KELMENT BAÇI/ Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, i kërkoi shpjegime Ministrit të Brendshëm Bledi Çupi për mungesën e një përgjigje shteruese në lidhje me porositësit e anijes me naftë kontrabandë të nisur nga Libia dhe sekuestruar në Durrës.
Në interpelancën e zhvilluar dje në Kuvend, duke përsëritur pyetjet e dërguara gati 2 javë më parë, të mbetura sipas tij pa përgjigje, Salianji kërkoi nga ministri Çuçi kush ishte porositësi i sasisë prej 2274 tonë naftë të sekuestruar në Durrës dhe arsyet e mos arrestimit të asnjë prej personave apo kompanive pritëse. Deputeti demokrat pyeti sërish se kush nga kompanitë shqiptare i ka kapacitetet, për të shkarkuar, shmangur Agjencinë Doganore, Policinë dhe shumë institucione të tjera për të futur në treg.
Salianji akuzoi ministrin e Brendshëm dhe qeverinë se nuk e ngrenë zërin për këtë çështje, sepse ata janë të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët, pasi për shkak të bashkëpunimit që bëni me ta i kanë këmbët në një këpucë.
“I kapni dot të fortët apo jo? Aty i keni? I kap dot oligarkët dhe t’i trajtosh në mënyrë të barabartë siç kap qytetarët. E kap dot atë anijen libiane që nuk jepni dot përgjigje. Që thotë kapiteni që kam ardhur tri herë këtu që të shkarkoj. Kush i ka këto kapacitete, për të shkarkuar, për të shmangur Agjencinë Doganore, Policinë, anikontrabandën për të futur në treg. Pse nuk keni zë ju për këta. Ju jeni të fortë me të dobëtit dhe të dobët me të fortët, sepse i keni këmbët në një këpucë për shkak të bashkëpunimit që bëni me ta. Drejtuesit e Policisë i keni futur të bashkëpunojnë me llumin e këtij vendi për të grumbulluar vota dhe sot situata në Shqipëri është e tmerrshme”, deklaroi Salianji.
Pak ditë më parë, deputeti i PD-së kërkoi shpjegime nga qeveria dhe ministri i Brendshëm se përse Policia e Shtetit ka bërë ndërhyrje, pasi ka marrë sinjalizimin nga partnerët ndërkombëtarë, duke mos pritur që anija të shkojë në destinacion dhe të kapë dhe porositësit shqiptarë dhe kush ishte kompania që e kishte porositur ngarkesën e sekuestruar në portin e Durrësit, pa mbërritur në Porto Romano, aty ku do të bëhej edhe shkarkimi. Salianji ngriti shqetësimin se kush nga këto kompani ja mbyll gojën Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe Kryeministrit për t’u shprehur për kompanitë pritëse të kontrabandës në këtë vend, duke aluduar për lidhje të saj me qeverinë.
SITUATA KRIMINALE
Deputeti i PD-së kërkoi shpjegime nga ministri i Brendshëm për ngjarjet kriminale në vend gjatë muajit të fundit, teksa bëri deklaratën e fortë në lidhje me zhdukjen e të shumëkërkuarit, Ervis Martinaj. “Ngjarjet kriminale po ndodhin çdo ditë dhe Policia i gjen vetëm kur kanë problem me njëritjetrin. Ju kanë ikur personat me rekordet më të tmerrshme. Po e them këtu atë që qarkullon në zë në radhët e Policisë së Shtetit, Ervis Martinaj nuk jepni dot përgjigje sot çfarë bëhet është gjallë a vdekur. Pesë minuta para se të shkonte në hotel Policia e Shtetit e keni lajmëruar për t’u larguar se keni pasur tjetër plan. Ish drejtoi i policisë thotë që më ka rrjedhur informacioni. Ju e keni hequr vetëm se ka pasur lidhje me SHBA-në”, u shpreh Salianji.
Çuçi: Kemi zbuluar më shumë raste të kultivimit të drogës se ju
Ministri Bledi Çuçi ka replikuar në Kuvend me deputetin demokrat Ervin Salianji sa i takon situatës së kriminalitetit në vend. Ai u shpreh se vlerësimi duhet të bërë në bazë të shifrave matematikore dhe jo në bazë të opinioneve, duke rreshtuar krahasime në bazë të viteve kur kanë qeverisur PSja dhe PD-ja. Ministri deklaroi se sot duhet t’i themi faleminderit Policisë së Shtetit për punën që ka bërë në parandalimin e ngjarjeve kriminale në vendin tonë.
“Dua ta filloj këtë interpelancë me statistikat që lidhen me kriminalitetin dhe krimet e rënda në Shqipëri. T’ia lejmë matematikës dhe jo opinionit. Plagosjet e rënda i gjetën 163 raste në vitin 2013 dhe i ulëm në 140 në vitin e kaluar. Vjedhjet me pasojë vdekjen i gjetëm 6 dhe zero në vitin e kaluar. Vjedhjet me armë ishin 96 dhe u bënë 11.
Narkotikët, të gjithë indikatorët që lidhen me këto vepra penale flasim qartë për rritjen e zbulueshmërisë së rasteve. Gjeta një të vitit 2006 ku ishin evidentuar 444 raste të ndëshkimit.
Në vitin 2021 i kemi çuar mbi 3000. Te numri i vrasjeve me dashje, çdo njeri që do të mësojë të vërtetën. Në 2007 ishin 103 vrasje me dashje, 2011 me 142 viktima, në vitin 2013 107 vrasje me dashje me 124 numër viktimash dhe pas këtij viti fillon një trend zbritës deri në 2021 që e kemi ulur 61 numër vrasjesh. Këto janë statistika. Kemi edhe 8-mujorin që kemi 36 vrasje me dashje me 41 viktima. Nuk mund të jem krenar për mesatarisht 60 vrasje me dashje dhe 74 viktima në vit, por duke parë shifrat që mesatarja nga 2006- 2013 ka qenë me 105 vrasje këtu duhet të bëjmë të gjithë diferencën dhe duhet t’i themi faleminderit Policisë së Shtetit për punën që ka bërë për parandalimin e vrasjeve me dashje”, tha Çuçi.
Ministri iu përgjigj shqetësimit të deputetit të PD-së edhe për çështjen e largimit të shqiptarëve që udhëtojnë ilegalisht me gomone drejt Britanisë së Madhe.
“Për emigrantët e paligjshëm drejt Mbretërisë ë Bashkuar nuk kemi pasur ndonjëherë marrëdhënie më të ngushtë mes agjencive ligjzbatuese të dy vendeve. Është problem i Britanisë së Madhe. E dimë që pjesa më e madhe janë shqiptarë. Kemi çuar njerëz atje për t’u marrë me këto çështje. E keqja që ka rritur numrin është legjislacioni që ata kanë për këtë gjë. Shqiptarët që kanë shkuar atje janë shqiptarë që kanë emigruar në vendet e Europës dhe ikin nga vendet e Europës drejt Britanisë së Madhe”, tha Çuçi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al