FATOS LUBONJA
Në fjalimin e tij përpara dibranëve, deputeti oligark i PS-së, Sadri Abazi, për t’i bindur dibranët të votojnë kandidatin e maxhorancës u tha se Edi Rama do të rrijë në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera, prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të, sepse kështu do të gëzonin të mirat që vijnë nga qenia pranë pushtetit.
Fjalimi i tij qarkulloi nëpër rrjetet sociale me përqeshje, sepse deputeti fliste me një patos banal që e bënte qesharak. Por fitorja me diferencë 4000 vota e maxhorancës në Dibër shpresoj t’i ketë bërë pak më seriozë ata që e përqeshën pasanikun. Ai paralajmëroi instalimin e putinizmit në Shqipëri.
Ç’KUPTOJ ME PUTINIZËM
Me putinizëm kam parasysh një sistem që, edhe pse pluripartiak, nuk garanton rotacion pushteti sepse partia më e madhe, gjithë duke ruajtur fasadën e një vendi që shkon në votime, sundon e vetme nëpërmjet kontrollit të ekonomisë, të medieve, të shoqërisë civile, të drejtësisë. Putinizmi ka si background historik vende që kanë dalë nga diktaturat, ku sundon mendësia autoritariste, që kanë prirjen t’i ikin lirisë, dhe që kanë hyrë në sistemin kapitalist pa përvojë vetorganizimesh sociale politike si formë rezistence ndaj pushtetit.
Problemet që ngre putinizmi janë shumë. Instalimi i tij heq mundësinë për të korrigjuar me votë gabimet në rritje të maxhorancës sunduese, të cilat vijnë duke u rritur së bashku me autoritarizmin dhe arrogancën e liderit të saj. Duke pretenduar përfaqësimin e të gjithëve, putinizmi ndërton një kastë të paprekshmish që pengon atë që quhet mobilitet social, demokracinë lirinë dhe në raste ekstreme mund të çojë në diktatura fashiste.
PSE NA RREZIKON PUTINIZMI
Premisë e putinizmit është fakti se partitë tona jo vetëm janë të gjitha përfaqësuese interesash oligarkike, por gjatë viteve, duke u kriminalizuar, janë shndërruar në banda që luftojnë për kontroll territori dhe përfitimesh. Kjo situatë, duke degraduar, ka çuar më një anë në largimin e popullit nga politika (edhe nga vendi), sepse ndihet i papërfaqësuar dhe, nga ana tjetër, në një luftë brenda llojit për asgjësimin e njëra tjetrës dhe fitoren e asaj më të fortës. (Shih për këtë edhe shkrimin “Ndërtimi tek Parku si avancim i fashizmit ekonomik” Panorama, 19 janar 2016)).
Megjithatë mund të ngrihet me të drejtë pyetja: pse rrezikohet rotacioni kur deri tani e kemi pasur?
Ka pasur disa arsye të lidhura ngushtë njëra me tjetrën që kanë mundësuar rotacionin. Ato më kryesoret janë:
Së pari, dështimi në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme i lidhur ngushtë edhe me korrupsionin galopant – ka bërë që të vijë një pikë kur njerëzit i janë kthyer kundër maxhorancës sunduese.
Së dyti, deri në fitoren e Berishës në 2005 dhe ca më pak në fitoren e Ramës në 2013 ka pasur një masë të konsiderueshme njerëzish që kanë vazhduar të besojnë tek opozita, ta ndjekin e ta mbështesin me shpresë ndryshimi për mirë.
Së treti, ka pasur një numër më të madh njerëzish që kanë vazhduar ta quajnë PS-në parti të majtë (edhe pse bën politika ultra liberiste) dhe PD-në të djathtë; bazuar tek e kaluara historike komuniste apo antikomuniste (por edhe në sajë të instrumentalizimit nga ana e këtyre partive të kësaj të kaluare).
Së katërti, ka pasur më shumë oligarkë të lidhur me njërën apo tjetrën parti, një pjesë e të cilëve, edhe për arsyet historike që përmenda, edhe për shkak të disa lidhjeve të krijuara nga privilegjet e dhëna gjatë qenies në pushtet, u kanë mbetur besnikë opozitave.
Së pesti, ka pasur më shumë shoqëri civile e intelektualë të pavarur, çka i dedikohej edhe faktit se shumë shoqata e intelektualë sponsorizoheshin nga të huajt; plus faktit se standardet e jetës më herët kanë qenë më të ulëta, kështu që mbijetesa sigurohej me më pak.
Së gjashti, shqiptarët gjithsesi kanë zhvilluar një lloj imuniteti ndaj liderit të përjetshëm për shkak të kujtimit të figurës së Enver Hoxhës. Edhe kjo ka ndikuar që, kur kanë parë delirin në rritje të liderit të maxhorancës së radhës t’i japin goditje aspiratës së tij për lider të përjetshëm.
PSE SOT RREZIKON TË MOS NDODHË MË ROTACIONI?
Së pari, duhet thënë se me gjithë rotacionet prirja putiniste ka qenë gjithnjë prezente. Partitë me në krye liderin e radhës kanë tentuar të akumulojnë sa më shumë pushtet duke eliminuar kundërshtarët dhe jo ta shpërndajnë atë për t’ia dhënë ligji dhe institucioneve. Vendimet që kanë marrë kanë qenë përherë rezultat i arrogancës jo i dialogut me opozitën, shoqërinë civile apo oponentët konstruktivë.
Së dyti, sepse të gjithë këta faktorë që përmenda, për shkaqe të degradimit të përgjithshëm të vendit, por edhe për shkak të një strategjie mjeshtërore tharëse të pemës së diversitetit nga ana e Rama&Co janë në zbehje. Duke e lënë faktorin ekonomik në fund po e nis nga të tjerët.
RËNIA E BESIMIT TEK OPOZITA
Aq i vogël është ky besim, saqë në Dibër një pjesë preferuan më mirë të marrin 2000 lekë për votë sesa të investojnë te PD-ja. Sigurisht kjo vjen për shkak të përvojës së akumuluar tashmë se do të votonin për pasurimin e të njëjtëve oligarkë me të njëjtin stil pasurimi: grabitjen.
RËNIA E NDIKIMIT TË SË KALUARËS
Varfëria, injoranca dhe kulti e parasë, si e mira që siguron të gjithë të tjerat, ka avancuar së bashku me avancimin e zhdukjes së brezave të së kaluarës, duke e bërë elektoratin gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj të kaluarës historike.
PAKËSIMI I OLIGARKËVE OPOZITARË
Në kushtet e vështirësive në rritje ekonomike dhe të politikave monopolizuese të ndjekur nga Rama&Co, të një ekonomie që gjithnjë e më shumë mbahet vetëm me para publike (kur nuk mbahet nga krimi) janë pakësuar biznesmenët që kanë mundësi të mbijetojnë nëpërmjet biznesit të tyre e t’i japin mbështetje opozitës. Për këtë zvogëlim ndikon edhe rritja e numrit të atyre që deri dje kanë ngrënë me të gjithë krahët dhe që gjithnjë e më shumë e shohin pa kuptimtë të paguajnë dy tre parti, sepse u mjafton korruptimi i njërës.
LIDERI I PËRJETSHËM
Largimi i njerëzve që janë të lodhur me këtë vend që s’po del nga tranzicioni, si dhe i gjithë atyre që nuk durojnë liderët autoritarë për shkak se ruajnë ende memorien, si dhe rritja e ndjenjës së nënshtrimit (kombinuar me faktorët e sipërpërmendur) e lehtë- son avancimin e sëmundjes së gjithëpushtetshmërisë tek Edi Rama. Shembulli më elokuent për këtë e dha vetë partia e tij që pranoi pa kundërshtim që lidershipi i tij të mos vihej në votim në Kongres, gjë kjo e pangjarë deri më sot.
EKONOMIA KRIMINALE
Putinizmi nuk mund të konsolidohet pa naftë. E pra duket se maxhoranca ka gjetur “naftën” që i mban në këmbë. Mbjelljen dhe trafikimin e drogës. E vërtetë, gjendja ekonomike është në ditët më të zeza që s’i ka njohur prej kohësh. Dhe kjo shkon në kundërshtim me argumentin tim kryesor. Pra, njerëzit duhet të ngrihen. Por Dibra vërtetoi të kundërtën. Çfarë ndikoi? Ndikoi fakti se varfërimi (i lidhur edhe me faktorët e tjerë) jo vetëm i revolton njerëzit, por edhe i shtyn të ikin, edhe i degradon duke i çuar në krim e korruptim. Të mbijetosh duke mbjellë kanabis nën mbrojtjen e policisë është edhe krim edhe korruptim njëherësh. Sot jemi në një situatë kur mbijetesa e njerëzve është gjithnjë e më shumë e lidhur me krimin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë strukturat e tyre, dhe jo strukturat partiake që lidhin politikën me popullin. Në rreth vicioz, sa më shumë akumulimi i parave shkon në duar e kë- tyre njerëzve, aq më të skllavëruar e të depersonalizuar ndjehen njerëzit derisa arrijnë të jetojnë me krim apo ta sheshin votën për 2000 lekë.
Për të gjithë këta faktorë të ndërlidhur me njëri mendoj se jemi përpara rrezikut serioz të instalimit të putinizmit.
Duhet thënë se Shqipëria nuk është e izoluar në këtë fenomen. Ajo i shembëllen shumë vendeve të botës ishkomuniste, që janë një karikaturë e problemeve që ka sot kapitalizmi që i ka shndërruar politikanët gjithnjë e më shumë në menaxherë të interesave të oligarkisë. Veçse ajo është një imitim shumë më karikaturesk dhe kriminal sepse oligarkia jonë është shumë më kriminale, për të mos thënë se është krimi vetë.
CILA ËSHTË RRUGËDALJA
Rreziku i këtij putinizmi apo fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit, indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s’duan të jetojnë me krim apo ta shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të papërfaqësuarit.
A mundet Partia Demokratike ta bëjë këtë punë. Duket një mision gati i pamundur. Më së shumti duket se kjo parti pret të trashen zullumet e kësaj bande në pushtet, derisa njerëzit të shkojnë të kërkojnë ndihmë e shpëtim te banditët e saj. Por, siç argumentova më sipër dhe siç e vërtetoi Dibra, ky variant duket gjithnjë e më i vështirë. Kështu siç është PD-ja mund të shërbejë fare mirë si parti e përjetshme opozitare në sistemin putinist.
Në këto kushte situata është tejet e rëndë dhe prapë do të thosha se rruga më e shkurtër është ajo që duket më e gjata dhe më e pamundura: krijimi i një lëvizjeje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit, me njerëz të rinj, me fytyra të reja, që ngjallin besim e shpresë. Kjo lëvizje duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, por pasi ka parë se ajo ka reflektuar dhe ka bërë ndryshime serioze dhe bindëse për të hequr dorë nga mendësia e sjelljes thjesht si një bandë që lufton me banditët e vet për të ripushtuar territoret e humbura.
Opinion i shkruar ekskluzivisht për gazetën “Panorama”. Ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi në print ose online
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al