ANILA DEDAJ/ Stadiumin “Qemal Stafa”, dikur Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, para transformimit dhe heqjes së statusit, Kryeministri Rama e konsideroi “një monument vulgariteti, degradimi e pisllëku”.
Me epitete të ngjashme ai sot flet për Teatrin Kombëtar, duke e quajtur “stallë” apo “gërmadhë” , por, me sa duket, specialistët nuk pajtohen me të.
Akademiku Emin Riza, studiues i monumenteve dhe një nga emrat më në zë të restaurimit, tregon se nismat që bëjnë të mundur heqjen e statusit të mbrojtjes së monumenteve apo zonave të caktuara janë tërësisht antikulturore dhe duhen ndalur, pasi Tiranës po i shkaktohen dëme të parikuperueshme. Kur e pyesim nëse një ditë dikush do të përgjigjet për të gjitha këto ndryshime, qoftë nga Instituti i Monumenteve, Ministria e Kulturës apo qeveria, ai thotë: “Ndoshta, normalisht ata duhet të mbajnë përgjegjësi, por s’di sa vlerë do të ketë… Tirana nuk kthehet më. Nuk zhbëhet ky shkatërrim dhe e keqja është se të gjithë e dinë se bëhet fjalë për vlera të paprekshme, por sundon lakmia për të mbushur xhepin”.
Pikërisht për të ruajtur vlerat e mbetura historiko-kulturore të kryeqytetit, Riza, si specialist i trashëgimisë prej afro 6 dekadash, thotë se Teatri Kombëtar duhet të shpallet Monument i Kategorisë së Dytë. “Sot Tirana me të ka një dëshmi të teatrit të parë të qytetit. Ndërsa, nëse në vend të tij ndërtohet një tjetër godinë, sado moderne, do të jetë një teatër i 2020- ës”, thotë akademiku.
Zoti Riza, stadiumit “Qemal Stafa” 4 vite më parë iu hoq statusi Monument Kulture, ndërkohë në 2017-ën Teatri u përjashtua nga harta e qendrës historike. Të njëjtin fat rrezikon të ketë edhe Instituti i Arteve, që sot e gëzon ende këtë status. Si ju duken iniciativa të tilla?
Mendoj se këto janë ndërmarrje absolutisht antikulturore. Një shtet që pretendon të funksionojë në mënyrë të rregullt, duhet të kuptojë se në çdo fushë, duhen dëgjuar specialistët. A pretendohet se sot ke një Institut Monumentesh, të themeluar prej 54 vitesh? A pretendohet se ka në këtë institucion ende specialistë? Dikur ai institucion ka pasur kritere të larta për sa i përket vendimmarrjes, restaurimit apo shkallës së ndërhyrjes në monumente.
Për sa u përket monumenteve dhe objekteve që duhen shpallur si të tilla prej vlerave që mbartin, mendoni se Teatri Kombëtar duhet përfshirë në këtë listë?
Mendoj se Teatri duhet shpallur Monument i Kategorisë së Dytë. I kam dëgjuar termat nënçmues ndaj godinës, por dua të theksoj se një godinë shpallet Monument, në radhë të parë si përfaqësuese e një periudhe të caktuar, për sa i përket zhvillimit shoqëror dhe ndërtimor, pa përjashtuar realizimet e bukura arkitektonike. Pra, në rastin e Teatrit kemi të bëjmë me një arkitekturë normale, por më tepër trajtimin arkitekturor të objektit e përcakton funksioni. Për shembull, Teatri Kombëtar ka qenë teatri i parë i Tiranës dhe këtu qëndron rëndësia thelbësore e tij, aty janë rritur dhe formuar afro 4-5 breza artistësh. Kështu që, të prishësh atë godinë, pjesë e një kompleksi prej 80 vitesh, për mua është një sabotazh, për më tepër kur kujton qëllimin: shkatërrimin e këtij teatri për të bërë kulla.
Pra,edhe objekte që nuk kanë vlera specifike arkitekturore, mund të shpallen Monumente?
Sigurisht, Monumente përcaktohen ndërtimet që kanë vlera të veçanta historiko-kulturore. Një rast konkret është ai i shtëpisë ku është zhvilluar Kongresi i Lushnjës në 1920-ën. Kjo shtëpi është Monument Kulture dhe është rikonstruktuar. Po kështu, edhe për raste të tjera si shtëpia e Fan Nolit, për të cilat pavarësisht nëse kanë apo jo vlera arkitektonike, duhet pasur parasysh ndikimi historik i poliedrikut që ka jetuar aty dhe duhen restauruar. Kështu, Teatri Kombëtar është teatri i parë në Tiranë. Nëse bëjmë një të ri, ai objekt do t’i përkasë 2020-ës e Tirana mbetet pa godinën e parë të artit e kulturës. Kjo është skandaloze!
Raporti i Institutit të Ndërtimit thotë se duhet ndërhyrë në 90% të kësaj godine. Ju mendoni se do të jetë e nevojshme që të shembet dhe për t’i dhënë përsëri këtë fytyrë që ka?
Për sa i përket raportit të specialistëve e drejtuesve të këtij Instituti, mund të them vetëm se ata janë ustallarë të ustallarëve të mëdhenj. Ndërsa shembjen apo “ribërjen” e Teatrit unë e përjashtoj, pasi aty mjafton të bëhen ndërhyrjet e duhura konservuese dhe restauruese. Le të thërrasin restauratorë të pavarur dhe jo nëpunës shteti.
Jemi në një situatë ku specialistët kanë vënë alarmin për një cenim të mundshëm edhe të Institutit të Arteve, sot Monument Kulture. Stadiumi “Qemal Stafa” iu dorëzua rrethimit të kullave. Mendoni se për një transformim të tillë Instituti i Monumenteve duhet të mbajë një lloj përgjegjësie?
Mendoj se është e domosdoshme që ky institucion që ka bërë kërkesën te Ministria e Kulturës për shpalljen e këtyre objekteve Monumente të mbajë një qëndrim, duke menduar për trashëgiminë e vendit. Por, kjo lidhet edhe me prestigjin intelektual e njerëzor të drejtuesve të këtyre institucioneve. Gani Strazimiri kishte vendosur një rregull të pashkruar, që drejtori i Institutit të Monumenteve duhet të dalë nga bashkësia e punonjësve të Institutit, diçka e tillë vitet e fundit nuk është marrë parasysh. Mandej ka edhe diçka tjetër, unë kam punuar prej ’62-shit me monumentet dhe nuk ka pasur ndërhyrje të jashtme për të na thënë se ç’duhej bërë, përjashto raste të rralla të monumenteve me karakter historik, të cilat nuk i caktonte Instituti i Monumenteve, por Ministria e Kulturës.
Është ndërhyrja e drejtuesve të lartë një nga arsyet që ju dhatë dorëheqjen nga Këshilli i Restaurimeve në 2016-ën?
Ndodh një fenomen i çuditshëm në vendin tonë, kur dikush shpallet ministër, prej ditës që ngjitet në karrige, nis e i di të gjitha. Im atë (albanologu Selman Riza) ka pasë bërë një artikull të titulluar “Diletantizmi dhe zanati”. Edhe me ministren e Kulturës asokohe ndodhi diçka e ngjashme. Pra, të tillë individë janë diletantë. Prandaj, drejtuesit duhet jenë afërsisht të asaj fushe për të cilën përzgjidhen ose së paku në rastin e ministrave të mbajnë pranë vetes specialistë të fushave të ndryshme, për t’i dëgjuar e jo urdhëruar.
Gjatë sistemit totalitar, ndodhte asokohe një fenomen i tillë?
Im atë, Selman Riza, ka qenë i dënuar nga ai sistem. Edhe nëse unë kam vijuar punën në Institut, ka qenë falë mbrojtjes së Gani Strazimirit, i cili ka shkuar deri te zëvendëskryeministri, që ndaj meje të mos merreshin masa. E pavarësisht këtyre, unë sot ju them me bindje se asokohe profesionistët dëgjoheshin. Po ju tregoj një rast konkret, atë të Korçës në vitet e para ’80. Asokohe Pazari i Korçës ishte deri në qendër, madje aty kalonte edhe lumi. Mirëpo nisën t’i prishnin dhe kishte mbetur pjesa që është edhe sot. Gjatë vizitës së Enver Hoxhës në këtë periudhë në Korçë për të parë ndërhyrjet nga afër, kryetari i Bashkisë asokohe, duke e shoqëruar, i thotë: “Do ta prishim edhe këtë pjesë e këtu do të bëjmë disa pallate”. Enveri mandej iu përgjigj: “Gani Strazimirin e keni pyetur ju?” Menjëherë pas këtij takimi lidhen me Ganiun, i cili ma delegoi mua këtë detyrë. Unë shkova të nesërmen në Korçë dhe e pashë, u sensibilizova dhe thashë se ajo zonë ka vlera. Mandej nisën edhe kolegë të tjerë, fotografë, skicografë e ndenja për dy javë derisa bëra bonifikimin e Korçës dhe përcaktimin e Monumenteve të Kategorisë së Parë. Kështu shpëtoi Korça. Nëse nuk do të ishim pyetur e nuk do të ishim sensibilizuar, do të kishin shkatërruar edhe të tjera vlera.
PANORAMA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al