Në morinë e dilemave për bandën e Xhevdet Mustafës që artikulonin diplomatët e huaj në vjeshtën e vitit 1982, ajo e ambasadorit të Beogradit, Branko Komatina, e bënte situatën më konfuze. Ai e vlerësonte ngjarjen ose një aventurë të çartur të tre të arratisurve shqiptarë, ose një montazh të Sigurimit të Shtetit. Jo rastësisht kjo alternativë e Komatinës gjente mbështetjen e kolegëve të tjerë. Madje, disa syresh e çonin më tej argumentin.
Apostolios Papasliotis, ambasadori i Greqisë në Shqipëri, bindjen për një montazh të policisë sekrete e përforconte me veçoritë e gjendjes së brendshme “të shoqëruar me mjaft ngjarje dhe masa policore të shtuara shumë”. Në këtë qasje, kryediplomatin helen e çonte sakaq leximi i vëmendshëm i fjalimit të Ramiz Alisë në Kongresin e Rinisë të zhvilluar ato ditë, ku numri dy i regjimit, për herë të parë i “vendoste italianët krahas amerikanëve, rusëve dhe serbëve, si armiq potencialë të Shqipërisë”. Kjo, për Papasliotis, do të thoshte se ngjarja në fokusin e politikës së jashtme të Tiranës, lidhej vetëm me Italinë, e cila deri në atë kohë përmendej shumë rrallë nga autoritetet shqiptare si kundërshtare e tyre. Fakti që Xhevdet Mustafa dhe të tijtë kishin zbarkuar nga brigjet e Adriatikut dhe posedonin lireta italiane, e përforconte edhe më shumë idenë e diplomatit të Athinës. Megjithatë, misionarët e huaj nuk guxonin ta vlerësonin ngjarjen përtej hipotezave, që aty-këtu kundërshtonin njëra-tjetrën. Interesant në shtjellimet e atyre ditëve ishte dyshimi i ambasadorit francez, i cili duke iu referuar burimeve konfidenciale nga Parisi, shprehej se Xhevdet Mustafa nuk kishte qenë pjesë e bandës, por me identitetin e tij kishte qenë një tjetër.
Ka pasur edhe zëra të tjerë, madje deri vonë, që mohonin praninë e Mustafës në bandën e 25 shtatorit ’82, duke artikuluar një operacion konspirativ nga një agjenci inteligjente perëndimore, për të cilën ai punonte. Sa e vërtetë është ajo që dëshmonte diplomati francez në ditët e para pas ngjarjes, mbetet një mister që, me sa duket, do të jetë e vështirë për t’u zbardhur. Në numrin e kaluar publikuam vetëm pjesën e komenteve dhe vlerësimeve të diplomatëve të huaj, që i përkisnin datës 28 shtator dhe 4 tetor 1982. Pjesa në vijim ka të bëjë me raportet e ditëve të mëvonshme…
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Numër 3857 Sekret Ekzemplar
Numër 1
Tiranë, më 4.10.1982
Lënda: Mbi disa komente e vlerësime të diplomatëve të huaj për asgjësimin e bandës terroriste të Xhevdet Mustafës
Diplomatë të përfaqësive të huaja të akredituar në Tiranë në biseda me burimet tona vazhdojnë të bëjnë komente e vlerësime dhe shprehin këto interpretime:
1-Ambasadori francez, Manel Martin, në një bisedë me një burimin tonë: “Banda duhet të ketë pasur njerëzit e vet të komprometuar në vendin ku desantoi. Paratë që iu gjetën, nuk do të thotë se janë financuar nga Italia dhe SHBA, apo anglezët. Konkretisht nuk dihet asgjë se nga është nisur banda. Djali i ish-Mbretit Zog u ka dhënë intervistë disa gazetarëve të huaj, ku pohonte se njihte kryebanditin Xhevdet Mustafa dhe ky është pjesëtar i një ushtrie shqiptare në mërgim. Këta banditë ka mundësi të mos jenë armiq të popullit shqiptar, por armiq personalë të Enver Hoxhës. Besoni se Enver Hoxha nuk ka armiq personalë?! A nuk ishte Mehmet Shehu një armik personal i tij?! Pse nuk informoni popullin më gjerësisht për kapjen dhe asgjësimin e bandës? Diktatura e proletariatit është një regjim totalitar, ku udhëheq vetëm një parti. Prandaj dhe Stalini është akuzuar si diktator e vrasës. Unë e kuptoj sa i lidhur është populli shqiptar me Partinë dhe Enver Hoxhën, por përsëri dyshoj se Enver Hoxha ka armiq personalë.
2-Sekretari i Parë i Ambasadës franceze, Jean Bujal, shprehu kënaqësi që bandës nuk iu gjetën franga franceze dhe se Franca nuk ka gisht në këtë çështje.
3-Atasheu i Ambasadës hungareze, Gjergj Llukaç në bisedë me burimin tonë: Më çuditi shumë lajmi i dhënë në shtyp lidhur me diversantët, pasi nuk kemi dëgjuar më parë gjëra të tilla. Nuk dimë nga cili vend janë hedhur dhe ku kanë desantuar.
4-Gruaja e ambasadorit korean, Çaj Jeng Suk, në bisedë me burimin tonë: Në gazetë u publikua kapja e një grupi diversantësh, por nuk thuhet sa veta ishin, sa u vranë, sa u kapën gjallë, si erdhën, nga cili vend u dërguan etj., se thuhej vetëm se u likuidua banda.
5-Sekretari i Ambasadës turke, Osman Ulukan: Diplomatët janë të alarmuar dhe bëjnë komente të ndryshme. Në një bisedë që bëra me ambasadorin francez dhe italian, ata shpreheshin se kjo bandë mund të jetë përgatitur nga Leka Zogu, i cili nuk ka marrëdhënie të mira me emigracionin politik jashtë Shqipërisë. Mund të jetë organizuar nga CIA e KGB-ja në një bashkëpunim midis tyre, për të shkaktuar panik në radhët e shqiptarëve. Personat e ardhur kanë qenë të bindur se do të vdisnin, por kanë qenë të detyruar të kryejnë me çdo kusht aksionin e përgatitur nga amerikanët, prej të cilëve janë furnizuar me armë, të holla dhe mjete të tjera të nevojshme. Ata duhet të jenë zbarkuar me zadiak (anije e vogël prej gome) shumë të shpejtë dhe që u shpëton radarëve. Sipas ambasadorit italian, nuk është e vërtetë që diversantët u zbuluan dhe diktuan në befasi dhe u asgjësuan, por ata u futën në tokën shqiptare, kryen aksionin që kishin marrë përsipër dhe ishin duke u kthyer. I priste një anije e vogël e ndofta dhe ndonjë anije tjetër e padukshme. Diplomatët ngrenë versionin se kjo ngjarje mund të jetë përgatitur nga vetë qeveria shqiptare për t’i treguar popullit se amerikanët, anglezët dhe rusët nuk heqin dorë nga planet e tyre kundër Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Sipas të dhënave që ka Sigurimi francez, i cili ka komunikuar me ambasadorin këtu, njofton se Xhevdet Mustafa është me banim në SHBA dhe për kushtet që ka nuk ka mundësi të ketë marrë pjesë në këtë aksion. Nuk dihet me saktësi si u organizua ky aksion dhe cili ishte qëllimi i tij. Specialistët për Shqipërinë vetë po e studiojnë me shumë vëmendje.” 6-Këshilltari i Ambasadës jugosllave, Spasoje Tuniç: Lexova komunikatën e Ministrisë së Brendshme lidhur me grupin diversant, por nuk dihet se në cilin vend janë hedhur, sa veta kanë qenë. Këtë ka mundësi ta kenë organizuar amerikanët. 7-Nëpunësi i Ambasadës franceze, Marcel Kurtiad: Kam lexuar në një revistë te nëpunësi francez Jean Hubert, ku thuhej se princi Leka Zogu kishte deklaruar se do të kthehej në Shqipëri dhe do të trashëgonte të gjitha pasuritë që i ka lënë i ati. 8-Sekretari i Ambasadës bullgare, Marian Boshkov: Banda e hedhur në Shqipëri u asgjësua, nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mendoj se këta banditë duhet t’i ketë hedhur greku, megjithëse grekët nuk kanë ndonjë interes, por mund t’i kenë hedhur amerikanët. Në Kubë hidhen vazhdimisht banda nga amerikanët, ndërsa në Afganistan hidhen nëpërmjet Pakistanit po nga amerikanët. 9-Këshilltari tregtar gjerman, Horst Scmidt: Me sa duket, këta banditë janë drejtuar nga Mustafa. Kishin armë, dollar e pajisje të tjera. Sipas shqiptarëve, ishin kriminelë të arratisur, por u asgjësuan. Kjo nuk ka qenë diçka e papërgatitur. Këta duhet të kenë rënë në gjurmë më parë, qoftë të sinjalizuar edhe nga populli. Me siguri njerëzit e Zogut do të kenë provuar pas përpjekjeve që ka bërë Shehu.
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Parë
Numër 4017
Sekret Ekzemplar Numër 1
Tiranë, më 11.10.1982
Lënda: Mbi bisedën e ambasadorit grek, Apostolios Papasliotis, me ambasadorin jugosllav, Branko Komatina.
Në takimin që ambasadori grek, Apostolios Papasliotis, pati me ambasadorin jugosllav Branko Komatina, u zhvillua kjo bisedë: –
Apostolios Papasliotis: Në darkën e shtruar për nder të ambasadorit vietnamez, të gjithë diplomatët diskutuan rreth asgjësimit të bandës kriminale. Në qendër të vëmendjes qëndronte pyetja: Kush është ky zoti Mustafa? Cilët janë emigrantët e tjerë? Kush i dërgoi këtu? A ka ndonjë gjë të brendshme që mund të ketë ndodhur? Asnjëri prej tyre nuk e njihte Xhevdet Mustafën. Gjithashtu qëndrojnë akoma fjalët për zhdukjen e Kadri Hazbiut, që sigurisht nuk janë të sakta, sepse atë e pamë në televizor. –
Branko Komatina: Ekzistojnë dy alternativa. Ose është e vërtetë që një grup të arratisurish kanë tentuar të hyjnë në Shqipëri dhe nuk kanë pasur sukses, ose kjo ngjarje është një montazh i thjeshtë i Sigurimit të Shtetit. Në të dy rastet lind pyetja: Pse shqiptarët e dhanë këtë lajm në shtypin e tyre? Nga ana tjetër, me cilin shtet lidhet kjo ngjarje në politikën e jashtme të Shqipërisë?” –
Apostolios Papasliotis: Versionit se ngjarja është montazh i Sigurimit Shqiptar mund t’i përgjigjesh më lehtë, po të marrësh parasysh gjendjen e brendshme, të shoqëruar me mjaft ngjarje dhe masat policore që janë shtuar shumë. Në fjalimin e tij, Ramiz Alia i vendosi italianët, krahas amerikanëve, rusëve dhe serbëve, të cilët tashmë dihet se janë armiq të Shqipërisë, ndërsa për italianët nuk dimë gjë. Kjo do të thotë se diçka ka. Pra, kjo ngjarje në politikën e jashtme të Shqipërisë mund të lidhet vetëm me Italinë. Edhe në Kongresin e Rinisë ata nuk folën hapur dhe konkretisht për armiqtë, por vetëm në mënyrë të përgjithshme për armiq të brendshëm e të jashtëm. Si duket, nuk kanë dashur të shfrytëzojnë Kongresin për të deklaruar një gjë të tillë, të cilën edhe mund ta bënin. Në qoftë se ka ekzistuar, të paktën njëri nga anëtarët e saj duhet të jetë kapur i gjallë dhe ky do të hedhë dritë për ardhjen dhe qëllimin që kanë pasur. Në qoftë se ngjarja është montazh i Sigurimit, kjo bëhet me qëllim për të rritur vigjilencën në popull dhe për të justifikuar para tij politikën e mbylljes drejt Perëndimit që po ndodh aktualisht, sepse për Lindjen e kanë bërë më parë. Në këto kushte, u duhej të përmendin emrin e ndonjë shteti, por këtë nuk e bënë” –
Branko Komatina: Ju keni të drejtë, në Kongresin e Rinisë nuk thanë asgjë të veçantë për ndonjë armik konkret dhe nuk e shfrytëzuan tribunën e tij për të konsumuar ngjarjen me bandën apo cilësimin e shtetit konkret që mund të ketë lidhje me të. Ky qëndrim u mjafton për t’i thënë popullit ose më mirë disa kuadrove: Ja, rreziku është real. Nuk duhet menduar për vijën që ndoshta mendonte Mehmet Shehu. Kështu do të justifikohej mbyllja drejt Perëndimit dhe do të parandalohej ky rrezik. Arsyeja momentale për prerjen e marrëdhënieve krejtësisht ekziston. Në fjalimin e sekretares së parë të rinisë dhe të Simon Stefanit, nuk kishte ndonjë gjë të veçantë nga ato që tha Ramiz Alia. Më çuditi fakti që ai në fjalën e tij nuk foli fare për marrëdhëniet me vendet e tjera. Fjalimin e tij unë e quaj një ritheksim që ka dashur t’i bëjë fjalës të Enver Hoxhës për Kosovën dhe Jugosllavinë. Ndoshta kjo bëhet për arsye të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë, sepse në një pasazh të fjalimit që mbajti Ramiz Alia, flitej për manipulimet e propagandës borgjeze. Kjo për mua nuk është frazeologji thjesht propagandistike, por një fakt që tregon se shqiptarët janë shumë të vendosur të qëndrojnë në doktrinën e tyre politike, ekonomike. Këta duan të zbatojnë doktrinën e tyre, por ajo i pengon, përderisa në thelb qëndron mbështetja në forcat e veta dhe mosmarrja e asnjë kredie nga jashtë… A e patë Nesti Nasen të diskutonte?! Asnjëri nuk e pa.
Thonë se ka dalë në pension. Më kujtohet koha kur së bashku me paraardhësin tuaj na priti Mehmet Shehu, në të njëjtën ditë, sepse ai gjithnjë priste dy ambasadorë së bashku. Çarçani akoma nuk i ka pritur ambasadorët e Francës, Egjiptit dhe Greqisë, përveç turkut që e priti para disa ditësh. Ndoshta e kanë ndaluar këtë praktikë, ose mund ta fillojnë përsëri. Ju keni kërkuar të takoheni me Kryeministrin?” Në përgjigje, ambasadori grek thotë: Kam kërkuar disa herë nëpërmjet protokollit të takohem me Kryeministrin, por deri tani nuk kam asnjë përgjigje pozitive. Të takosh Kryeministrin është një gjë e veçantë, ashtu siç është gjithë jeta në Tiranë”.
Ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai
vijonte nga numri i djeshem
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al