ANALIZA/ Alfred Peza: Çfarë (nuk) na mësoi tërmeti i 26 nëntorit!

Dec 20, 2019 | 21:39
SHPËRNDAJE

Alfred Peza

fredi-me-golf-3-770x470

Nuk besoj se ky brez që e jetoi live tërmetin e tmerrshëm të këtij viti, do ti harrojë aq kollaj, të gjitha përjetimet e atyre çasteve, orëve dhe ditëve të para pas tij.

Ato sekonda dridhjesh që dukej sikur nuk do të mbaronin kurrë, a thua se po na vërtetonin teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit, duke na u dukur vite, dekada e shekuj të pambarimtë.

Më pas, të gjithë dolëm jashtë si për ti dhënë mundësinë vetes, që të kuptonim nëse ishim në ëndrrat e asaj ore vdekjeje, apo në realitetin e një përjetimi të paharruar kolektiv.

Përtej pasojave të tmerrshme që zbuloi ardhja e mëngjesit dhe ditët e tjera më pas, në perimetrin e goditur në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë, e përbashkëta e të gjithëve ishte se tërmeti i kishte shkundur aq shumë, sa i kishte sjellë në vete. I kishte ulur me këmbë në tokë. I kishte bërë që të kuptonin se përveçse njerëz me ambicje, cmirë, urrejtje, grykësi dhe pangopësi, ishin të gjithë edhe “lodra” në duart e fatit dhe bij të nënës natyrë.

E dalloje të gjithën këtë, jo vetëm tek moskokçarja dhe shkujdesja e natyrshme e gjithkujt, për tu pispillosur. Por mbi të gjitha, tek shpërthimi i natyrshëm i një solidariteti të pashfaqur kurrë më parë mes nesh, për tu bërë të përkorë, të mirsjellshëm e mirdashës me çdo gjë e me çdokënd, deri në dhimbje. Duke mos harruar telefonatat dhe mesazhet e gjithkujt për gjithkënd, me më të mirësjellshmet e të pafajshmet pyetje njerëzore. Nuk po fus këtu kafenetë e ofruara falas, në ato minuta ku gjithskush kish nevojë, që të mblidhte zemrën.

Ishin orët dhe ditët kur dukej sikur Zoti na kishte kursyer, duke na ridhënë të gjithëve edhe një mundësi të dytë, për të rifilluar jetën për herë të parë. Ndaj, pakkush e kishte mendjen tek vogëlsirat e llojit: Na është shembur shtëpia. Na ka rënë muri. Na është plasaritur pallati. Na janë thyer orenditë. Apo na është përmbysur ai më i shtrenjti kujtim që mbanim mbi dollap.

E gjitha pasqyrohej tek xhestet më prekëse të fëmijëve, që ofronin lodrën e tyre më të dashur për shokun që kishte mbetur jashtë dhe kasën e kursimeve për projektin e rindërtimit. Tek të rinjtë që falnin pa u menduar dy herë, karrocën e fëmijës së tyre vogël, se ajo u duhej më shumë atyre që kishin mbetur pa prindër. Apo tek pensionisët që dhuronin 10 eurot e kursimeve, nga të ardhurat e tyre mujore, më shumë se modeste.

E ndërkohë që erdhën mbi 2000 pasgoditjet e tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, bashkë me uljen e intensitetit të tyre, nisi të bjerë edhe makthi kolektiv. Dhe jeta nisi dalëngadalë, ti rikthehej ritmeve të dikurshme. Zija u mbeti në zemër familjarëve të viktimave. Halli atyre që mbetën pa çati mbi kokë. Trauma njerëzore gjithë shoqërisë. Dhe dhimbja e kokës, qeverisë dhe autoriteteve përgjegjëse për rikthimin e normalitetit të jetës, në çdo qelizë të zonave të dëmtuara.

Sa më shumë i largohemi atij momenti apokaliptik, duket sikur gjithnjë e më shpejt, po rikthehemi në gjendjen që ishim përpara tij. Tërmeti nuk ishte një çudi si të gjitha të tjerat. Ndaj nuk kishte se si të zgjaste veç tri ditë. Por tani që kanë kaluar më shumë se tri javë, me siguri që askush nuk mund të vendosi dot bast, se jemi duke u sjellë ende si gjatë atyre ditëve të para. Si atëherë kur ishim gati që të harronim çdo gjë të shkuar e të shëmtuar, e tia nisnim nga e para, si në të vetmen mundësi të re që na u ridha të gjithëve.

Mjafton që për këtë të hapësh ekranet e lodhura të televizorëve, e të shohësh në panelet e përherëshme, njerëz që nuk flasin më si parë. Por veç ulërasin. Njerëz që nuk arsyetojnë. Por vetëm shajnë. Njerëz që nuk dëgjojnë. Por vetëm fyejnë e ofendojnë. Njerëz që nuk duan të arsyetojnë. Por vetëm të të dhunojnë me çdo çmim, me çdo mënyrë e mundësi atë që kanë përballë. Njerëz që vetëm nxijnë. Që veç ndjellin zi e më zi. Që shohin fatkeqësi. A thua sa kanë dalë nga një çmendinë, dhe kërkojnë që të fusin në kurthin e vorbullës së vet, çdokënd që është duke i parë.

Në rrugë, në dyqane, në kafe, në shkallë, në ashensor, oborr, shtëpi, punë, shkollë, në trafik, shesh, autobuz apo në aeroport, nuk sheh më njerëz të përulur. Të qetë. Të urtë. Krejt vetja. Me këmbë në tokë. Ujë e sapun. Por sheh të njëjtën shfaqje, që ke parë çdo ditë normale a të lodhshme, edhe përpara 26 nëntorit. Sa shumë kemi mësuar ato orë e ditë të para, pas sekondave të tmerrit. Sa pak paskemi nxënë realisht me sa duket, për ditët dhe jetën tone si shoqëri, në vazhdim!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura