Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka folur në Komisionin e Etikës për kërkesën e socialistëve për të përjashtuar 8 deputetë të PD me argumentin se bllokuan foltoren në seancën e shkuar parlamentare.
Vokshi u shpreh se edhe Enver Hoxha do e kishte zili mbledhjen me dyer të mbyllura që po zhvillohet sot për të marrë vendimin për deputetët.
“Nuk jemi këtu në kohën e Enver Hoxhës. Edhe Enveri do e kishte zili këtë që po bëni ju me dyer të mbyllura. Vetëm pushkatimi ka mbetur. Nuk ka një nen rregullore që të bëhet mbledhja me dyer të mbyllura. Për çfarë do na dëno ju sot se kërkojmë të flasim?
Kjo mbledhje është një turp. Ju urdhër Edi Rama dhe ju vini këtu me urdhër të tij. Përjashtimi i deputetëve të opozitës është një akt i rëndë i parlamentarizmit. Akt i rëndë për pluralizmin në Shqipëri. Është putinizëm. Është akt i rëndë dhe i turpshëm. I bëj thirrje të gjithë ambasadorëve të ndjekin këtë seancë ku po kërkoni të dënoni opozitën.
I bëj thirrje ta shikojnë këtë seancë dënimi për opozitën. Turp edhe për ju që po e organizoni. Përjashtimi është atentat ndaj kushtetutës, është dhunë politike që çon në destabilizim politik. Ne parlamentin nuk e lëshojmë. Do jemi aty përditë, pavarësisht përpjekjevet tuaja”, tha ajo.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al