Alfred Cako boton të plotë “Main Kampf”

Mar 16, 2012 | 12:40
SHPËRNDAJE

Pas bujës së botimit të parë, del në treg një tjetër variant.

Manifesti politik i Hitlerit vjen në tri vëllime nga shtëpia botuese “Helga’s Secrets”

Ende pa u shuar zjarri i debateve mbi botimin e “Main Kampf”, manifestit politik të Adolf Hitlerit, nga shtëpia botuese “Belina H”, del një tjetër variant i “Lufta ime”, por kësaj here i plotë, në tri vëllime. Bëhet fjalë për shtëpinë botuese “Helga’s Secrets”, e cila është e njohur për botimet e saj nga lëmi i teorive të konspiracionit. Sipas botuesit Alfred Cako, liria e shtypit vjen mbi të gjitha dhe as ky libër nuk mund t’i nënshtrohet censurës. Libri shoqërohet me një hyrje nga vetë botuesi, ku ai shpjegon arsyet e botimit në shqip të këtij libri. Por, në të njëjtën kohë, ai bën distancimin nga teoritë naziste, çka ia rekomandon edhe lexuesit, që sipas tij, është i aftë ta bëjë një gjë të tillë. Ashtu si edhe botimi i pak ditëve, edhe “Main Kampf”-i i “Helga’s Secret” nuk i ka të drejtat e autorit, të cilat prej vitit 1945 mbahen nga Landi i Bavarisë. Për një mungesë të tillë, botuesi i “Belina H” u gjobit nga Zyra e të Drejtave të Autorit, megjithatë, duket se e drejta e informimit është më e rëndësishme se një gjobë. Sipas Cakos, është e ndaluar me ligj që libri të përdoret si propagandë. Nga ana tjetër ai shprehet se botimi i tij nuk fyen askënd dhe nuk cenon marrëdhëniet e mira që populli shqiptar ka me atë hebre. “Ndërgjegjja e shqiptarëve qysh nga koha e Mbretit Zog, apo edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, është e qetë, pasi ne nuk kemi pasur asnjë fërkim me këtë komunitet të lashtë me të cilin të parët tanë, ashtu si edhe me dhjetëra popuj të tjerë mesdhetarë, kanë bashkëjetuar e mësuar nga njëri-tjetri”, shkruan botuesi në hyrjen e librit.

Libri i plotë

Botuesi Alfred Cako

Sipas botuesit Alfred Cako, libri vjen i plotë në shqip nga “Helga’s Secret” dhe përmban: dy volumet e Mein Kampf-it të shkruar në kohën kur Hitleri ishte në burg në vitin 1922, ndërsa një volum i tretë është “Vazhdimi” ose “Shtojca” e shkruar gjashtë vjet më pas, në vitin 1928, ose pesë vjet para se Hitleri të vinte në pushtet. Aty flitet për politikën e jashtme të Gjermanisë. Sipas Cakos, këto tri volume, së bashku me “Testamenti politik”, që ka disa kohë që është botuar nga ne, përbën kolanën e plotë të librave të diktatorit, përjashtuar fjalimet dhe intervistat e tij në shtypin e kohës. Sot del vëllimi i parë, i cili do të pasohet më tej edhe nga dy vëllimet e tjera. Cako pretendon se është i pari që e ka marrë ISBN-në pranë Bibliotekës Kombëtare. “Nuk më vjen mirë kur nga shoqëria jonë ende e papjekur, prej influencës së vetëcensurimit 50-vjeçar, dëgjoj mendime mbi këtë libër, kur shumica e tyre nuk kanë lexuar ende as edhe një rresht të tij. Madje nuk kanë lexuar, me siguri, as edhe ndonjë rresht qoftë nga libri tjetër i autorit, i vetmi prej 3 vjetësh në shqip, ‘Testamenti politik’. Ashtu siç e themi edhe në kopertinën e pasme të librit, botimi i tij nuk bëhet për propagandë naziste. Absolutisht jo! Ne nuk jemi naziskinë dhe madje e tillë duket se nuk është as gjithë shoqëria jonë e pjekur. Ne jemi shqiptarë, ndaj, në radhë të parë, interesi ynë është prosperiteti dhe orientimi i kombit shqiptar në fushën ndërkombëtare të shahut, i cili ka të drejtë ta ketë një busull për të gjetur më së paku katër pikat e horizontit të historisë”, thotë Cako.

Kundër censurës
Ndërsa ka dëgjuar gjithfarë debatesh që pasuan botimin e “Main Kampf”, Cako shprehet kundër censurimit të librit dhe “pasurimin” e tij me mendime kundërshtuese, bri çdo ideje të hedhur nga diktatori. “Kemi dëgjuar sugjerime që këtij libri duhet t’i vendosim ngado shënime ku të kundërshtojmë idetë e autorit. Kjo do të dukej një shaka nga ato që i ndodhnin dikur Shtëpisë Botuese 8 Nëntori, para viteve ’90. Shoqëria e hapur nuk njeh asnjë kufi censure. Nëse dikush ka ide të ndryshme nga ky libër, natyrisht që ka të drejtë të shkruajë çfarëdo kundërshtimi që ai do ta gjykonte”, shprehet Cako. Ai nuk e fsheh se si botues ndihet disi në siklet përballë të gjithë atyre që sulmohen përmes këtij libri, që nga hebrenjtë, sllavët, japonezët njerëzit me ngjyrë, por edhe para familjarëve të dëshmorëve shqiptarë të Luftës së Dytë Botërore, por ngul këmbë se liria e shtypit është mbi të gjitha. “Por, ligji i anticensurimit dhe vlerat e një shoqërie të hapur që ne kemi kultivuar këta 20 vjetët e fundit, natyrisht që na armatosin me ndjenjën superiore të mbizotërimit të lirisë së shtypit, mbi çdo lloj ndjenje përbuzjeje dhe urrejtjeje që mund të kenë me të drejtë këto grupe ndaj mendimeve të autorit dhe vetë këtij libri. Mendojmë se askush nuk mund të marrë ‘privilegjin’ e të qenit më i persekutuari nga idetë e këtij libri dhe mbi bazën e këtij ‘privilegji’ të ulërijë kundër botimit. Kjo do të shkaktonte efekt të kundërt, si ai që ndodhte dikur me librat e ‘verdhë’”, thotë botuesi.

Cako: Censura e fshehur pas lejes së autorit
“Askujt nuk mund t’i ulet shkalla e rrezikut nga fakti se mburoja e pretendimeve të censurës është leja e ‘munguar’ e këtij libri, e cila edhe për dy vjet, sipas këtij gjykimi, do të na shpëtonte nga gjëma racore që na sjellka leximi i tij!”, thotë botuesi Alfred Cako, teksa ka parasysh lejen për të drejtën e autorit, të cilën deri në vitin 2016 e disponon Landi i Bavarisë. Edhe botuesi Beqir Haluli, i cili ndezi debatin për botimin ose jo të këtij libri, nuk e kishte të drejtën e autorit dhe për këtë arsye u gjobit me 100 mijë lekë nga Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit.

Debati që nxiti shitjet
Ndërsa intelektualë e njerëz të letrave debatonin nëse duhej botuar ose jo libri i Hitlerit “Main Kampf”, libri shitej me shpejtësi nëpër libraritë e kryeqytetit. Botimi i “Belina H” u hodh në treg me një tirazh prej 500 kopjesh dhe një çmim prej 1500 lekësh, por nuk ishte në variantin e tij të plotë. Debati i shërbeu si publicitet librit, i cili thuajse është shitur i gjithi. Por tashmë ai po pasohet nga varianti i plotë i tij në dy vëllime, madje edhe nga një i tretë në formën e shtojcës. Pas valës së parë të debatit, “Helga’s Secrets” do ta ketë më të thjeshtë përballë skeptikëve.

Distancimi nga propaganda
“Mos e merrni këtë libër si propagandë të nazizmit. Kjo është historia. Historia jonë dhe e juaja. Historia botërore”. Kështu shkruhet me germa kapitale në pjesën e pasme të kopertinës së vëllimit të parë të “Main Kampf”, i cili del sot në treg nga shtëpia botuese “Helga’s Secrets”. Botuesi Alfred Cako është treguar i kujdesshëm ta vërë theksin në faktin që libri nuk shërben si propagandë. “Nuk mund të lëmë pa sugjeruar te lexuesi faktin se ky libër është i ndaluar me ligj të përdoret për t’u propaganduar dhe për t’u ndjekur si program për aktivitet politik dhe në këndvështrimin etiko-moral. Prandaj mendojmë se duhet lexuar me një sy kritik, për të nxjerrë mësimet e duhura që na i ka dhënë vetë gjyqi i historisë”, shkruan Alfred Cako. Vëllimi i parë i “Main Kampf” kushton 1200 lekë.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura