NGA LUTFI DERVISHI
Një marrëveshje për të pritur në Shëngjin emigrantë nga vendet e treta më shumë se për mungesen e transparencës ngre pyetje për procesin që na solli në situatën ku e pa imagjinueshmja bëhet e pashmangshme. A ka patur një proces për këtë marrëveshje?
A kanë qenë në dijeni, me se paku Ministritë e Jashtme të dy vendeve apo edhe ato si gjithë të tjerët e morën lajmin nga transmetimi live në Facebook?
A është kjo marrëveshje vetëm frut i stafeve të dy kryeministrave?
Një marrëveshje në errësirë edhe pa elemente të dyshimta ngre paronaja! Për një çështje kaq delikate nuk mund të pretendosh transparencë totale, por opozita duhet të jetë në dijeni dhe më e pakta që duhet të dije opinioni publik janë disa informacione bazike për të patur qartësi.
Çfarë interesi ka Shqipëria në këtë marrëveshje?
Nëse bëhet fjalë për të kthyer borxhin për ndihmën që i ka dhënë Italia, Shqipërisë dhe shqiptarëve veçanërisht pas vitit 1990 e deri më sot, ky borxh nuk shlyhet çfarëdo që të bëjmë! Por këtu nuk është thjesht fjala per shlyerje borxhi, por edhe për ndikimet dhe implikimet që ka kjo marrëveshje.
Nguti per të bërë atë që nuk e bën askush tjetër, por vetëm NE nuk na ka dalë për mirë. Përkundrazi.
Asnje vend në kontinent nuk pranonte muxhahedinet, dhe me një turr si ai atleti që ka para vijën e finishit, i morëm të gjithë. Ja pamë sherrin në një mënyrë të pa imagjinueshme. Fatura për dëmin e krijuar per shkak të aktivitetit të tyre dhe përplasjes me Iranin është e pallogaritshme. Shteti digjital i ndërtuar me aq shumë mund e miliona përfundoi në xhepin e gardistëve iranianë.
Edhe për refugjatet afgane nxituam për të qenë të vetmit që i marrim të gjithë. Për fat ky operacion ka dalë më pozitiv, por nuk mund të quhet “mision i perfunduar”. U tha që do të jenë përkohësisht dhe një pjesë janë sot e kësaj dite dhe mund të qëndrojnë gjithë jetën. Asnjë problem, por…
Pse ky ngut për të marrë një barrë që mund të mos na e mbajnë gjunjët?
Shqipëria nuk është se shkëlqen në menaxhimin e flukseve migratore. Kapaciteti maksimal që mund të përballojmë është 450 shtretër.
Shqipëria nuk është ende një shtet që sundon ligji dhe ka kapacitetet institucionale në rastin më të mirë lenë për të dëshiruar. Më shumë se çështje kapacitetesh dhe evokimin e besës dhe mikpritjes tradicionale të shqiptari ne kemi një tjetër PPP -(problemin e protagonizmit personal) të Kryeministrit.
Ajo që është e qartë këto 10 vite është se Kryeministri ngatërron ose mbivendos miqësitë personale me interesin shtetëror. Mjaft të kujtojmë mbivendosjen e interesit të vendit/kombit me miqësitë personale me Vuçiq, Erdogan dhe së fundmi me Melonin.
Pse Kryeministri merr vendime të tilla jo popullore dhe me kosto politike? Në kushtet e shkatërrimit të opozitës, topitjes së medias me biseda hajgare nga mëngjesit në darkë dhe mpirjes se opinionit publik, Kryeministri i ngjan udhëtarit që “gjen katund pa qen dhe bredh pa shkop”
Nëse do të ketë protesta për këtë marrëveshje ato i presim nga Italia.
Dhe duket se fundi politik i Kryeministrit nuk do të vij nga përballja me opozitën, por nga tekat e tij personale si rasti i kthimit të Shëngjinit në parkim për emigrante nga Afrika dhe Azia!
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al