NIKOLETA KOVAÇI/ “Sapo kam shitur një ‘Audi Q7’ dhe paratë mund t’i lë garanci”, kështu e kërkoi lirinë në gjykatë dy ditë më parë Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë dhe drejtuesi i agjencisë SASPAC, ku, kjo e fundit, edhe e çoi në pranga.
Por kërkesa-lutje e tij nuk u pranua nga GJKKO duke e lënë në burg bashkë me ‘krahun e tij të djathtë’, Ermal Kurtulaj. Janë një mori faktesh dhe provash që kanë dalë nga shpenzimet sipas mënyrës së tyre të fondeve të BE-së që janë hedhur për këtë agjenci që kanë mbajtur pas hekurave ish-ministrin që gjendet nën hetim edhe për koncesionin e Sterilizimit.
Gjykata me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, dhe pas verifikimit të të gjitha fakteve dhe provave, në seancën paraprake, i kanë bërë me dije Beqajt se do të mbahet në burg bashkë me Kurtulajn nën 4 akuza të rënda, që nisin që nga pastrimi i parave e deri të korrupsioni. Por përgjatë hetimeve dhe kërkimeve të fakteve kundër grupit të ish-ministrit, tashmë të vendosur nën akuza, mësohet se janë zbardhur një mori bisedash-përgjime në të cilat përfshihet edhe e bija e Beqajt.
Po ashtu, SPAK ka në duar edhe dosjen e bisedave të SKY ECC që kanë mbërritur nga hetimet e huaja, ku emri i Beqajt del në një sërë bisedash mes Pëllumb Gjokës dhe Behar Bajrit, dy personave që konsiderohen edhe si krerët e krimit në Shkodër e jo vetëm. Bisedat që gjenden në duart e SPAK dhe që kanë personazh Beqajn, tregojnë se Gjoka dhe Bajri kanë pasur influencë deri në qarqe të larta të politikës lokale e deri asaj qendrore.
ARRESTI ME BURG
Gjyqtarja Rudina Palloj të shtunën, vendosi ta lërë në burg ish-ministrin e Shëndetësisë, i cili u arrestua për abuzimet me fondet e Bashkimit Evropian teksa drejtonte SASPAC. Në burg u la edhe bashkëpunëtori i tij më i ngushtë, Ermal Kurtulaj, edhe pse ky i fundit ashtu si ish-shefi i tij ofroi garanci pasurore, paratë e shitjes së një ‘AUDI Q7’. “Sapo kam shitur një “Audi Q7”, mund ta vendos shumën e parave si garanci pasurore”, – tha ai para togave të zeza.
Nga burgu në arrest shtëpie u vendos për Alfred Nikollajn, që ishte edhe i vetmi ndryshim në vendimin e gjykatës. Po në arrest shtëpie është lënë edhe Elton Marini. GJKKO rikonfirmoi masën e kërkuar nga SPAK edhe për Bledar Lekën dhe Bjona Zijajn, që u lanë në detyrim paraqitje.
MBROJTËSI LIGJOR I ISH-MINISTRIT
Në seancën që zgjati për më shumë se gjashtë orë dhe që u zhvillua me dyer të mbyllura e pa praninë e mediave, ish-ministri Beqaj mohoi akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij. Avokati i tij, tha pas përfundimit të seancës se tha se Beqaj nuk i shmanget drejtësisë, ndërsa e gjitha ka si qëllim denigrimin e figurës së ish-ministrit. ‘Zoti Beqaj sqaroi edhe gjykatën që kjo është një tentativë për ta denigruar si figurë, për ta nxjerrë si person që mund të akuzohet edhe për vjedhje nga më minimalet, nga më të voglat, për ta penguar zotin Beqaj që të vazhdojë të punojë për çështjen e sterilizimit në gjykatë dhe për të penguar edhe deklarimin e tij në Kuvend”.
Avokati u pyet se nga kush po bëhet kjo tentativë, për të cilën ai mendon se është organi i akuzës. “Në mendimin tonë është pikërisht organi i akuzës i cili çështjen e zotit Beqaj ka personale sepse me këtë ka filluar edhe aktiviteti i SPAK-ut, me kallëzimet ndaj zotit Beqaj. Ndaj Ilir Beqaj SPAK ka ngritur akuzat e korrupsionit pasiv, mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë, mashtrimit, dhe pabarazisë në tenderë. Ndërsa të proceduarit e tjerë akuzohen për korrupsion aktiv dhe pasiv si dhe për mashtrim.
PROVAT E SPAK
SPAK thotë se ka gjetur prova se Ilir Beqaj si drejtues i SASPAC, në bashkëpunim me Kurtulajn, të cilin vetë e kishte emëruar, urdhëronte procedura fiktive prokurimi, me vlerë qindra mijëra euro, kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera dhe përfitues fundor të ishte pikërisht vetë ish ministri përmes Restorant Gzona në Tiranë, që SPAK thotë se është në pronësi të tij. Mes 8 prokurimeve fiktive të zbuluara, SPAK evidenton pikërisht një të lidhur me ‘Landways International’.
SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Gazmend Haxhia për organizimin e një konference turizmi “Festa”. Por për të njëjtin event, dhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë të reja. Pra gjithsej për të njëjtin aktivitet u paguan nga dy institucioneve shtetërore mbi 500 mijë €, ndërsa në fund i vetmi shpenzim i regjistruar është ai i një darke mundësuar nga “Gzona” me vlerë rreth 41 mijë euro.
VENDIMI I GJYKATËS
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 04.07.2024, Nr. Regj.Them. 73, ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën penale me objekt: “1.Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit dhe nevojat e sigurimit personal të vendosura për personat nën hetim;
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Ilir Beqaj, Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, të dyshuar për veprat respektive;
3. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, të parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale për personat nën hetim Bledar Leka dhe Bjona Ziaj, të dyshuar për veprat respektive;
4. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit “arrest në shtëpi” të parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale për personin nën hetim Elton Marini, të dyshuar për veprën penale respektive”.
2. Në përfundim të gjykimit Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenin 112, 228, 229, 230, 234, 237, 238, 248, 249, 260 të K.Pr.Penale dhe Vendimin Unifikues të Gjykatës së Lartë nr. 7, datë 14.10.2011, me Vendimin Nr. 73, datë 06.07.2024.
1. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ilir Hamid Beqaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal; “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/ a/2 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
2. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ermal Xhemal Kurtulaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë publikë”, kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 260 dhe 25 i Kodit Penal, “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/3 i Kodit Penal, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
3. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publike”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe “Mashtrim” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda parashikuar nga nenet 143/2/ 3 i Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
5. Në referim të nenit 237, pika 1 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla, të qëndrojë në banesën e tij me adresë: Rruga “Tish Daija”, Kompleksi “Kika 2”, Nd. 32, H4, Ap. 54, Nj. Adm. Nr. 5, Tiranë.
6. Në referim të nenit 237, pika 2 dhe 3 të K.Pr.Penale, kontrolli dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga shërbimet e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Alfred Nikollaq Nikolla.
7. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Elton Koli Marini, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 143/ 3 i Kodit Penal.
8. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bledar Shpend Leka, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 143/2 i Kodit Penal.
9. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bledar Shpend Leka, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
10. Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, caktuar me vendimin nr. 65, datë 03.07.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Bjona Bexhet Ziaj, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Mashtrim”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 143/3 i Kodit Penal.
11. Në referim të nenit 234, pika 2 të K.Pr.Penale urdhërohet personi nën hetim Bjona Ziaj, të paraqitet para oficerit të policisë gjyqësore Samet Gurguri, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, ora 12.00.
12. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
13. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al