Në ditët e para pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, disa zyrtarë dhe analistë kanë folur për mundësinë që Kina të luajë një rol ndërmjetësues apo edhe ta shtyjë Moskën në tryezën e bisedimeve, me qëllim përfundimin e konfliktit.
Por, pas më shumë se gjashtë muajsh luftë, pak vazhdojnë ta kenë këtë shpresë.
Pekini nuk i ka dhënë Rusisë hapur armë apo ndihmë ekonomike dhe këmbëngul se është neutral ndaj luftës, por mediat kineze i kanë bërë jehonë propagandës së Kremlinit, autoritetet kineze kanë forcuar ekonominë ruse duke blerë energji ruse, kanë kryer stërvitje ushtarake me Rusinë dhe kanë ofruar mbrojtje diplomatike për Moskën në organizatat ndërkombëtare, të tilla si Kombet e Bashkuara.
Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku veprimet e Kinës gjatë gjithë luftës dhe partneriteti i saj “pa kufij” me Rusinë i kanë dëmtuar reputacionin.
Estonia dhe Letonia kanë dalë më 11 gusht nga i ashtuquajturi format 16+1 – një grup ky i udhëhequr nga Pekini, që synon të zhvillojë negociata të rregullta me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe të zgjerojë ndikimin kinez në të gjithë rajonin.
Javën pasuese, një grup ligjvënësish nga Ukraina ka bërë thirrje për rishikimin e lidhjeve të Kievit me Pekinin dhe ka njoftuar për formimin e një grupi parlamentar për promovimin e lidhjeve më të ngushta me Tajvanin.
“Reagimi i popullit dhe Qeverisë tajvaneze ndaj pushtimit në shkallë të plotë [të Ukrainës] është shumë i rëndësishëm për vendin tonë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Inna Sovsun, nënkryetare e partisë opozitare të Ukrainës, Zëri, e cila i është bashkuar grupit parlamentar për Tajvanin.
“Meqenëse çështjet e sigurisë janë bërë shumë sfiduese për Ukrainën dhe Tajvanin gjatë muajve të fundit, [është] një kohë e mirë për të ndërmarrë hapat e parë në miqësinë Ukrainë-Tajvan”, shton ajo.
Nga Kievi në Bukuresht e deri në Talin, vendet në rajon – shumë prej të cilave kanë histori të veta që lidhen me pushtimin dhe agresionin rus – janë duke bërë përpjekje të distancohen nga Pekini, për shkak të qëndrimit të tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës.
Pasi ambasadori i Kinës në Moskë ka përsëritur qëndrimin e Pekinit se Shtetet e Bashkuara janë fajtori kryesor për luftën, Oleksandr Merezhko, udhëheqës i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Ukrainës, ka bërë thirrje për rishikimin e marrëdhënieve të Kievit me Kinën.
Në Estoni, ministri i Jashtëm, Urmas Reinsalu, ka thënë se refuzimi i Kinës për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës “është padyshim një faktor” që ka ndikuar në vendimin e Estonisë për t’u tërhequr nga grupi 16+1.
“Është e qartë se [presidenti rus, Vladimir] Putin përpiqet të krijojë aleanca me regjime autoritare dhe totalitare në të gjithë botën”, thotë Sovsun.
“Rruga e Ukrainës është të zhvillohet së bashku me vendet demokratike, që respektojnë të drejtën ndërkombëtare dhe janë të gatshme të kundërshtojnë agresionin e vendeve armiqësore”, shton ajo.
“Kjo gjë është zier prej kohësh”
Përpara se të pushtohej, Ukraina ka bërë përpjekje të ndërtojë lidhje të fuqishme ekonomike me Pekinin, duke riorientuar ekonominë e saj larg Rusisë. Ajo, madje, ka nënshkruar një partneritet strategjik me Kinën në vitin 2013.
Gjatë luftës, zyrtarët ukrainas kanë qenë kryesisht të heshtur për lidhjet e ngushta të Kinës me Rusinë, por, herë pas here, kanë shfaqur shpresën se Pekini mund ta përdorë ndikimin e tij mbi Moskën, për të ndihmuar në përfundimin e luftës.
Këtë qëndrim e ka shprehur në fillim të gushtit edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një interviste për gazetën “South China Morning Post”, me bazë në Hong Kong. Zelensky, megjithatë, nuk ka biseduar me presidentin kinez, Xi Jinping, pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkurt.
Qeveritë në të gjithë Evropën Qendrore dhe Lindore janë zhvendosur gjithashtu nga pozicionet e dikurshme miqësore me Kinën, edhe pse shumë prej tyre kanë filluar të ndryshojnë drejtimin përpara nisjes së pushtimit.
“Kjo gjë është zier prej kohësh”, thotë për REL-in një zyrtar baltik, por kërkon të mbetet anonim. “Për shtetet baltike, nuk ka pasur më kuptim të qëndrojnë [në 16+1]”, thotë ai.
I krijuar në vitin 2012 dhe i pranuar me entuziazëm në të gjithë rajonin, grupi 16+1 është parë si një shans për qeveritë lokale për të tërhequr investime kineze dhe për të përfituar nga pozicioni global i Kinës. Grupi është zgjeruar në vitin 2019 me Greqinë dhe ka përfshirë 12 vende të BE-së.
Marrëdhëniet midis Brukselit dhe Pekinit janë përkeqësuar viteve të fundit, për shkak të çështjes së të drejtave të njeriut. BE-ja akuzon Kinën për abuzime në Hong Kong dhe në provincën Ksinjiang.
Lituania ka qenë e para që është larguar nga formati në vitin 2021 dhe, po atë vit, është përfshirë në një grindje të rëndë diplomatike me Pekinin, për shkak të Tajvanit. Sllovakia dhe Republika Çeke janë ende në grup, por janë distancuar nga Kina dhe kanë ndërtuar marrëdhënie me Tajvanin.
Në prill, Pekini ka bërë përpjekje t’i riparojë disa dëme të shkaktuara në reputacionin e tij, duke dërguar Huo Yuzhen – përfaqësues i posaçëm i Ministrisë së Jashtme për Kinën – në turne në tetë vende, me shpresën për të ringjallur formatin 16+1. Mikpritja ka qenë e vakët, ndërsa disa zyrtarë polakë, madje, kanë refuzuar takimin me të.
“Në kohën kur Kina ushtron taktika të ngjashme ushtarake imperialiste kundër Tajvanit [siç bën Moska ndaj Ukrainës] dhe u bashkohet stërvitjeve [ushtarake] me Rusinë, është shumë e lehtë të debatosh me shoqërinë dhe me ato biznese që kanë shpresuar në përfitime ekonomike [nga Kina]”, thotë zyrtari baltik.
Evropa e re dhe Kina
Derisa ndikimi politik i Kinës mund të ketë arritur kulmin në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore, jo të gjitha qeveritë do të ndjekin domosdoshmërisht kursin e shteteve baltike.
Në Rumani, një sërë marrëveshjesh dhe projektesh me Kinën janë nënshkruar në periudhën 2012 – 2015, por që atëherë ato janë pezulluar ose braktisur.
Andrei Tiut, drejtor i programit në Global Focus Center – një institut kërkimor me qendër në Bukuresht – thotë për Radion Evropa e Lirë se ndikimi kinez në këtë vend ka ngecur, kryesisht për shkak të “presionit amerikan dhe ndoshta përfitimeve të pamjaftueshme ose të paqarta për Rumaninë”.
Ai shton se lufta në Ukrainë vetëm se e “ka forcuar këtë perspektivë”, duke u kujtuar politikanëve se siguria e Rumanisë është e lidhur me të qenët pjesë e Perëndimit dhe anëtare e NATO-s.
Ndryshe nga vendet baltike, Rumania nuk është larguar nga formati rajonal i Kinës. Tiut thotë se Bukureshti dhe vendet e tjera mund të gjejnë mënyra se si t’i zhvillojnë marrëdhëniet e tyre me Kinën në të ardhmen.
“Pasi lufta të përfundojë dhe vështirësitë ekonomike të mbeten, Kina mund të paraqitet si një ndihmesë në zhvillimin e Rumanisë”, thotë ai.
Shumëçka mund të varet nga kushtet ekonomike globale gjatë viteve të ardhshme, sidomos në BE. Derisa shumë qeveri po përpiqen t’i kufizojnë lidhjet e tyre me Kinën, të tjerat po i thellojnë ato.
Sipas një studimi të Institutit Ekonomik Gjerman, ekonomia gjermane është bërë më e varur nga Kina në gjysmën e parë të vitit 2022, pavarësisht presionit në rritje që të largohet nga kjo varësi.
Në Hungari, Qeveria e kryeministrit Viktor Orban vazhdon t’i thellojë lidhjet e saj me Kinën. Më 12 gusht, ajo ka nënshkruar investimin më të madh në historinë hungareze me kompaninë kineze Contemporary Amperex Technology Co. Limited (CATL), që është prodhuesja më e madhe e baterive në botë.
Investimi prej 7.6 miliardë dollarësh do të krijojë fabrikën e dytë të CATL-së në Evropë. Qeveria hungareze e ka klasifikuar atë si një projekt me prioritet, që do të krijojë 9.000 vende pune./REL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al