Aktivistja për të drejtat e grave, kosovarja Shqipe Malushi: Sfida me kancerin, harrova të vdes për të ndihmuar të tjerët

Oct 20, 2014 | 15:03
SHPËRNDAJE

Një grua thellësisht energjike, me një histori jo të zakonshme. Shqipe Malushi është një prej atyre grave prej të cilave ke çfarë të mësosh. Aktiviste e të drejtave të grave, drejtoreshë ekzekutive e Organizatës së Grave Shqiptare-Amerikane, “Motrat Qiriazi”, botuese, shkrimtare etj., Shqipe Malushi u ka ardhur në ndihmë grave të refugjatëve dhe ka mundësuar që ato të integrohen në kulturën dhe mënyrën e jetesës amerikane. Themeluese dhe redaktore e gazetës “Shpresa”, që u botua gjatë konfliktit të Kosovës, ajo ka afruar këshillim psiko-social për refugjatët në kampe të Shqipërisë dhe është promovuar ndërkombëtarisht me librat e saj me poezi si “Për ty” dhe “Dhurata e Profetëve”. Ajo punon në ndërtimin e paqes dhe forcimin e lidhjeve në Afganistan, Liban, Indi, Kosovë, Shqipëri dhe Amerikë. Në këtë intervistë për “Unë gruaja”, Malushi rrëfen jetën e vet, si një shembull frymëzimi për të gjitha gratë…

Një vajzë e rritur në Kosovë, e cila që kur ishte ende adoleshente tentoi të gjente rrugën e vet drejt lirisë. Si i kujtoni ato vite?
Ah, liria ishte e pakontestueshme për mua. Nuk kuptoja përse unë si vajzë nuk mund të kisha liri. Nuk e pranoja këtë koncept. Unë shikoja filmin “Pippi Longstoking” (Pipi Çorapegjata) dhe e adhuroja Pipin, sepse ajo i thyente të gjitha rregullat dhe gjithnjë dilte fituese. Prandaj, unë isha betuar se do të bëhesha si Pipi dhe kurrë nuk do të dorëzohesha.
Kur provuat për herë të parë të fitonit lirinë?
Kur isha 14 vjeçe vendosa të iki nga shtëpia për të shkuar te këngëtari Tom Jones, sepse pata lexuar në një revistë se donte të ndihmonte jetimët e talentuar. Unë e konsideroja veten jetime dhe të talentuar. Pra, i mora 5000 marka nga arka e gjyshit dhe vodha pasaportën e mamit, që kishte vizë daljeje për në Stamboll e mora një taksi me qira dhe u maskova si nëna në foto, duke futur një jastëk nën fiston që të dukesha shtatzënë. Kështu kalova tre kufij, të ish-Jugosllavisë, Bullgarisë dhe mbërrita në Turqi. Pasi tërë familja zbuloi ikjen time, Interpoli më kërkonte dhe në fund, pas një muaji më zunë dhe më kthyen në shtëpi.
Ëndërroja të ikja në Londër, të bëhesha aktore. Doja të bëhesha dikushi dhe t’i tregoja familjes sime, që edhe unë si femër do ngrihesha në nivelin e tyre, sepse ata ishin një familje me shumë famë. Unë isha stërmbesa e Haxhi Zekës, gjyshi im ishte i biri i vajzës së tij, prandaj familja e mbante emrin e lartë. Kurse unë, një vajzë e mitur, tani e njollosa këtë emër me këtë gjest. Kur më kthyen në Kosovë nuk mund ta paramendoja jetën më tutje. E dija se isha e vdekur. Por kur u ktheva, ata nuk më vranë dhe unë nuk vdiqa. I gjithë qyteti më dënoi me gjashtë muaj heshtje. Askush nuk më fliste. Unë ecja në qytet dhe shkoja në shkollë si një hije. As profesorët nuk më aktivizonin me pyetjet e tyre, edhe pse të shumtën e rasteve unë isha e vetmja nxënëse që i dija përgjigjet. Dhe në moshën 15-vjeçare më hoqën nga shkolla dhe më mbyllën në shtëpi (arrest shtëpiak). Në fillim të moshës 16-vjeçare tentova vetëvrasje, por më shpëtuan. Ky vit i mbyllur, më bëri të hyj në botën e imagjinatës. Dhe në moshën 17-vjeçare, fillova të botoj poezi dhe fitova një çmim për poeten më të re. Pastaj, familja më liroi dhe më lejoi të vazhdoj shkollën, të cilën e kreva për një vit dhe ika me studime, për të mos u kthyer kurrë më.
Si u larguat për në SHBA?
SHBA e kam pasur ëndërr që nga mosha 7-vjeçare, jo pse e kam ditur çka ishte SHBA, por sepse për herë të parë kam parë Miki Mausin në televizor. Aty në TV pashë një jetë të bukur në filma që ishte SHBA-të. Dhe si fëmijë doja të hyja në TV. Por kjo ëndërr nuk u realizua deri në moshën 25-vjeçare, pasi kreva studimet e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, në Fakultetin Filologjik në Beograd. Kështu shkova në SHBA si ndërrim studentësh, me vendimin për të mos u kthyer kurrë më. Por SHBA-ja nuk ishte në realitet piktura që kisha parë në TV si fëmijë. Ajo ishte më e vështirë, më e vrazhdë dhe aty u desh të luftoj me të gjitha aftësitë e mia, që të ruaj identitetin shqiptar dhe atë të familjes sime. Në SHBA mësova rëndësinë e familjes sime dhe të kombit tim.
Një përvojë jo e vogël mbi supe dhe zgjedhje personale që ju kanë çuar në vende të ndryshme. Ndërkohë në jetën personale keni vendosur që të mos martoheni e të mos keni fëmijë. Është një zgjedhje e bërë prej jush me vetëdije, por a keni menduar ndonjëherë se mbase mund të ishte mirë të kishit vepruar dhe ndryshe?
Si fëmijë shikoja nënën time të re, të veshur në të zeza e mbetur e ve dhe mendoja: Përse njeriu martohet, vetëm të mbetet vetëm?!
Pastaj, rreth meje ishin vetëm shembuj jo të mirë të martesave. Të gjithë ankoheshin për burrat, gratë e humbnin lirinë dhe mua kjo nuk më gëzonte. Si fëmijë u betova se askush në botë nuk do të ma cenonte lirinë. Dhe vendosa se kurrë nuk do të martohesha, vetëm të mos pyetja askënd: “A muj me dalë?”, “A ta bëj këtë apo atë?”.. Vendosa të bëhem e pavarur dhe të jem unë ajo që vendos për çdo gjë për jetën time. Dhe besoni, sa herë vija në shtëpi në SHBA dhe vendosja çelësin në derë e hapja derën, unë thosha: “O Zot, faleminderit që jam vetë e zonja e vetes”. Nuk doja të kisha fëmijë, sepse e dija që po të kisha, nuk do të mundja të arrija ëndrrat e mia, sepse nuk doja që t’i jepja 50% fëmijëve. Por kam rritur disa fëmijë, kështu që nuk kam shpëtuar pa obligime. Kam rritur tre fëmijë nga SHBA, një vajzë të vogël nga Shqipëria, një nga Kosova, një nga Afganistani dhe një nga India. Të gjithë këta fëmijë kishin nevojë për përkrahje, dashuri dhe udhëzime dhe unë në rolin e nënës mora përgjegjësinë të jem shtyllë për ta deri në pavarësinë e tyre. Për momentin, të gjithë janë pavarësuar, përveç fëmijës në Afganistan që është në klasën e 8-të fillore. Pra, sikur të jetoja përsëri, prapë do të bëja të njëjtën gjë. “Nuk i kam ra pishmanit”.
Keni bërë 18 operacione, jeni përballur me kurajë me sëmundjen e kancerit dhe keni qëndruar e paralizuar në karrocë për t’u ngritur përsëri… Ç’mund të rrëfeni mbi këtë përvojë jetësore e çfarë do t’u thoshit të gjithë atyre grave që sot vuajnë për një arsye a tjetër?
Shëndeti ishte sfida dhe lufta ime më e madhe. Ishte me veten dhe trupin tim. Si fëmijë, gjithmonë kam qenë e dobët dhe sëmuresha shumë lehtë. Nuk doja të haja dhe isha shumë e ndjeshme. Kur shkova në SHBA pas një viti, më shtypi makina duke kaluar rrugën dhe më la në komë për katër orë dhe të paralizuar për një kohë. Këmba ime e majtë kishte mbaruar, nuk kishte ndjesi dhe ishte dëmtuar. Ndenja në spital një vit e gjysmë, duke u munduar të mos i pranoja vlerësimet e mjekëve, që thoshin se nuk do të ecja dhe duhej që të pajtohesha me këtë gjendje. Por unë nuk u pajtova dhe luftoja me çdo gjë dhe i lutesha Zotit, që po të m’i kthente këmbët, do t’i shërbeja atij gjithë jetën. Dhe kështu, operacion pas operacioni, pas një viti e gjysmë, u ula në karrocë dhe m’u deshën edhe gjashtë vite të tjera të ecja përsëri pa shkopinj. Ishin vite shumë të gjata. Shpesh bija në depresion dhe e humbisja fuqinë, por kisha besim në Zot dhe shumë miq të mirë që më bënin të qeshja dhe të harroja, se isha duke luftuar pamundësinë. Dhe kur u shërova fillova t’i shërbej komunitetit tonë shqiptar me vite të tëra. Gjatë luftës në Kosovë erdha në Shqipëri të punoj me refugjatët. Meqenëse punoja nga 20 orë në ditë, u sëmura. Me çlirimin e Kosovës, u ktheva së bashku me refugjatët. Pas ca muajsh pata kolaps shëndeti dhe më dërguan në Gjermani, ku zbuluan që kisha kancer.
Çdo të thotë të përballesh me vdekjen?
Nuk më dhimbsej vetja se do vdisja, por më dhimbsej nëna kur t’ia çonin trupin tim pa jetë. Pra, ajo ishte njëra nga arsyet që nuk doja të vdisja, për të mbrojtur nënën time, se kishte vuajtur shumë në jetë. Dhe pas ca operacioneve, më dërguan në shtëpi të vdes dhe më liruan nga puna. Kur erdha në shtëpi, nuk doja të vdisja pa i paguar borxhet. Edhe pse isha shumë e sëmurë, kërkoja punë. Doja t’i mbaroja librat që kisha nisur, doja t’i rregulloja të gjithë gjërat. Dhe ja, kështu ndodhi. Fillova të punoj me refugjatët nga Kosova, fillova të jap mësim në universitet, të shkoj në shkollë për një master në Biznes dhe Administrim, ndërtova një shoqatë të të rinjve, “Youth for Humanity”. Me këtë shoqatë shkuam në Kosovë për të ndihmuar jetimët, shkuam në Bosnjë, Siri, Kili etj. Më ftuan në Afganistan dhe kur e pashë vuajtjen e tyre, imja m’u duk shumë e vogël. Pastaj u hap rruga e Indisë dhe kështu, nga vendi në vend, shërohesha me dashuri, me qeshje, humor, lutje, shoqëri. Dhe kështu, harrova të vdisja dhe deri tani, ja ku jam. Si përfundim, mund të them se jeta ime, pa dyshim falë sfidave, është një rrugëtim i mrekullueshëm. Në këtë rrugëtim zbulova dashurinë, bukurinë e vërtetë të shpirtit njerëzor dhe të natyrës, potencialin që njeriu ka dhe arrita të jetoj në mirësi, duke parë bukurinë dhe mirësinë në çdo qenie që takoj. Sëmundjet e mia dhe 18 operacionet që kam pasur, më duket se kanë qenë vetëm tentim të më ndalin pak të pushoj dhe të mësoj ta dua trupin dhe të kuptoj kufizimet e mia. Për mua, çdo ditë është dhuratë.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura