Portreti i Kryeministrit dhe rebuset e opozitës

Jun 23, 2020 | 14:02
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJ  Agron-Gjekmarkaj

Edi Rama nuk duket aspak në tërheqje, i velur nga monarkizmi që ka ndërtuar me pasion demiurgu, përkundrazi. Nuk është as i moshuar, ndonëse i therin kyçet siç ka shpjeguar në disa raste. Për gjumin ka rrëfyer se e bën shekspirian, të trazuar, fle pa zell e përzhitshëm.

Pa gdhirë del dhe i bie përreth zabelit dhe përgjon klithmat e gjallesave si Shën Françesku. Boll i gjatë është, por ambicien e ka ku e ku disa bojë më përtej. Ismail Qemalin ka zgjedhur si simbol të shtetit. Nën ymrin e hijen e tij ka vendosur karrigen. Si ai ka lënë mjekrën të dendur ferrë, të gjatë njësoj e vesh xhyben, esmerllëkun e kanë të ngjashëm. Të dy janë në origjinë nga Vlora.

I pari bëri aktin e madh të Flamurit, provoi të qeveriste katundin e vet e ca rrethina mes turbullirash për 14 muaj, por Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e largoi pa apelim. Pos akuzave për t’ia dorëzuar vendin Izet Pashës me komplotin e Beqir Grebenesë, mërmëritën diçka për korrupsion në dogana e ca pyje, duke zgjuar kuriozitet të pamat për valixhet që mori me vete. Gjithsesi, mbet i dashur e themelues për shqiptarët. Në kujtimet e tij, vetëm një faqe e gjysmë faqe ka për shtetin që shpalli të mosvarun.

Rama kujtimet i ka shkruar që në të ri me “Kurbanin”, ndërsa më pas po i jeton sipas profecisë. I dyti themeloi “rilindjen” e dytë, qeverisi katundin e bërë qytet dhe qytetet që u bënë shtet, paçka se ëndrrën e ka 14 vjet. Të dy u rrethuan me personalitete të mëdha. Ismail Beu kishte Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Mit’hat Frashërin, Lef Nosin, Dom Nikollë Kaçorrin, Pandeli Calen, Petro Pogen, Myfit bej Libohovën e të tjerë, gjeneral Mehmet Dërrallën etj.. Rama, po të këtij formati, i ka ndonjë edhe më lart. Në vend të Gurakuqit ka Tureshën.

Koleksioni me epitete që ka marrë këto vite është më i dendur se makaronat në sahanin kaba, me të cilat u fotografua në Paris tek i rraste në fixhud gjithë tahmah e ëndje. E filloi qeverisjen me zhargon liberal e europianist, ndërsa tani në fund të mandatit të dytë, vetëm javën që shkoi, nga Europa i erdhën katër goditje të njëpasnjëshme, prej Parlamentit Europian, i cili miratoi me një rezolutë të pazakontë 15 kushtet për vendin tonë, si dhe të tjera verdikte nga Komisioni i Venecias mbi vendimet e Presidentit apo ligjin antishpifje. Postulati haxhiqamilist, “është sevap me rrejt kaurrin”, po refuzohet nga kontinenti, i cili e ka dekriptuar atë nga mospërputhja e akteve me fjalët e Kryeministrit.

Nishanet e kundërshtisë i shndrisin në gjoks për qeverisjen e tij 7-vjeçare, perceptimin mbi korrupsionin, oligarkët, kanabizimin, katapultimin e krimit në politikë, kapjen e institucioneve, të drejtësisë mbi të gjitha, për shpurën “skënderbegase”, gaztore e pa rëndesë, pa skrupuj e gravitet rreth vetes në shërbim të unit, marrëdhëniet me mediat nëpërmjet ligjeve të tentuara e të refuzuara nga Komisioni i Venecias e jo vetëm, për të kulmuar me shembjen e Teatrit Kombëtar përgjatë pandemisë, propozimin për amnistinë fiskale dhe krizën ekonomike që ngjan me reaktorin e çernobilit, kanë qenë të larmishme e frekuente.

Nga ana tjetër, duhet të pranojmë se në këtë rrugëtim pushteti, Edi Rama është sofistikuar, mprehur, ka fituar eksperiencë e njohje të madhe. Ai është pasuruar me inteligjencë politike, me instrumente reagimi, joshjeje e kërcënimi. Nga pas ka një parti të madhe, deri- diku me elektorat të qëndrueshëm, grupe financiare të fuqishme dhe kudo “çuna problematikë“, të cilat e bëjnë atë një kundërshtar të rrezikshëm, pse jo sa të parashikueshëm në dukje, po aq të paparashikueshëm në rrengjet, diversionet dhe rastësitë që shpik.

Duke shkelur parimet e Perëndimit në qeverisje, por duke i shfrytëzuar ato si ligjësi, bindi ndërkombëtarët ta mbështesin në përballimin e protestave opozitare pas djegies së mandatave nga ana e saj e sidomos për zgjedhjet lokale të 30 qershorit, të cilat u shndërruan në votime moniste. Tërmetin dhe emergjencën shëndetësore të koronavirusit i ktheu në festival propagande, si investim në imazhin personal mbuluar me mantelin mistik të “shpëtimtarit”.

Debatet televizive i kthen në personale si dialogë estrade, për t’u ikur temave që e nxjerrin të pavërtetë, duke menduar të nesërmen me shpresën se njerëzia do merret me batutat për të harruar hallet. Nuk përton t’i krehë bishtin ndonjë teveqeli apo zullapi që i shkruan në “Facebook”, i sigurt që kësisoj e shpërndan kumtin e tij me sleng e dialekt në çdo mejhane a bordurë.

Ai, gërshetimin e retorikës politike, të cilën e administron mjaft mirë, enkas e kryp me folkun, citimet, qyfyret, ngjyrat, poturet, arrogancën, përdëllimin, të cilat i ka fabul komunikimi e qeverisjeje. S’i ka pasur kurrë rastësore, as naive, pas saj ai fsheh seriozitetin dhe këmbënguljen për të realizuar qëllimet e veta afatgjata në politikë nëpërmjet dominimit të masës. Ato janë butësia e formës që mbulojnë agresivitetin e përmbajtjes. Edi Ramës i duhet njohur aftësia kreative për të shpikur fabula dhe kryer eksperimente pa paragjykime, në funksion të fitores së tij. Mandati i tretë në Shqipëri është një tabu deri tani. Në një shoqëri normale e demokratike, Rama duhej ta kishte lënë në gjysmë edhe të dytin, por në fakt, ai po tenton pa mëdyshje të tretin. Qysh kur shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, ka filluar fushatën elektorale. I gatshëm të ndajë pushtetin hipotetik me premtime, ai po luan me qarin. Shumë nga deputetët e tij aktualë, të mbërthyer në grupazhe konfliktuale të pazëshme nga brenda, nuk do t’i shohim më së shpejti. As që i dhimbsen, i lëshon pa gajle si specat. Zërat janë shtuar që ai po teston gjerësisht në boten akademike për të rikuperuar në imazh, pasi ka bërë besëlidhjet e duhura me bosët lokalë që të mos kursejnë asgjë.

“Elitizmi” thonë që do të jetë fabula e tij e tretë, pas të fortëve dhe tepsisë. E vështirë për t’u besuar! Aq sa i rri shala e gomarit kalit, mund të bashkëjetojnë intelektualët kritikë me Ramën delirant, por ai mund ta tentojë si mundësi. Mungesa e paragjykimeve për të rekrutuar edhe djathtas, tashmë është e njohur dhe ia rrit profilin e diversionit.

Aktualisht, si një lavjerrës superaktiv, luhatet në të gjitha skajet e hapësirës politike. Sapo ka firmosur një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, prej së cilës doli disi zemërthyer. Nuk mori dot në emër të depolitizimit, komisionerët krejt për vete në tavolinë. Njëkohshëm ka cytur opozitën parlamentare, e cila kontrollohet në masë të madhe prej tij për ta zhbërë atë, duke kërkuar ndryshim sistemi e sidomos bllokim të koalicioneve parazgjedhore. Kjo dëshmon që ai ka frikë dhe po përpiqet ta manipulojë terrenin elektoral.

Po punon me zell. Po ashtu lëshon Dvoranin, të cilit i shkoi kot një foto me Yuri Kim, kokën e të cilit e deshi Presidenti Meta, por edhe lobe anti-Xhafaj në PS, duke shtuar pëshpërimat për mesazhe bashkëpunimi në mos të vërteta, së paku hutuese. Borxhin e madh eurobond e shet si fitore të “Xhejms Bond”, po kaq të tjerat që do merren për pasojat e tërmetit. Nëse miraton amnistinë fiskalë, po ashtu çliron të tjera para të një shtrese që mund t’i përulet, ta ndihmojë me qëllim për t’i shtuar ato (paratë). Të gjitha këto para janë në funksion të vitit elektoral.

Para opozitës shfaqen rebuse të mëdha, sidomos nëse Rama prish marrëveshjen e dalë nga Këshilli Politik për të kaluar në Kuvend, me të vetët dhe marionetat e opozitës së re, bllokimin e koalicioneve parazgjedhore.

“Për atë Zot” tha, mos “më bëni shantazh se e grisa”. Klithmë më e shtirur s’ka dalë nga ajo sallë. Opozita s’ka asnjë instrument shantazhi në duar, vetëm fjalën në media, kjo gjë dihet prej gjithkujt. Rama do të stopojë me këtë kërkesat e tjera me karakter politik të opozitës. Nëse konsumohet si ngjarje, do jetë dilemë e madhe për ta zgjidhur me popull apo me ndërkombëtarë, ndërkohë që opozita ka nevojë për normalitet që të ndërtojë fabulën dhe frymën!? Po ashtu, kjo mund të jetë ora, e cila thërret në skenë Presidentin Meta për vendime radikale, të cilat mund të parandalonin vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinë para se ato të zhvillohen.

Edi Rama nuk duhet nënvleftësuar me logjikë fataliste, se po i kryen tetë vitet e veta dhe ndaj të ikë! Ai po dëshmon të kundërtën. Do të ishte një gabim dhe në politikë ato kushtojnë më rëndë se krimet. Pluhuri i mashtrimit në duar nuk do të ishte më argument për të thërritur ‘kapeni hajdutin’.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

Rama Ismail Qemali1 Rama ismail qemali

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura