Gjykata e Posaçme ka lënë në burg Astrit Avdylajn, i cili u arrestua dy ditë më parë (29 Qershor) në banesën e tij në Shijak.
Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, kreu i bandës së Shijakut nuk ka dhënë asnjë deklarim. Astrit Avdyli u kap mëngjesin e së shtunës kur efektivët e RENEA-s dhe policisë së Durrësit “zbarkuan” në banesën e tij në Shijak.
Ai tentoi të largohej duke ikur me vrap nga pjesa e pasme e banesës, por u vendos në pranga nga RENEA. Në momentin e arrestimit Astrit Avdylit iu gjet edhe një pistoletë.
Astrit Avdyli ishte në kërkim në kuadër të megaoperacionit të SPAK ku u lëshuan 50 urdhër arreste.
Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme lëshoi 50 urdhër arreste për persona të dyshuar si pjesë e 7 bandave kriminale, nga të cilat 14 u ekzekutuan në Shqipëri, dhe 6 të tjera në Itali, Gjermani, Spanjë dhe Belgjikë. Operacioni “Revanshi” u zhvillua në datat 17 dhe 18 maj dhe një pjesë e mirë e personave ndaj të cilëve u lëshuan urdhër arrestet, ndodhen prej kohësh jashtë vendit.
Në listën e personave që janë në kërkim rezulton dhe ish deputeti socialist Arben Ndoka, i dyshuar si kreu i njërit prej grupeve si dhe vëllai dhe i afërmi i një tjetër deputeti të shumicës, Eduard Ndreca.
Sipas SPAK, karakteristikë e këtyre grupeve është dhuna e egër në kryerjen e krimeve. Hetimet kanë zbuluar lidhjet mes tyre, aleancat dhe armiqësitë që kanë qenë burim i vrasjeve dhe tentativave për vrasje, mes anëtarëve të grupeve.
Gjatë operacionit për ekzekutimin e urdhërave të arrestit, janë ushtruar kontrolle në 50 banesa, në Tiranë, Durrës, Vlorë, Shkodër, Lezhë, Rrëshen, Kurbin, Fushë-Krujë dhe Krujë, ku ishin dhe bazat e grupeve.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar automjete të blinduara, bizhuteri, lingota floriri dhe vlera monetare, për një total prej afro 4.5 milionë euro, nga të cilat 3 milionë euro janë cash.
Rekrutimi i vrasës me pagesë për të eliminuar kundërshtarët
Nga hetimet rezultoi se Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë prej gushtit të 2022 bëri aleancë me grupin kriminal të drejtuar nga ish deputeti socialist Arben Ndoka.
Qëllimi i tyre ishte ekzekutimi i kundërshtarëve dhe njëri prej tyre, Durim Bami.
Arben Ndoka dyshonte se Durim Bami kishte marrë pjesë në vrasjen e vëllait të tij, Aleksandër Ndoka ndërsa Martinaj dyshonte se ai bashkëpunonte me kundërshtarët e tij, Indrit Dokle e Leonard Duka.
Për kokën e Durim Bamit në ndihmë të Ervis Martinaj e Arben Ndokës vjen Emiljano Shullazit dhe Astrit Avdyli të cilët ndodheshin atëkohë në qeli.
Emiljano Shullazi kontaktoi një nga të besuarit e tij për vrasjen e Bamit si dhe siguronte informacione për lëvizjet e tij dhe ia dërgonte Arben Ndokës.
Megjithatë atentatet ndaj Durim Bamit dështuan. Ky i fundit nga ana tjetër, shfaqet në konflikt të hapur me grupet e Martinajt e Ndokës. Durim Bami bën aleancë me grupet e kundërshtarëve të Martinajt që drejtoheshin nga Leonard Duka dhe Indrit Doklen si dhe tentuan vrasjen e Martinajt, por dështuan derisa mbeti i bixhozit u zhduk pa gjurmë.
Bami tentoi edhe vrasjen e Arben Ndokës. Gjatë kësaj kohe, Durim Bami me ndihmën e ish-oficerit të RENEA-s Altin Morina kultivonin lëndë narkotike.
IKJA E TË KËRKUARVE
Sipas të dhënave kofidenciale, disa prej personave që kanë emrin në listën e madhe prej 51 personash të SPAK kanë qenë brenda territorit të Shqipërisë deri pak ditë para se sa të niste operacioni. Dhe konkretisht dy vëllezërit Bami.
Madje kane qenë në Fushë-Krujë e kanë lëvizur edhe nëpër fshatrat ku kanë ndikimin e tyre. Po ashtu, sipas të dhënave policore, edhe kolegët e tyre, kanë qenë brenda vendit, por janë larguar rastësisht dhe policia nuk mundi t‘i gjente gjatë operacionit. Sipas të dhënave të SPAK, një mori personash të listës së gjatë rezultojnë të jenë ose nën një masë sigurimi, ose në burg për akte të tjera të rënda kriminale.
Po ashtu në listë janë të përfshirë edhe Endrit Dokle me Kasandër Nogën, Gjergj Cukalin e Xhelal Rrajën. Lulzim Berisha me Plaurent Dervishajn nuk janë në listën e SPAK, ndërkohë që janë të përfshirë edhe emrat e Shullazit me Imerajn, të dy të lënë në burg për atentatin e bujshëm ndaj Vajdin Lames ku u vra bashkë me mikun e tij.
Tashmë pritet të verifikohen rolet e secilit prej personave që janë me mandat arresti, ku bie në sy familja e Arben Ndokës, me 5 anëtarë të shpallur në kërkim, katër prej tyre pasi njëri është nën një masë sigurimi. Do të verifikohen të gjitha ngjarjet ku mendohet se janë të përfshirë, sidomos grupet që thuhet që kanë bashkëpunuar me Ervis Martinajn, edhe pse për këtë të fundit ende nuk ka asnjë të dhënë se ku gjendet dhe cili është fati i tij prej gushtit të 2 viteve më parë!
PERSONAT ME URDHËR-ARRESTE
1. Arben Ndoka
2. Arian Tuku
3. Ilia Ndoka
4. Samuel Ndoka
5. Vinçens Tuku
6. Ervis Martinaj
7. Jozi Kraja
8. Astrit Avdyli
9. Aldo Avdyli
10. Miri Bruli
11. Naim Stafuka
12. Emiljano Shullazi
13. Blerim Abazi
14. Elvis Ndreca
15. Oltion Zefi
16. Edson Jozëik
17. Armando Ndreca
18. Kasandër Noga
19. Elson Reçi
20. Besian Xhixha
21. Enver Diva
22. Robert Laçi
23. Fatmir Troplini
24. Klodian Shahini
25. Henerigert Mitri
26. Gjergji Cukali
27. Kristos Teta
28. Denis Meta
29. Gentian Binjaku
30. Viktor Imeraj
31. Satilno Basho
32. Marklen Haka
33. Tori Xheçuka
34. Edison Muçeku
35. Albert Zaja
36. Florenc Kelmendi
37. Ardit Gjokrosa
38. Deivis Bajramaj
39. Adrian Pikli
40. Durim Bami
41. Endrit Dokle
42. Xhelal Rraja
43. Altin Morina
44. Leonard Duka
45. Erlis Duka
46. Fatmir Hyseni
47. Altin Gega
48. Drianto Bardhi
49. Fabio Ballabani
50. Elton Zalla
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të 4 procedimeve penale (Nr.59, të vitit 2022, i cili është bashkuar me procedimet penale Nr. 66, të vitit 2022, Nr. 33, të vitit 2024, dhe Nr. 50, të vitit 2024), ka evidentuar kryerjen e veprave penale të rënda nga 7 grupe të strukturuara kriminale me fuqi të konsiderueshme dhe me shtrirje gjeografike të aktivitetit të tyre kriminal në disa nga qytetet kryesore të vendit si Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Fushë Krujë dhe Rrëshen.
Në kuadër të procedimeve penale të mësipërme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke ka shtrirë hetimet edhe në këto shtete për anëtarët e dyshuar të këtyre grupeve kriminale të përfshirë në vepra penale të kryera në Shqipëri, si dhe në disa vende të tjera në Bashkimin Evropian.
Operacioni i Drejtuar nga SPAK dhe i dakortësuar me Europol më datë 17 maj 2024, zgjati për rreth 20 orë, ku u angazhuan afërsisht 30 hetues të BKH-së, forcat RENEA, Policia e Shtetit, si dhe Europol i cili caktoi një Oficer pranë SPAK për të mbështetur këtë Operacion. U kryen veprime hetimore në qytetet e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës, Lezhës, Rrëshenit, Kurbinit, Fushë-Krujës dhe Krujës. Gjatë këtyre veprimeve hetimore u ushtruan kontrolle në rreth 50 ambiente banimi.
Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pasuri me vlerë të përafërt mbi 2.996,760 euro, ku përfshihen:
- 2.996,760 Euro cash;
- Sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta;
- Ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 Euro;
- Armë zjarri;
- Targa të përshtatura automjetesh;
- Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro);
- Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.
Bazuar në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.49, datë 15.05.2024, ka vendosur caktimin e masave të sigurisë personale “arrest në burg”, për 50 shtetas të dyshuar si autorë të kryerjes së veprave penale, konkretisht për shtetasit A.N, A.T, I.N, S.N, V.T, E.M, J.K, A.A(alias A.B, alias A.S), A.A( alias E.A), M.B, N.S, E.SH, B.A, E.N, O.Z, E.J, A.N, K.N, E.R, B.XH, E.D, R.L, F.T, K.SH, H.M, GJ.C, K.T, D.M, V.I, S.B, M.H, T.XH, E.M, A.Z, F.K, A.GJ, D.B, A.P, D.B, E.D, XH.RR, A.M, G.B, L.D, E.D, F.H, D.B, A.G, F.B dhe E.Z.
Nga këto urdhër arreste, 14 prej tyre janë ekzekutuar në Shqipëri dhe 6 jashtë vendit ku falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me homologë të tyre është bërë e mundur arrestimi i shtetasve shqiptarë në Itali (2 persona), Gjermani (1 person) dhe Spanjë (1) dhe Belgjikë (2).
Gjatë hetimeve intensive të kryera është bërë e mundur dokumentimi i aktivitetit kriminal të personave të dyshuar, si dhe identifikimi i disa prej autorëve të ngjarjeve kriminale dhe të kryerjes së veprave penale, që janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si më poshtë:
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim të shtetasit SH.K., ngjarje e ndodhur më datë 01.02.2021 në qytetin e Fierit;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen për gjakmarrje, të mbetur në tentativë, të shtetasit P.GJ. dhe të shkatërrimit të pronës me eksploziv, e ndodhur më datë 15.09.2020, në qytetin e Tiranës;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me paramendim, të mbetur në tentativë, të shtetasit D.B., e ndodhur më datë 04.11.2020, në zonën e Krujës;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit E.M., e ndodhur më datë 04.07.2020, në qytetin e Burrelit;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për vrasjen me dashje, të mbetur në tentativë, të shtetasit H.T. dhe shkatërrimit të pronës, e ndodhur më datë 18.05.2020, në fshatin Zenisht të Matit.
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit D.B, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit P.GJ., gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.G, L.D dhe A.G, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve F.H. dhe A.H., gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit E.M, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasit A.N., gjatë vitit 2021;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për sigurimin e kushteve, për vrasjen e shtetasve E.M. dhe T.XH., gjatë vitit 2021;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast shitje bimësh narkotike canabis sativa, dhe trafikimi të lëndëve narkotike, në një vend kufitar me Republikën e Shqipërisë gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për një rast dhënie ndihmë për kalim të pa ligjshëm të kufijve, në vitin 2020;
- Identifikimi i autorëve të dyshuar për pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, në Republikën e Shqipërisë;
- Identifikimi i autorëve të disa rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, gjatë viteve 2019-2020;
- Identifikimi i autorëve të mbajtjes pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioneve, për disa raste kriminale, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorëve të një rasti të organizimit ose ushtrimit të veprimtarive të lojërave të fatit, në kundërshtim me ligjin, gjatë vitit 2020;
- Identifikimi i autorit të një rasti të korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike;
- Identifikimi i autorit të një rasti të shpërdorimit të detyrës, nga persona që ushtrojnë funksione publike;
- Identifikimi i autorëve të një rasti të goditjes ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore;
- Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale.
Cilësojmë se, këto grupe kriminale dyshohet se kanë kryer veprat penale me pasoja të rënda të jetës dhe shëndetit, si edhe në drejtim të pasurisë. Disa nga veprat penale më serioze për të cilat këto grupe po hetohen janë: “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë e kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kultivimi i bimëve narkotikeve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, , “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurim i kushteve për kryerjen e vrasjes”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”etj.
Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga këta veprime kriminale. Pjesëtarë të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri – tjetrit.
Në qendër të këtyre grupeve kriminale është grupi kriminal i krijuar dhe drejtuar nga shtetasi E.M., i cili është në aleancë me grupin kriminal që vepronte në qytetin e Lezhës të drejtuar nga shtetasi A. N. Këta dy grupe kriminale, për arritjen e qëllimit kriminal kanë kontaktuar anëtarë të një grupi tjetër kriminal i cili vepronte në qytetin e Durrësit. Gjithashtu, të dy këto grupe kriminale kanë rekrutuar vrasës me pagesë të cilët veprojnë kryesisht në zonën e Fushë – Krujës dhe në zonën e Burrelit. Po kështu për të realizuar qëllimet kriminale E.M., kontakton shtetasin V.I., i cili sapo kishte përfunduar vuajtjen e dënimit me burgim i kërkon vrasjen e shtetasit F.H. Në ndihmë të grupeve kriminale të drejtuara E.M. dhe A.N., vijnë edhe shtetasit E.Sh. dhe A.A., të cilët edhe pse në kushtet e paraburgimit ndihmojnë E.M. dhe A.N., në realizimin e qëllimit kriminal që është vrasja e D.B. etj.
E.SH. kontakton me të hetuarin T. B., të cilit i kërkon vrasjen e D.B. Po kështu E.SH., siguron informacione për lëvizjet e D. B. Dhe këto informacione i’a vë në dispozicion shtetasit A.N.
Nga ana tjetër në zonën e Fushë Krujës spikat grupi kriminal i drejtuar nga shtetasi D. B., i cili shfaqet në konflikt të hapur me grupet kriminale të drejtuara nga shtetasit E.M. dhe A.N. Grupi kriminal i drejtuar nga D.B., bën aleancë me një grup kundërshtar të shtetasit E.M., dhe që drejtohet nga shtetasit L.D. dhe F.H., persona me precedentë të theksuar kriminal me qëllim vrasjen e E.M. dhe A.N. dhe anëtarëve të tjerë të këtyre grupeve kriminale.
Hetimet kanë evidentuar ekzistencën edhe të një grupi tjetër kriminal të drejtuar nga shtetasi E.R. Ky shtetas me qëllim hakmarrje ka organizuar vrasjen e shtetasit P.Gj., ku në datën 15.09.2020, ky i fundit ka mbetur i plagosur rëndë si pasojë e shpërthimit me eksploziv të automjetit me të cilin udhëtonte. E.R., ka rekrutuar si pjesë të grupit shtetasit E.D., B.Xh. etj., të cilëve ju kishte premtuar një shumë të konsiderueshme parash me qëllim vrasjen e shtetasit P.Gj.
Shtetasi K.Sh., me detyrë me detyrë Shef i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë, Lezhë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal ndihmonte shtetasin E.R., duke i dhënë informacion në lidhje me automjetet dhe hyrje-daljet e shtetasit P.Gj.
Hetimi ka nxjerrë në pah se, këto grupe kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash me qëllim realizimin e vrasjes të kundërshtarëve të tyre. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon gjithashtu një shkallë shumë të lartë organizimi dhe rrezikshmërie shoqërore.
Nga hetimi është evidentuar gjithashtu edhe përfshirja e një ish Deputeti, katër punonjës policie, dy prej tyre në role drejtuese, gjatë vitit 2020, përkatësisht:
– Ish Deputeti me iniciale A.N.;
– Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, me iniciale H.M.;
– Shefi i Seksionit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në po këtë drejtori, me iniciale K.SH.;
– 2 efektivë të Repartit Special RENEA, me iniciale A.M. dhe A.P.
Kështu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi H.M., me detyrë drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me shtetasin K.Sh. dhe persona të tjerë, drejtonin aktivitetin kriminal të kultivimit të narkotikëve, në qarkun e Lezhës.
Po ashtu i hetuari H.M., në bashkëpunim me shtetasin P.Gj., aktualisht i arrestuar për një procedim tjetër penal, organizonin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Lezhës.
Në dinamikën e hetimit të këtij procedimi penal, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shtetasi D.B., në bashkëpunim me shtetasin A.M. (me detyrë efektiv i forcave “Renea” në kohën e kryerjes së krimit) kanë organizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Niklës dhe Tapizës.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, falenderon në mënyrë të veçantë Policinë e Shtetit dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, për profesionalizimin e treguar dhe bashkëpunimin e ngushtë, gjatë fazës së ekzekutimit të vendimeve të gjykatës.
Një falenderim i veçantë i drejtohet Eurojust, Europol, dhe agjencive ligjzbatuese holandeze, belge, franceze, gjermane, italiane, spanjolle dhe greke, të cilët kanë mbështetur dhe ndihmuar SPAK.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al