Aplikacioni i PS, Xhemollari: Mund të kushtojë deri në 10 mijë euro, administrata nën presion para zgjedhjeve. Faktet e reja do i dërgojmë në prokurori

Feb 7, 2023 | 12:32
SHPËRNDAJE

Kreu i Qëndresës Qytetare Rigels Xhemollari ka folur ditën e sotme për aplikacionin “Aktivisti” të krijuar nga Partia Socialiste në prag të zgjedhjeve.

Xhemollari deklaroi në studion e Panorama TV se një aplikacion i tillë mund të shkojë deri në 10 mijë euro duke hedhur dyshime se paratë mund të jenë përfituar nga buxheti i shtetit. Ai shtoi se përmes këtij aplikacioni i bëhet presion administratës.

“Një aplikacion i tillë mund të shkojë deri në 10 mijë euro. Mund të jenë përfituar përmes buxhetit të shtetit. Ajo që ne riskojmë është integriteti i zgjedhjes. Duke përdorur këtë aplikacion dhe presion ndaj administratës nuk do kemi një administratë të lirë, por të orientuar dhe nën presion. Një administratë që është e detyruar që edhe personat pa vullnetin e tyre të shpërndajnë kryeministrin. Problemi është te institucionet.

Në momentin kur kryeministri dhe qeveria patronazhimin e ktheu në një formë motivimi dhe nga ana tjetër KQZ dhe gjykatat nuk vendosën penalitete për këtë fenomen, atëherë ai fillon të zhvillohet”, deklaroi Xhemollari.

Ai theksoi se në rast se konstatojnë fakte të reja në lidhje me këtë aplikacion gjatë fushatës zgjedhore, do i paraqesin ato përpara prokurorisë.

“Sot dorëzuam ankimin e parë pranë Komisionit për mbrojtjen e të dhënave personale, Në momentin kur do dalin kandidatët, do shohim nëse do kemi të njëjtin intensitet shpërndarje apo pëlqimesh në aplikacion.

Kemi të bëjmë me përdorimin e postit për fushatë zgjedhore që është edhe vepër penale që dënohet nga 1-3 vite burg. Nëse do kemi fakte të tilla do ia dorëzojmë prokurorisë. Për këtë çështje do të jemi më monitorim të vazhdueshëm”, tha Xhemollari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura