Udhëheqësi i Lidhjes sipas burimeve angleze.
Parandalimi i gjakderdhjes fetare në Gjakovë dhe mbrojtja e katolikëve të qytetit.
“Sulltani asnjëherë s’ka pasur autoritet të vërtetë, por një autoritet nominal”. Kështu thotë për malësinë e Gjakovës Kirki Gri. Kryekonsulli austriak Lipih thotë për trevën se gjithmonë ka qenë qendra e trazirave më të rrezikshme. Pikërisht aty në fshatin Shipshan, të Malësisë së Gjakovës, sot rrethi i Tropojës, lindi Ali Ibër Nezaj, por edhe udhëheqës të tjerë të lirisë dhe pavarësisë shqiptare.
Më 1878-n, në vitin e Besëlidhjes së madhe, Kirki Grin thotë: “Autoritetet kompetente më kanë siguruar mua se do të duhej një ushtri prej 80 mijë vetash për të nënshtruar fiset malore të Gjakovës, Pejës, Gucisë e Plavës..”. Me një prestigj të tillë Tropoja niste në kuvendin e Prizrenit bijtë e vet me në krye Ali Ibër Nezën) e Binak Alinë. Më 10 qershor 1878, që të dy u zgjodhën anëtarë të KQ të Lidhjes shqiptare të Prizrenit.
Në vitet e lidhjes e më pas, aktiviteti i Ali Ibër Nezës merr përmasa shumë të gjera dhe figura e tij poliedrike rri me dinjitet krahas tre katër figurave me të ndritura udhëheqëse të Lidhjes Shqiptare. Që ditën e themelimit të saj, Lidhja shqiptare u ballafaqua me një presion të gjerë e të gjithanshëm të administratës turke nga brenda, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë të vendeve të ndryshme.
Ali Ibër Nezës i takoi nderi i madh historik që të ishte si përfaqësues e mbrojtës i Lidhjes Shqiptare në disa nga momentet më vendimtare të saj. Një muaj pas krijimit të Lidhjes, më 22 korrik 1878, ushtria austro-hungareze marshon në drejtim të Bosnjë-Hercegovinës. Autoritetet turke u munduan që forcat e Lidhjes t’i drejtonin në Bosnjë kundër Austro-Hungarisë e ta linin vetë Shqipërinë pa mbrojtje. Për këtë qëllim, më 19 gusht 1878 mblidhet Lidhja. Ali Ibër Nezaj në krye të disa forcave të armatosura ngarkohet të shkojë në Novi Pazar për të marrë vesh nëse forcat austro-hungareze kanë qëllime pushtimi ndaj Shqipërisë. Këtë fakt e vërtetojmë me dokumentin nr.17 të konsullit anglez në Prizren, që mban datën 2 tetor 1879. Sen Xhoni shkruan: “Pak kohë më parë kur flitej se austriakët po marshonin në drejtim të Novi Pazarit, fisi i tij (Ali Ibrës) menjëherë propozoi t’i kundërshtonte ata, por me propozimin e tij, ai me disa pasues të vet shkuan e u takuan me austriakët, dhe pasi u siguruan se austriakët nuk do bënin pushtime, ai u kthye të qetësojë popullin e vet”. Pra, largpamësia e tij si politikan duket qartë. Me Ahmet Koronicën janë nismëtarë e udhëheqës të rrethimit të Mehmet Ali Pashës në sarajet e Abdullah Drenit në Gjakovë, në shtator të vitit 1878. Për këtë, kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm në Vjenë, më 14 shtator 1878. Kjo ngjarje pati jehonë edhe në botë, shqetësoi Portën e Lartë, si dhe fqinjët shovinistë.
Ndalja e masakres mbi te krishteret
Shovinistët ballkanas, serbë, malazezë etj. e panë fuqinë e Lidhjes dhe e kuptuan se nuk mund të realizohen koncesionet që u kish dhënë Kongresi i Berlinit. Ata përdorën gjithë arsenalin e vet për të përçarë Lidhjen. Një ndër mjetet e efektshme ishte teza dhe qëllimi për t’i dhënë karakter thjesht mysliman Lidhjes, për t’u futur përçarja midis shqiptarëve të krishterë e myslimanë. Si pikë e dobët mendohej se ishte Gjakova, për shkak se disa nga prijësit e Gjakovës ishin gjendur në mbrojtje të Mehmet Ali Pashës. U organizua një masakër e përgjakshme kundër të krishterëve të Gjakovës nëpërmjet makinacionesh, ku ishte përfshirë dhe kisha serbe e Deçanit. Në këtë ngjarje figura e Ali Ibrës (Nezaj) shkëlqeu me madhështi të plotë, duke i kaluar edhe caqet e kohës së vet. Më 2 tetor 1879, konsulli Sen Xhon shkruan: “Vitin e kaluar pas vrasjes së Mehmet Aliut, u diskutua seriozisht për shkatërrimin e kishës katolike të Gjakovës dhe një masakër të përgjithshme ndaj të gjithë të krishterëve të qytetit. Dhe ishte ndërhyrja e Ali Ibrës që e ndaloi këtë fatkeqësi. Ali Ibra më njoftoi mua se të gjitha persekutimet e tanishme kundër të krishterëve të Gjakovës kryhen vetëm për shkak të urrejtjes fanatike që kanë dy zyrtarë qeveritarë kundër tyre. Njëri është Kareman Beu, kajmekami dhe tjetri Hasan Aga, një oficer i zaptijeve, djali i Sadik Agës dhe ai deklaron se që të dy duhen ndaluar”. Këtë mision të lartë patriotik, mbrojtjen e popullsisë së krishterë që në fakt ishte mbrojtja e Lidhjes kundër përçarjes, Ali Ibra e vazhdoi gjithnjë duke mbetur figura qendrore e Lidhjes në këtë aspekt. Këtë fakt e vërtetojnë shumë dokumente të viteve 1879-1880. Për të ilustruar këtë fakt, citojmë vetëm një fragment nga dokumenti nr.22 i datës 6 tetor 1879 të konsullit anglez në Prizren: “Ali Ibra i cili është kryetar i fisit më të fuqishëm të të gjitha fiseve malore të kësaj krahine, ka treguar gjithmonë një prirje dashamirësie ndaj popullsisë së krishterë dhe për më tepër ai më premtoi se mbrojtja e tij do të vazhdojë dhe se ai do ta quajë si detyrën e tij të ndërhyrjes për çdo rast persekutimi kundër të krishterëve”.
Fama dhe personaliteti i tij i madh zgjuan interesim të jashtëzakonshëm të diplomacisë angleze. Ky interesim zgjati me intensitet të shtuar edhe në vitet 1880-1881. Më datë 6 tetor 1879, nr dok. nr. 22, konsulli Sen Xhon i propozon qeverisë së Londrës që të ndërhyjë pranë sulltanit për t’i dhënë grada dhe tituj. Përveç qëllimeve të tjera, në situatën kur popullsia shqiptare ishte revoltuar kundër konsujve (konsulli rus Jastrebov ish i kërcënuar për vdekje) Sen Xhoni nuk e ndien veten të sigurt dhe kërkon mbrojtje për të siguruar jetën e vet.
Në 1879 agjenturat e huaja u hodhën dendësisht në malësitë e Shqipërisë, Mark Milani organizoi një pikë informative në Manastirin e Deçanit. Problem kardinal ishte ai i Plavës e Gucisë. Në fundin e tetorit të 1879-s malazezët kërkojnë takim me më të parët e Rekës, Malësisë, Pejës, Gjakovës e Rugovës. Nga Malësia e Gjakovës shkuan shtatë burra: Ali Ibra, Man Avdia, Qerim Binaku, Halil Brahimi, Ali Hoxha, Ahmet Sadria e Bek Dini. Dërgata malazeze kryesohej nga Todor Milan, ndërsa malësorët nga Ali Ibra. Të dy këta kryesuan bisedimet. Asnjë pikë pajtimi nuk patën për çështjen e Plavës e Gucisë. Ali Ibër Nezaj mbylli bisedimet me fjalët: “Bje në rrafsh të Velikës t’i përpjekim armët se edhe Dukagjinin me ta lëshue nuk të duhet gja se mashkull të gjallë nuk të la, veç ta le Cernogoren me çika e gra”. Në janar 1880 zhvillohet beteja kundër 12 mijë forcave të Mark Milanit, betejë që ka hyrë në histori. Ali Ibra komandoi forcat e Gashit, të cilat hynë grykës së Selbicës e dolën në Kofilace mbi Plavë. Muhtar Pasha, valiu i ri i Kosovës, i cili ishte ngarkuar të dorëezonte Plavën e Gucinë, jo vetëm që dështoi, por u kërcënua se do ta priste i njëjti fat si i Mehmet Ali Pashës.
Në vitet 1880 rriten kërkesat për autonomi, por komiteti i vjetër drejtues i Lidhjes kishte rënë në pasivitet. Në këto kushte, Sulejman Vokshi, Ali Ibra, Ahmet Koronica e Haxhi Jonuzi krijuan më 21 mars 1881 në Gjakovë Lidhjen e re, që në fakt këtu e tutje mori pushtetin në dorë.
Tetë ditë më vonë, më 29 mars, Ali Ibra vetë i dymbëdhjetë nga Malësia e Gjakovës takohet në Prizren me Muhtar Pashën, takim aq shumë i dëshiruar nga valiu i Kosovës, Muhtari. Ata i kanë deklaruar veliut se nuk largohen nga Prizreni pa ia arritur qëllimit të tyre, autonominë.
Dekorimet e papranuara te sulltanit
Konsulli anglez shkruante se kishin mbi 600 veta të armatosur me vete. Lidhja e re kaloi në aktivitet të vrullshëm. Muhtar Pasha kurrë nuk pati sukses me Ali Ibrën, edhe pse u përpoq ta tërhiqte nëpërmjet gradave që ia akordoi Sulltani.
Më 13 ramazan 97 sipas kalendarit islamik, që i bie 18 korrik 1880, duke iu përgjigjur shkresës që i drejton kryeministri turk për dekorimin e Ali Ibrës, kryesekretari i pallatit të sulltanit, Ali Riza, shënon: “Ali Ibra dekorohet me medaljen e Mexhidie të klasit IV, të cilën s’e pranoi kurrë. Brenda vitit sulltani kishte lëshuar dy dekrete për dekorimin e Ali Ibrës, të cilat s’i pranoi”. Ndërkaq, pas 57 vjetësh, qeveria e Ahmet Zogut, më 1937, sipas dok I/41 që gjendet në Arkivin e Shtetit, propozon për dekorime Ali Ibrën (37 vjet pas vdekjes).
Më 1880 kur pati disa lëkundje në disa krerë të Lidhjes, disa zyrtarë e persona filluan të ktheheshin. Më 6 maj 1880, konsulli austriako-hungarez Valdhard nga Prizreni njofton baronin Hajmerleper: “.. sikurse kam pasur nderin të raportoj nga të shtatë personalitetet e dëbuara nga Prizreni nga ana e Lidhjes në kohën e Muhtarit, Shaban Efendiu të ndodhet në Konstandinopul te djali i tij, ndërsa adjutanti i sulltanit, Shaip Abedin Efendi, te valiu në Prishtinë, ndërsa pesë të tjerët janë kthyer para disa ditësh nga manastiri në Prizren me pëlqimin e Muhtar Pashës. Por ky kthim nuk u pëlqen kryetarëve të malësorëve dhe këshillave të tyre dhe, në bazë të një kërkese të Lidhjes paraqitur dje mysafirit Ali Efendiu me disa shokë të tij, vendosën të bëjnë një takim me malësorët në malësi me qëllim të pajtoheshin me Ali Ibrën, Ali Pashën (e Gucisë) dhe bajraktarët e tjerë”.
Në dhjetor 1880, riorganizohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit por me një destinacion të ri, si organ për realizimin e autonomisë së pushtetit kalon në duart e elementëve të vendosur Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni, Ali Ibra dhe Shuaip Spahiu. Avdyl Frashëri erdhi fshehurazi nga Stambolli ku mbahej në mbikëqyrje. Komiteti i Lidhjes e shpalli veten “Guvernë të përdorme” (Qeveri e përkohshme). Ali Ibra ishte anëtar i kësaj qeverie i ngarkuar me mbrojtjen dhe sigurinë. Megjithëse me një autoritet paksa të kufizuar, ai është në fakt kabineti i parë qeveritar shqiptar pas kohës së Skënderbeut. Në Gjakovë, Lumë, Kumanovë, Tetovë, Pejë, Guci, Prizren, Prishtinë, Shkup, Mitrovicë, Vuçiternë, Gjilan, Gostivar, Dibër u dëbuan autoritetet turke e u vendos pushteti i Lidhjes dhe “Guvernës të përdorme”.
Mbrojtja e lidhjes
Por Porta e Lartë s’mund ta linte të jetonte Lidhjen. Sulltani dërgoi gjeneralin plak e gjakatar Dervish Pashën, për të shuar me gjak Lidhjen Shqiptare. 3000 forca nën komandën e Ali Ibrës e Mic Sokolit zunë Shtimjen. Ndërsa forcat e tjera nën komandën e Sulejman Vokshit zunë Cërnalevën.
Ali Ibër Nezës i takoi nderi historik që të jetë njëri ndër tre komandantët e njërës prej betejave më të mëdha të shekullit XIX për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në këtë betejë, ku ushtria turke la 1800 të vrarë, forcat e Lidhjes u thyen. Ali Ibra u plagos rëndë në këmbën e djathtë. Epika popullore thotë: “Ali Ibra në vraç të zi, po i shkon gjaku deri në zingji….” Qytetet e Kosovës ranë një nga një me përjashtim të Gjakovës. E vetmja kështjellë e papushtuar mbeti malësia e Gjakovës, Tropoja, ku erdhën edhe Sulejman Vokshi e Ymer Prizreni. Ata qëndruan për disa kohë në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan. 50 vjet më vonë do të qëndronte në të njëjtën shtëpi për shumë kohë një figurë tjetër e shquar e historisë shqiptare, Hasan Prishtina.
Më 7 maj, konsulli Shmuker nga Shkupi njofton ministrin e Jashtëm në Vjenë se 2000-3000 malësorë të Gashit e Krasniqes janë mbledhur pranë qafës së Morinës. Ata kanë edhe dy topa që i kanë marrë në Guci, thotë ai, dhe janë të vendosur për vazhdimin e rezistencës.
Ndërsa më 18 qershor 1881 kryekonsulli Lipih nga Shkodra lajmëron ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Sulejman Vokshi bashkë me Ali Ibrën mori kryesinë dhe sot që është shpirti i opozitës në malet e Gjakovës, i refuzoi të gjitha ofertat e marshallit dhe kanë mbetur deri tani të papërulur, por besohet se është në plan një atentat kundër tij. Ali Ibra që u konsiderua i vdekur, u shërua prej një plage që mori në Shtimje, e cila shkaktoi zërat e vdekjes së tij”. Sulejman Vokshi qëndroi 5 muaj në shtëpinë e Ali Ibrës në Shipshan.
Më 9 tetor 1881, konsulli Shmuker njofton nga Prizreni ministrin e Jashtëm të Vjenës, Hajmerle: “Të mërkurën, më 5 tetor, zbritën në qytetin e Gjakovës së bashku me krerët e Malësisë dhe të Rekës, Sulejman Aga Vokshi dhe Ali Ibra, të cilët në kohën e sundimit të Lidhjes konsideroheshin si shefa më me influencë dhe më aktive të fiseve malore, duke qenë të përcjellë prej 200 të armatosurve. Për të evituar konfliktet dhe për t’u frymëzuar besim delegatëve të tyre, ishte dhënë urdhër që trupat të qëndronin në kazermat e tyre”. Ali Ibra e Sulejman Vokshi me krerët e tjerë i paraqitën në formë ultimatumi qeverisë programin e tyre, që përmbante shumë pika. Shmiker shkruan: “Për aq sa duket, Dervish Pasha ka probabilitet që të marrë në konsideratë pjesën më të madhe të këtyre kërkesave dhe e gjithë do të gjejë gradualisht përfundimin e saj në komandimin e Sulejman Vokshit, Ali Ibrës…”
Më 9 nëntor 1881, në Gjakovë bëhet një mbledhje me gjithë përfaqësuesit e malësive. Mbledhja kryesohet nga Sulejman Vokshi e Ali Ibra, dy figurat e fundit të patundura të Lidhjes shqiptare. Mbledhja kërkon lidhjen e një bese të re. Po ashtu më 9 tetor konsulli austro-hungarez Shmuker i shkruan Fon Kollajt, ministrit të Jashtëm të Vjenës: “…Krahas me organet e portës, ne posedojmë edhe një lloj qeverie provizore, kështu vazhdon të më shkruajë konfidenti im-, ose të themi më mirë, një formë TRIUMVIRATI të përbërë nga shefat Sulejman Vokshi, Ali Ibra dhe bajraktarit të Krasniqes, që është nominal, por në fakt organi që i shkon me tepër fjala në rrethin e Gjakovës… Flitet se Ali Pasha është bashkuar fshehurazi me fiset malore të Gjakovës dhe i bashkuar me ta, ai shpreson që me kalimin e kohës të formojë një shtet të vogël brenda në shtet”… Pra, Gjakova mbeti përherë në duart e kryengritësve. Dervish Pasha, me tituj, grada e terror, me format e tij theu shume krerë të Lidhjes. Sipas burimeve popullore edhe Ali Ibër Nezës i dha titullin “Pashë”, me rekomandimin e sulltanit, por Ali Ibra e hodhi poshtë me indiferentizëm e përbuzje. Ai nuk e zëvendësoi kapuçin, plisin e bardhë shqiptar me festen e kuqe turke.
Ali Ibër Nezaj vazhdoi përpjekjet e tij për çështjen kombëtare deri në fund të jetës se tij. Vdiq në sarajet e tij në Osek, në dalje të Gjakovës, ndërkohë që ky qytet do të ketë dhe një shesh me emrin dhe shtatoren e tij.
(Përgatiti: Alma Mile)