Një ngjarje e rëndë tronditi pasditen e së mërkurës Gjirokastrën, pasi u gjet i pajetë një 57-vjeçar brenda mjetit të tij në aksin rrugor rural Polican-Suhë.
Mihal Thimjo dyshohet se është autori i ngjarjes, të cilin Policia e ka arrestuar në automjetin e tij në rrugën nacionale pranë lagjes së njohur si “Blloku i furrave”.
Mësohet se viktima, Gëzim Saraçi dhe autori i dyshuar, Mihal Thimjo kishin njohje të vjetër familjare me njëri – tjetrin. Madje ditën e ngjarjes, ata kishin drekuar bashkë në Poliçan të Zagorisë.
Mësohet se nga ngjarja edhe autori 33-vjeçar është plagosur në shpatull dhe në këmbë.
NGJARJA
Viktima e ngjarjes, që ka lënë të habitur banorët e zonës malore, është Gëzim Saraçi, banues në fshatin Humelicë të Gjirokastrës.
Babai i tre fëmijëve në moshë madhore, dy vajza e një djalë, ishte një emër i njohur për zonën.
Ai punonte rregullisht në këtë segment rrugor për transport mallrash, drurësh apo inertesh dhe njihej si një person i qetë në zonë.
“Panorama” mëson se autori i dyshuar i krimit po udhëtonte në të njëjtin mjet me viktimën Saraçi, në kamionçinën ku dhe u gjet i pajetë 57- vjeçari. Gjatë rrugës, Saraçi dhe autori dyshohet se kanë pasur një konflikt për motive të dobëta.
Autori i vrasjes e ka goditur me sende të forta në kokë Saraçin, duke bërë që ky i fundit të humbë jetën.
Burimet për gazetën “Panorama” bënë të ditur se autori pas ngjarjes ka telefonuar familjarët e tij, duke u pohuar se “e kishin vrarë”.
Kanë qenë pikërisht familjarët e autorit, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë gjetur viktimën.
Ndërsa nuk ka pasur asnjë gjurmë nga autori që gjithashtu është plagosur.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al