në “Platformën Fuga”, ndonëse personalisht e konsideroj si një nismë të vonuar.

Sa më sipër, mes dy dokumenteve të propozuar, vlerësimi personal për gjithë argumentet e renditur është në favor të “Platformës Fuga”, pasi bart një vizion që do të zhvillojë kërkimin shkencor, ta bëjë atë rentabël, mundëson qarkullimin e elitave si dhe parashikon mekanizma transparence dhe autokontrolli për cilësinë e punës shkencore.

Në vijim do të mund të lexoni filtrin e detajuar të dy dokumenteve sipas nëntë parametrave të sipërcituar:

VIZIONI I AKADEMISË SË SHKENCAVE

DRAFTLIGJI GJINUSHI

1. Akademia është institucioni publik përfaqësues më i lartë i shkencës e i kërkimit shkencor në vend, që vepron përmes një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh.

2. Akademia është institucion autonom në fushën e kërkimit, që e mbështet veprimtarinë e saj në prova shkencore dhe në dobi të vendit.

3. Akademia nxit e udhëheq krijimin e njësive të veçanta të kërkimit, si dhe të hartimit të strategjive të zhvillimit të shkencës e të kërkimit shkencor.

PLATFORMA FUGA

1. Akademia e Shkencave dhe e Novacionit Teknologjik e Republikës të Shqipërisë udhëhiqet nga interesat më të larta kombëtare, nga e vërteta shkencore, si edhe nga parimet e lirisë të mendimit dhe kërkimit shkencor të pavarur, nga fryma e demokracisë në vendimmarrje si edhe nga vlera, si etika e lartë dhe dinjiteti personal dhe institucional.

2. Akademia e Shkencave dhe Novacionit Teknologjik gëzon autonomi financiare dhe administrative në bazë të parimeve themelore që drejtojnë çdo institucion kërkimor-shkencor apo universitar publik.

3. Mobilizon e orienton mendimin e kërkuesve shkencorë, universitarëve, si edhe novatorëve të nivelit të lartë që kontribuojnë në të gjitha fushat dhe sektorët e jetës së vendit, për të konceptuar, propozuar dhe vlerësuar strategjitë e novacionit shkencor, teknik, inxhinierik, etj., si edhe të kërkimit shkencor në nivel kombëtar.

4. Përfaqëson vlerat më të mira të kërkuesve të institucioneve të kërkimit shkencor, të IAL-ëve, si edhe të njësive të zhvillim-kërkimit në agjenci të tjera publike ose private, apo edhe të personaliteteve novatore të nivelit shumë të lartë, në të gjithë sektorët e veprimtarive dhe profesioneve të shkencës dhe teknologjisë në Shqipëri.

5. Nxit reflektimin e komunitetit të kërkuesve shkencorë, intelektualëve, teknicienëve të shquar, që kontribuojnë në të gjitha fushat e jetës profesionale të vendit mbi procesin e kërkimin shkencor, mbi vendin dhe potencialet e shkencës në zhvillimin e shoqërisë shqiptare, mbi burimet dhe drejtimet e energjive krijuese e novatore të kombit në fushat e mësipërme.

6. Nxit, kryen studime dhe ndërmerr ekspertiza të nivelit të lartë mbi gjendjen dhe nivelin shkencor të vendit, duke bërë konstatime, ndërtuar baza të dhënash dhe kryer prognoza afatmesme dhe afatgjata për këtë qëllim.

7. Përkrah fort dhe mbështet zhvillimin dhe rinovimin e metodologjive bashkëkohore, të cilat qëndrojnë në bazë të shkencave humane dhe sociale që studiojnë historinë e kombit shqiptar, identitetin kombëtar shqiptar, vlerat identitare të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat e saj.

8. Jep kontribut të rëndësishëm në përpunimin e parimeve bashkëkohore që drejtojnë kërkimin shkencor dhe zhvillimin e njohurive shkencore dhe arritjeve teknologjike në vend, sidomos në ato fusha që kërkojnë bashkërendim dhe bashkëpunime ndërinstitucionale dhe ndërdisiplinore, sikurse janë etika e shkencës dhe e kërkimit shkencor, ndërdisiplinariteti, statusi social i kërkuesve shkencorë, metodologjitë e reja të kërkimit shkencor dhe të zhvillimit të teknologjisë, etj..

9. Ndërton strategji dhe politika për integrimin në gjuhën shqipe të terminologjive kryesore të shkencës dhe teknikës bashkëkohore, duke dhënë një kontribut të veçantë në pasurimin dhe konsolidimin e gjuhës kombëtare.

10. Mban në vëmendje dhe studion prirjet e reja të zhvillimit të kërkimit shkencor në botë, me qëllim që të përpunojë modele zhvillimi të kërkimit shkencor, shkencës, formimit universitar, të inteligjencës shkencore kombëtare në përputhje me prirjet bashkëkohore, me kushtet dhe mundësitë e vendit.

11. Strukturon një hapësirë të lirë, cilësore dhe të përhershme dialogu midis shkencëtarëve, universitarëve, intelektualëve, novatorëve të nivelit të lartë, vendas dhe të huaj, me shoqërinë civile, më pushtetet publike, me IAL-ët për gjendjen e kërkimit shkencor në Shqipëri, arsimimin dhe edukimin, si edhe rolin e shkencës dhe teknikës në progresin e vendit.

12. Përpunon metodologji bazë për matjen mbi baza shkencore të cilësisë dhe kontributit të kërkimit shkencor në zhvillimin dhe përparimin e vendit.

13. Nxjerr në pah, promovon dhe popullarizon vlerat më të mira dhe rezultatet më të larta të kërkimit shkencor, të figurave të shkencës shqiptare të traditës dhe aktualitetit, të frymëzojë brezat e rinj të kërkuesve shkencorë dhe intelektualëve të vendit për të përqafuar shkencën dhe teknikën dhe arritur rezultate të larta në shkencë.

VEPRIMTARIA NË KËRKIMIN SHKENCOR

DRAFTLIGJI GJINUSHI

1. Organizon kongrese, konferenca e simpoziume shkencore në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.

2. Boton organe periodike dhe vepra të tjera me nivel të lartë ndikimi shkencor.

3. Organizon konkurse kombëtare e ndërkombëtare e të japë çmime, me qëllim promovimin e shkencës dhe të kërkimit shkencor.

4. Kontribuon e promovon arritjet e kërkimit shkencor dhe të propozojë fusha të reja kërkimore e studimore në përputhje me përparësitë e nevojat e zhvillimit të vendit.

5. Këshillon e ndihmon me rekomandime, ekspertiza e oponenca qeverinë e institucione qendrore për aspekte të rëndësishme të kërkimit shkencor, të formimit të specialistëve të lartë e të planifikimit të projekteve të së ardhmes.

6. Bashkëpunon me institucionet analoge jashtë vendit për promovimin e arritjeve e për tërheqjen e projekteve të përbashkëta, për diplomacinë shkencore dhe për të përfaqësuar në shkallë ndërkombëtare komunitetin shkencor shqiptar.

7. Bashkëpunon me institucionet e vendit me kapacitet kërkimi, si institucionet e arsimit të lartë, institutet dhe qendrat e kërkimit, me qëllim koordinimin e kërkimit shkencor dhe përgatitjen e kërkuesve të rinj.

PLATFORMA FUGA

1. Një herë në dy vjet organizon Konferencën Kombëtare të punonjësve shkencorë dhe të fushës të teknologjive të vendit që ka si objektiv themelor përpunimin e vizioneve kolektive për strategjitë afatgjata të zhvillimit të shkencës dhe teknologjive në vend. Përmbledhja e punimeve si rregull botohet në një vëllim të veçantë.

2. Boton revistën e vet periodike në gjuhë shqipe dhe të huaj, kushtuar tematikave të rëndësishme të integrimit të shkencës dhe teknologjive në shoqërinë shqiptare.

3. Shpall çmimet kombëtare për kërkimet dhe shpikjet e zbatimet teknologjike më të mira vjetore.

4. Analizon evoluimin e disiplinave të reja shkencore dhe teknologjive të reja në botë dhe mbështet integrimin e formimit universitar në këto disiplina. Për këtë qëllim, harton dhe shpërndan Raportin e saj dyvjeçar, duke e paraqitur atë në Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe Senatet e IAL-ve.

5. Sipas kërkesës të Këshillit të Ministrave, Ministrisë të Arsimit dhe Sporteve, apo institucioneve të tjera publike ose private kryen ekspertiza shkencore dhe teknike në përputhje me kompetencat dhe misionin e saj, kryen shqyrtime të strategjive dhe mat rezultatet kërkimoreshkencore dhe arritjet teknologjike të instituteve dhe agjencive publike të kërkimit shkencor dhe novacionit teknologjik.

6. Mban lidhje me Akademitë e Shkencave dhe të Teknologjisë së BE-së dhe të vendeve të tjera perëndimore dhe bashkërendon punën dhe veprimtaritë e saj me akademitë e shkencave të vendeve fqinje apo me akademikë të interesuar për shkencat mbi kulturën, historinë dhe identitetin shqiptar.

7. Sipas kërkesave të paraqitura nga Këshilli i Ministrave, Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve ose nga institucione publike apo agjenci private, delegon përfaqësimin e saj institucional tek akademikë që marrin pjesë në komisione, këshilla, borde, gjithmonë sipas misionit të Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik.

8. Organizon veprimtari përkujtimore shkencore kushtuar figurave të mendimit intelektual shqiptar të traditës dhe kujdeset dhe mbështet ruajtjen, mbledhjen dhe botimin e arritjeve të tyre më të mira.

9. Nëpërmjet portalit Web të saj dhe Letrës të Informacionit të përmuajshme i kushton vëmendje mbledhjes, klasifikimit dhe difuzimit të të rejave të shkencës dhe të teknologjisë në botë.

EFICENCA E AKADEMIKUT NË KËRKIMIN SHKENCOR

Draftligji Gjinushi 1. Anëtarët të marrin pjesë aktive në mbledhjet e Asamblesë, të seksioneve e të komisioneve. 2. Anëtarët të luajnë rol aktiv në stimulimin e promovimin e shkencës e të kërkimit shkencor në institucionet ku punojnë a në fushën përkatëse. 3. Anëtarët të zbatojnë detyrat e marra nga Asambleja, Kryesia, Kryetari, kryetarët e seksioneve a komisioni përkatës.

4. Anëtarët të marrin pjesë aktive në kongreset, konferencat e veprimtaritë zyrtare të Akademisë e të organeve të saj.

5. Anëtarët të kërkojnë e të marrin informacion për punën shkencore, planet e programet e përgatitura nga institucionet e arsimit të lartë dhe nga institucionet kërkimore për fushën që mbulojnë.

6. Anëtarët të japin ekspertizë e këshillime për institucionet shtetërore e ato publike të shkencës e të arsimit.

7. Anëtarët të marrin pjesë në senatet akademike e në këshillat e profesorëve të institucioneve publike të arsimit të lartë a në institute ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre, a e kanë ushtruar për një kohë të gjatë në një prej tyre si anëtarë ex officio.

8. Të marrin pjesë në njësitë a grupet e punës për studimin, hartimin a kërkimin në fusha të caktuara.

PLATFORMA FUGA

1. “Anëtari i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik” duhet që: Të jetë i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme pune në një institucion apo agjenci kërkimi shkencor, institucion arsimor universitar, agjenci prodhimi vlerash kulturore dhe shkencore të njohur me status ligjor e administrativ, brenda ose jashtë vendit, ose në një qendër të rëndësishme novacioni teknologjik të nivelit shumë të lartë. Këtu mund të bëjnë përjashtim vetëm dy anëtarët e Kryesisë që janë të punësuar me kohë të plotë pune në Akademi.

2. Të jetë drejtues ose pjesëtar aktiv i një grupi kërkimor dhe shkencor, ose i një ekipi novacioni teknologjik, i angazhuar në një projekt kërkimor ose projekt teknologjik i njohur dhe aprovuar si pjesë përbërëse e programin të veprimtarive të institucionit shkencor dhe arsimor ku është punësuar.

3. Të raportojë në Akademinë e Shkencave dhe të Novacionit Teknologjik rezultatet vjetore të punës të tij kërkimore dhe shkencore ose arritjet e tij në avancimin teknologjik, si edhe të paraqesë botime të rezultateve të punës të tij, duke e shoqëruar këtë raportim me ekspertizën zyrtare të ardhur nga institucioni ose agjencia ku ai është angazhuar për ta kryer këtë kërkim shkencor.

4. Të plotësojë të gjitha detyrimet në kuadrin e veprimtarive vjetore individuale dhe kolektive të çdo anëtari të Asamblesë, në bashkëpunim me njësinë ndihmëse kërkimore dhe shkencore. Këto objektiva parashikohen për çdo “Anëtar të Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”, pas aprovimit nga Asambleja e Akademisë së Shkencave dhe Novacionit Teknologjik.

5. Të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e përgjithshme të Asamblesë dhe të komisioneve të saj, si edhe në votimet përkatëse. Mungesat në to mund të arsyetohen për çdo rast vetëm për shkaqe objektive ose angazhime shumë të veçanta profesionale.

6. “Anëtari i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”, sikurse edhe “Akademikët e Nderit” dhe “Akademikët Korrespondentë” kanë të drejtë të marrin pjesë aktive në veprimtarinë dhe funksionimin e institucionit sipas përcaktimeve të këtij ligji. Ata mund të angazhohen përkohësisht edhe në projekte të ndryshme shkencore sipas nevojave, por gjithmonë dhe vetëm brenda misionit dhe objektivave që ky ligj i ngarkon Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik.

7. Për punën kërkimore dhe shkencore të kryer, nëse ajo mbështetet në projekte të financuara nga agjenci të ndryshme vendase ose të huaja, nga buxheti publik ose nga vetë Akademia, pjesëmarrësit mund të shpërblehen në mënyrë specifike sipas ligjeve në fuqi, kontributit sasior dhe cilësor në arritjen e rezultateve dhe sipas një shpërndarjeje të drejtë dhe të ekuilibruar të masës financiare të përftuar.

8. Anëtari mund të integrohet në ekipet e kërkimit shkencor sipas nevojave dhe në bazë të profileve të tyre shkencore edhe pedagogë e punonjës shkencorë që kanë titullin “Profesor”, pavarësisht nëse janë ose jo akademikë.

TRANSPARENCA DHE “LLOGARIDHËNIA” E AKADEMISË

DRAFTLIGJI GJINUSHI

1. Akademia përgatit raportin vjetor dhe ia përcjell Këshillit të Ministrave e Ministrisë përgjegjëse për Shkencën dhe Komisionit Parlamentar përkatës.

PLATFORMA FUGA

1. Përpilon Raportin Vjetor mbi gjendjen e kërkimit shkencor dhe novacionit teknologjik kombëtar. Ky raport i paraqitet Këshillit të Ministrave të Republikës të Shqipërisë. Si rregull ai bëhet publik.

2. Boton Raportin vjetor të veprimtarive të saj dhe e paraqet atë në Këshillin e Ministrave. Ky Raport Vjetor jepet për vlerësim ekspertëve të jashtëm.

MEKANIZMAT E KONTROLLIT CILËSOR TË PUNËS SHKENCORE

DRAFTLIGJI GJINUSHI

Nuk ka të dhëna

PLATFORMA FUGA

1. “Anëtari i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik” në mbarim të çdo viti kalendarik të vërtetojë zyrtarisht dhe në mënyrë bindëse se i ka përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme të veprimtarive vjetore dhe të statusit të tij profesional. Në rast të kundërt, atij i lihet edhe një vit kohë për të plotësuar detyrimet e prapambetura ose të normalizojë statusin e tij profesional sipas kritereve të të qenurit “Anëtar i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”. Në të kundërt, ai e humbet automatikisht këtë status dhe vendi në Asamble rishpallet vakant. Respektimi i kësaj procedure është detyrë e Kryesisë të Akademisë.

2. Përpilon dhe boton raportin shkencor dyvjetor mbi përvojat metodologjike, deontologjike dhe institucionale që burojnë nga veprimtaria shkencore dhe në fushën e novacionit teknologjik të “Anëtarëve të Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik” në qendrat, agjencitë dhe institutet ku ata janë integruar. Fushat prioritare të interesimit akademik në këtë kuadër janë: Interdisplinariteti i kërkimit shkencor dhe formimit universitar, etika e shkencës, kërkimi shkencor online, teknologjitë e reja të informimit dhe komunikimit, përpunimi i bazave të big datave, nanoteknologjia, etj..

3. Merr në analizë krahasuese gjendjen statutore dhe socioprofesionale të kërkuesve mësimorë dhe shkencorë si edhe të punonjësve në institutet apo agjencitë e novacionit teknologjik dhe paraqit një Raport dyvjeçar për këtë qëllim në Këshillin e Ministrave.

RINOVIMI I ELITAVE BRENDA AKADEMISË

DRAFTLIGJI GJINUSHI

1. Kryesia zgjidhet çdo 4 vjet, përveç Sekretarit Shkencor që zgjidhet çdo 5 vjet; të gjithë me të drejtë rizgjedhjeje deri në dy mandate.

2. Për të inkurajuar drejtpërsëdrejti veprimtarinë kërkimore shkencore të kërkuesve të rinj dhe për vendosjen e një ure komunikimi e promovimi me ta, funksionon Akademia e të Rinjve, si organ këshillues e bashkëpunues pranë Akademisë. Akademia e të Rinjve ka deri në 20 anëtarë, të zgjedhur nga radhët e kërkuesve të rinj me gradën “doktor”. Mandati si anëtar është 4-7 vjet dhe ndërpritet në moshën 42 vjeç.

3. Anëtarët e Akademisë së të Rinjve përfshihen në komisionet e Akademisë, marrin pjesë në mbledhjet e seksioneve, si dhe një përfaqësi e tyre prej 3-4 vetash, marrin pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë, ku miratohet raporti, plani vjetor e projektbuxheti.

PLATFORMA FUGA

1. Kryetari, zëvendëskryetari dhe anëtarët e kryesisë kanë mandat për 4 vjet, të parinovueshëm me një mandat të dytë në vazhdimësi me të parin.

2. Njësia Ndihmëse Kërkimore dhe Shkencore mbështet me kërkim shkencor të gjitha veprimtaritë e Asamblesë të Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik dhe funksionimin e saj me karakter shkencor, që kryhen në përputhje me realizimin e misionit dhe objektivave të saj. Ajo është e struktura: a. Qendra e informacionit dhe e dokumentacionit; b. Observatori i kërkimit shkencor dhe novacionit teknologjik; c. Agjencia e projekteve dhe e bashkëpunimit ndërkombëtar; d. Laboratori i ekspertizës shkencore dhe i bashkëpunimit ndërinstitucional. Njësia Ndihmëse kërkimore dhe shkencore ka në përbërjen e saj një numër të kufizuar kërkuesish shkencorë. Ajo vepron si një e tërë, sipas detyrave që i ngarkohen nga Kryesia. Punonjësit që bëjnë pjesë në Njësinë Ndihmëse kërkimore dhe shkencore duhet të kenë së paku gradën “doktor” dhe si rregull të jenë me profil shkencor nga fushat që mbulojnë objektivat dhe misionin e Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik. Ata punësohen me kontrata pune të përkohshme, të vlefshme për jo më shumë se katër vjet, të rinovueshme sipas vlerësimit të punës të kryer dhe nevojave të institucionit. Për Drejtuesin e Njësisë hapet një vend pune për një punonjës me titull shkencor.

3. Vlerësimi shkencor i veprimtarive dhe rezultateve të Njësisë Ndihmëse kërkimore dhe shkencore bëhet një herë në vit nga ana e Kryesisë të Akademisë. Në këtë kuadër, Kryesia bazohet në grupe ekspertësh të jashtëm.

4. Njësia Ndihmëse Kërkimore dhe Shkencore për realizimin e objektivave dhe detyrave të saj mund të krijojë grupe kërkimi shkencor të përkohshëm me përbërje edhe të ekspertëve dhe kërkuesve shkencorë të jashtëm, si edhe me “Anëtarë të Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”, “Akademikë Nderi”, “Akademikë Korrespondentë”, si edhe “Akademikë” në pension.

5. Në projektet kërkimore dhe shkencore që kryen Njësia Ndihmëse Kërkimore dhe Shkencore mund të integrohen sipas dëshirës të tyre dhe sipas nevojave të shprehura nga Kryesia e Akademisë dhe punonjës shkencorë si edhe pedagogë që nuk janë akademikë, por kanë titull shkencor. Përbërja, detyrat, kalendari i punës dhe forma e produktit të realizuar aprovohen nga Kryesia e Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik.

6. Punonjësit e njêsisë Ndihmëse kërkimore dhe shkencore me vendim të Kryesisë të Akademisë mbulojnë edhe detyrat e asistencës të Komisioneve të Asamblesë.

7. “Anëtari i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik” e ruan këtë status si rregull derisa mbush moshën e rregullt të pensionit si “profesor” ose “drejtues shkencor”. Sipas kërkesës së tij drejtuar Kryetarit të Akademisë dhe duke paraqitur një projekt të hollësishëm veprimtarish kërkimore dhe shkencore ose në fushën e novacionit teknologjik të nivelit shumë të lartë, ai mund të vazhdojë automatikisht të mbetet “Anëtar i Akademisë të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”, me të njëjtin status si më parë, por në çdo rast jo përtej moshës 70 vjeç. Përtej këtij afati, ai merr statusin “Akademik Korrespondent”, duke gëzuar të gjitha të drejtat që parashikon ky ligj dhe trajtohet financiarisht sipas kritereve në fuqi të Sigurimeve Shoqërore.

8. “Anëtari i Akademisë së Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”, në mbarim të çdo viti kalendarik, të vërteton zyrtarisht dhe në mënyrë bindëse se i ka përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme të veprimtarive vjetore dhe të statusit të tij profesional. Në rast të kundërt, atij i lihet edhe një vit kohë për të plotësuar detyrimet e prapambetura ose të normalizojë statusin e tij profesional sipas kritereve të të qenurit “Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Novacionit Teknologjik”. Në të kundërt, ai e humbet automatikisht këtë status dhe vendi në Asamble rishpallet vakant. Respektimi i kësaj procedure është detyrë e Kryesisë të Akademisë.

ORIENTIMI DHE NDIKIMI I KËRKIMIT SHKENCOR NË SHOQËRI

DRAFTLIGJI GJINUSHI

Nuk ka të dhëna

PLATFORMA FUGA

1. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve shqyrton dhe orienton fushat kërkimore prioritare për kërkimin shkencor doktoral dhe analizon arritjet dhe problematikat e kërkimit shkencor doktoral mbaruniversitar. Rezultatet dhe propozimet paraqiten në një raport dyvjetor, i cili u paraqitet Ministrisë të Arsimit dhe të gjitha shkollave doktorale të universiteteve shqiptare.

2. Organizon nëpërmjet Komisioneve të Asamblesë konferenca shkencore dhe qytetare të përmuajshme lidhur me marrëdhëniet e shkencës dhe teknologjisë me shoqërinë, demokracinë, nivelit kulturor të kombit, etj. 3. Mat gjendjen e opinionit shoqëror kombëtar lidhur me impaktin e shkencës dhe teknologjisë në jetën e përditshme të qytetarëve. Të dhënat e sondazheve botohen në mënyrë të përvitshme.

ROLI I AKADEMIKËVE NË DEBATET PUBLIKE

DRAFTLIGJI GJINUSHI

Nuk ka të dhëna

PLATFORMA FUGA 1. Akademia e Shkencave Novacionit dhe Teknologjisë shprehet nëpërmjet deklaratave për shtyp ose në forma të tjera për aspekte shkencore dhe teknologjike që lidhen me kriza ose ngjarje madhore, që kërkojnë menaxhim adekuat.

RAPORTI I KËRKIMIT ME REVOLUCIONIN DIXHITAL

DRAFTLIGJI GJINUSHI

Nuk ka të dhëna

PLATFORMA FUGA

1. Ndryshon emrin nga Akademi e Shkencave në Akademi të Shkencave dhe Novacionit Teknologjik të Republikës të Shqipërisë, e cila përfaqëson një institucion publik, që vepron në fushën e kërkimit shkencor dhe zhvillimit teknologjik. Ajo bazohet në traditat më të mira të ish-Akademisë të Shkencave dhe vjen si kërkesë e nevojave të reja të vendit në kushtet e integrimeve europiane dhe të progresit shoqëror, teknik e shkencor kombëtar, rajonal e global.

2. Kujdeset për pasurimin e gjuhës shqipe me terminologjinë shkencore dhe teknologjike bashkëkohore. Për këtë qëllim organizon një simpozium vjetor kombëtar.

*Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, Fakulteti i Shkencave Juridike-Politike, Departamenti i Shkencave Politike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura