Apeli zbardh vendimin: Pse nuk u dënua përjetë Kostandin Xhuvani

Oct 18, 2015 | 9:40
SHPËRNDAJE

Gjykata e Apelit Tiranë ka zbardhur arsyet përse refuzoi kërkesën e Prokurorisë për të mos i pranuar gjykimin e shkurtuar Kostandin Xhuvanit.

Nëse nuk do të gjykohej me kohë të shkurtuar, Xhuvani nuk do përfitonte uljen e dënimit me burgim të përjetshëm në 35 vjet burg. Argumentet e Apelit zbardhen në vendimin e arsyetuar të gjykatës për Xhuvanin, një kopje e të cilit është siguruar nga gazeta “Panorama”.

kostandin-xhuvani
Përmes këtij vendimi, Apeli la të pandryshuar dënimin me 35 vjet burg për Xhuvanin, të dhënë nga Shkalla e Parë më 10 mars 2015. Ai u shpall autor i ngjarjes së 4 nëntorit 2014 në Rrugën e Elbasanit në kryeqytet, ku mbetën të vrarë Enea Xhaji, Edison Jaho, Arbër Demiraj dhe Xhanpaolo Azzolo.

Treshja gjykuese e Apelit, e përbërë nga gjyqtarët Genti Shala, Lefter Jahaj e Shkëlqim Mustafa, e vlerësonin si të paarsyeshme kërkesën e Prokurorisë. Sipas Apelit, gjykimi i shkurtuar nuk mund t’i mohohet të pandehurit që e kërkon atë, vetëm për t’i hequr atij përfitimin e uljes së dënimit.

Në Gjykatën e Apelit Prokuroria kërkoi rigjykimin e Kostandin Xhuvanit në një proces ku atij të mos i pranohej gjykimi i shkurtuar. Sipas Prokurorisë, nga aktet e dosjes nuk dilnin qartë motivet e krimit të kryer nga Xhuvani, si dhe momenti i vrasjes së viktimës Arbër Demiraj. Për këtë shkak, sipas Akuzës, gjyqi nuk mund të zgjidhej përmes procedurës së shkurtuar, por përmes një procesi normal ku çdo provë të shqyrtohej në gjyq. Aktualisht dosja në ngarkim të Xhuvanit gjendet në Gjykatën e Lartë. Prokuroria i ka bërë rekurs vendimit të Apelit, duke këmbëngulur në kërkesën e saj për dënimin e Xhuvanit me burgim të përjetshëm.

ARSYETIMI

Gjykata e Apelit e ka vlerë- suar si të paarsyeshëm dhe jologjik pretendimin e Prokurorisë, që Xhuvanit duhet t’i refuzohej kërkesa për gjykim të shkurtuar. Sipas Apelit, barra e provës rëndon mbi organin e akuzës dhe prokurori duhet të provonte jashtë çdo dyshimi se Kostandin Xhuvani e ka kryer veprën penale dhe të provojë motivet e saj. Apeli shkon edhe më tej duke e konsideruar kërkesën e Prokurorisë në kundërshtim me përmbushjen e detyrës nga kjo e fundit.

“Gjykata e Apelit Tiranë, përveçse të paarsyeshëm, e gjen pretendimin e organit të Prokurorisë, se në gjendjen aktuale të akteve të prokurorit, çështja nuk mund të zgjidhet, edhe në kundërshtim me përmbushjen e detyrës. Presupozohet se, kur organi i Prokurorisë kërkon gjykimin e një të pandehuri, të paktën në pikëpamjen e organit të akuzës, fajësia e tij është e provuar dhe kërkesa për gjykim e shoqëruar me prova të mjaftueshme për akuzën”, arsyetohej në vendim.

Sipas Apelit, i pandehuri Kostandin Xhuvani ka kërkuar gjykim të shkurtuar, duke i pranuar pa debat aktet e prokurorit në gjendjen që janë servirur nga akuza, në momentin e paraqitjes së kërkesës për gjykim.

“Gjykata e Tiranës, vijonte Apeli, kishte të drejtën të çmonte se çështja nuk mund të zgjidhej në gjendjen që janë aktet e paraqitura nga organi i akuzës. Por është alogjik pretendimi i vetë organit të akuzës se çështja nuk mund të zgjidhet në gjendjen në të cilën ndodhen aktet që shoqërojnë kërkesën për gjykim. Në rast se organi i Prokurorisë kishte rezerva për zgjidhjen e çështjes, ai nuk duhej ta dorë- zonte kërkesën për gjykim në Gjykatë, pa mbaruar hetimin në mënyrë përfundimtare, i bindur se çështja mund të zgjidhet në këtë gjendje”.

KUSHTETUESJA

Duke iu referuar një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të 26 marsit 2012, Apeli argumentonte se efekti kryesor i gjykimit të shkurtuar ishte caktimi i një mase dënimi lehtësuese për të pandehurin.

Sipas Kushtetueses, gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit dhe sjell si pasojë një përfitim për të pandehurin në uljen e 1/3 së masës së dënimit dhe mosaplikimin e dënimit me burgim të përjetshëm.

“Gjykata e Apelit Tiranë çmon se në frymën e vendimit të sipërcituar të Gjykatës Kushtetuese, gjykimi i shkurtuar nuk mund t’i mohohet të pandehurit që e kërkon atë, vetëm për ta privuar të pandehurin nga përfitimi i uljes së dënimit”, përmbyllej arsyetimi i Apelit.

NGA ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura