FRANO KULLI
PSE DO TË MBAHET MEND GJATË MINISTRI SHQIPTAR
Në cepin e oborrit të shtëpisë sonë në breg të detit, një oborr i yni i përbashkët i katër shtëpive në dy kulme, unë kam mbjellë një arrë. Gati njëzet vjet më parë e kam mbjellë. Në fillim në një vazo të madhe me dhé të përzierë me pleh organik. E pastaj, diku pas nja dy vjetësh, pata hapë një gropë nja një metër me një metër dhe arrën, me gjithë bukë-dheun e vet që kishte pas në vazon e madhe e futa në gropë… Tani arra është aq e madhe sa, në verë mbulon me hijen e saj një pjesë të mirë të oborrit. Se, në fillim, ashtu si për hije e pata mbjellë.
A ndoshta më tepër si falënderje për sjellësin e kokrrës së arrës-farë. Për Ahmet Osjen e miqësinë me të. Profesor Ahmeti, miku i mrekullueshëm i miqve të panumërt, atë kokërr arre e kishte sjellë nga Amerika, siç më pati thënë. E mbaj mend si tani, ditën kur ma dha; një arrë me një formë gjashtëkëndëshe, aspak e ngjashme me frutin që kishim njohur deri atëherë. Një varietet i papamë e i panjohur prej meje e, besoj prej shumë e shumë të tjerëve; më e vogël se arrat që ne njohim e pak më e madhe se një lajthi. Nuk u zgjat me këshillat se si mbillet e ç’fruta bën… A ndoshta mu duk mua kështu, se mbase iu shfaqa shpejt kurreshtjeshuar e menjëherë kaloi në bisedat për librat e për historinë tonë.
Pa harruar të çekte numrin e ditëve me diell në Shqipëri, faunën dhe florën e mundësitë e pakufishme të bimësisë së shumëllojshme që mund rritej e zhvillohej tek ne. Vijoi me theksin e tij të përzemërt gjithashtu e, që nuk mungonte asnjëherë në bisedat me té, për vendin e dytë që zëmë në Europë për rezervat ujore. Si shenja begatie të paanë e mundësi prosperiteti pakufi. Ky ishte rituali i çdo bisede që profesori bënte. Me secilin prej bashkëbiseduesve kështu, si kur takohej veçmas a në tavolina në bare ku pinte veç kafe dhe kjo qarkullonte si fëshfërimë në bisedat e rastësishme të miqve të përbashkët.
-Nuk di a ta kam thënë se im atë ka punuar në shtypshkronjën “Nikaj” të dom Ndocit. Dom Ndoc Nikajt… Vinte prej Pulajve të Velipojës – e biseda vijoi pastaj me pasionin për librin e dijen, lindjen e të cilit e lidhte me fëmininë. Këtë e dëgjoja për herë të parë e, natyrisht më bëri më shumë kureshtar se shumë herë të tjera. Dhe, si në vegim më vijnë sa e sa tituj librash të ndërmjet viteve ’20-’40 të shekullit të shkuar, që mbi kopertinat e tyre, të zverdhéme prej kohës mbajnë shënimin “Shtypshkronja “Nikaj”. Emërtesa, të cilat, asokohe përmbanin në një edhe shtypshkruesin edhe botuesin. Kohëve të fundit ne kishim ribotuar “Histori e Shqypnis’”, që kishte për autor D. Ndoc Nikaj, autorin e romanit të parë shqiptar “Marcja”.
Ne i kishim përmbledhë të dy vëllimet në nji. I pari ishte shtypë në Bruksel me 1902, për të cilin kishte ndërmjetësuar Faik Konica, i cili asokohe botonte atje revistën e tij “Albania” dhe i dyti, i botuar me 1917, në shtypshkronjën e tij, sjellë pak vite më parë në Shkodër; një botim anastatik, ku dallohej qartë kualiteti i ndryshëm tipografik. Ia dhurova librin, e kujtoj si tani se u gëzua fort; më fort se herë të tjera edhe pse, ai ishte pasionant e optimist “i pandreqshëm”… Po nuk është kjo arsyeja pse unë ndala në këtë ndodhi krejt të përveçme ndërmjet dy miqve, njëri prej të cilëve u bënë ca vite që është ndarë këso jete. E gjitha pak kujt do t’i interesonte; do të përbënte fare pak interes publik pra, nëse nuk do të ishte fjala për Ahmet Osjen, profesorin ditunar e gjithëpamës, me një oratori fantastike e, familjar prej së vërteti me mjaft fusha të dijes. Përpos asaj të agronomisë, që ishte profesioni, të cilit i ishte dedikuar, po kështu plot pasion, qysh në rininë e hershme…
Në fundin e regjimit, profesor Ahmetin e patën bërë edhe ministër të Bujqësisë. Kund nja dy muaj ndenji ministër. Tamam në atë kohën në kapërcyell të sistemeve, kur Ramiz Alisë i duheshin ca penelata për me e bojatisë disi regjimin e tij të ndryshkun fort, deri në të këputun. Nuk është se bëri shenjë në atë post edhe Ahmeti, mbasi atyre ditëve postet ministrore ishin, si me thanë, të “shkruara në akull”.
Vinin e iknin më shpejt se sa kishin ardhë dhe shërbenin vetëm si amortizatorë të trandjeve të tranzicionit të ndërrimit. Por edhe në këto rrethana ai e la një shenjë. Ahmet Osja mbahet mend e do të mbahet gjatë , mesa duket, si i vetmi ministër shqiptar që udhëtonte me tren. Qysh se ishte krijue shteti shqiptar e deri sot ai ishte i pari dhe i vetmi, i papërsëritshëm, në këtë mënyrë sjelljeje ministrore… Si pikë referimi përballë nevojës shungulluese për ti parë ministrat tanë atëherë e sot e përgjithmonë, si njerëz që dinë edhe të udhëtojnë si njerëz… E jo si qenie të neveritshme, që posti i transplanton në gjendje prej plasteline. Ahmetin e morën dhe e bënë ministër nga Instituti i Misrit dhe i Orizit në Shkodër. Aty ka pas qenë krijuar asokohe një mit…Miti i studiuesve agronomë akademikë si Hysen Laçej e profesor Ahmeti e pak të tjerë, që e kishin ngritur atë institut me farëra të sjella “ilegalisht” nga Europa.
Rrëfimet vinin ndër veshët e njerëzisë në formën e legjendës. “Heronjtë” e legjendës, agronomët e atyshëm, shkolluar kush këtu e kush jashtë, në vendet e Europës lindore ishin kthyer prej vizitave të kufizuara nga jashtë me kokrra farnash nëpër xhepa e me to, pastaj kishin krijuar aty në qendrën e tyre studimore aso hibridesh, kultivarë që kishin arritë prodhimtari të lartë, përtej kufijve të ëndrrës për bujqit shqiptarë e bujqësinë e deriatëhershme. Deri në 150 kuintalë misër për një hektarë të mbjellë. Në të vërtetë ai mit përrethonte Hysen Laçejn, që ishte edhe drejtuesi i atij Instituti dhe perceptohej e transmetohej, në mënyrë orale taman si një mit, ndoshta edhe për rrethanat e Shqipërisë së mbyllur… Nuk e di. Porse ja, që “legjenda” përmendet e kujtohet edhe sot.
Madje përsëritet. Në trajtë e në formë disi të përngjashme…
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al