“Arratiset” Skënderbeu, Teuta fundos Lushnjën

Feb 3, 2014 | 11:31
SHPËRNDAJE

Superiore/ Joel shënon 4 gola, në Ballsh nuk ka fitues, ngec Flamurtari

Korçarët shkojnë +9 nga Partizani, Vllaznia ndien rrezikun

Skënderbeu fiton me Vllazninë dhe thellon distancën në +9 pikë nga ndjekësit më të afërt Teuta dhe Partizani, që në rinisje të kampionatit.
Në ndeshjen e djeshme u pa një ekip që hyri në fushë me bindjen te fitorja dhe arriti ta gjejë shumë shpejt qetësinë gjatë pjesës së parë, kur edhe kundërshtari i hutuar nga presioni i korçarëve nuk po dilte në lojën e vet. Me gjithë mungesat e shumta, Skënderbeu mori një triumf të rëndësishëm, që përkthehet me një arratisje në kampionat. Skënderbeu duket më i karikuar se kundërshtari që në fillim të takimit, me një presing të lartë që duket se ua merr frymën kuqebluve të Canajt. Një ekip kërkues që do të shpërblehet shumë shpejt me golin e avantazhit, kur në minutën e 7-të është Ribaj që merr një top në gjysmëfushën kundërshtare dhe pason te Muzaka, që bën thjesht “murin” e saktë me Shkëmbin dhe kapiteni s’fal. Bardhekuqtë janë më të qetë dhe ushtrojnë presion në kërkim të golit të dytë, që do ta qetësonte më shumë ekipin dhe mund ta fuste ndeshjen në “kasafortë”. Vllaznia e ka të vështirë të dalë nga gjysmëfusha e vet, duke e nisur takimin jo me këmbën e duhur. Nuk do të vonojë shumë që korçarët të shënojnë sërish. Mbrojtja kuqeblu largon një top nga zona dhe Dimo nga 38 metra provon një goditje, e cila më shumë se kaq kthehet në një pasim të saktë në këmbët e Muzakës. Ky i fundit e rifut në zonë, ku Ribaj në shtyllën e dytë godet në formë parabole dhe topi përplaset fillimisht në shtyllë dhe përfundon në rrjetë. Në pjesën e dytë, Vllaznia jep sinjalin e parë të rizgjimit me Shtubinën, por goditja e tij është e pasaktë. Minutat kalojnë dhe shkodranët kërkojnë të paktën të shënojnë një gol për të hapur takimin. Hajdari nga një goditje dënimi harkon një top në zonë dhe Tafili me kokë mposht Shehin. Miqtë janë më kërkues në vijim, por të pafuqishëm t’i afrohen zonës korçare. Skënderbeu administron lojën, duke mbrojtur avantazhin. Teuta “shpartallon” Lushnjën dhe ngjitet e dyta me 27 pikë, po aq sa edhe Partizani. Durrsakët kanë fituar 6-2 kundër ekipit të Banos në ndeshjen përmbyllëse të javës së 17-të, duke u dhënë kështu sinjale të qarta kundërshtarëve dhe dëshmuar se do të jetë një ndër rivalët kryesorë të Skënderbeut në luftën për titull. Një Joel i frikshëm është parë dje në “Niko Dovana”, i cili realizoi “poker” personal. Por jo vetëm kaq, pasi kubani tregoi se jo vetëm di të shënojë, por edhe të jap asist, teksa i shërbeu senegalezit Samb. Për t’i dhënë fund serisë së golave ishte kryegolashënuesi Xhafaj. Sakaq, Lushnja pothuajse inekzistente për minuta të tëra në fushë dhe me një mbrojtje pa “busull”. Megjithatë, për të shënuar golat e nderit u siguruan dy blerjet e janarit, Fonseka dhe K.Arbri, të cilët, edhe pse nga stoli, debutuan me sukses. Në Ballsh nuk ka fitues në sfidën hapëse për vitin 2014. Bylisi i ribërë dhe Flamurtari me pak ndryshime e kanë mbyllur ndeshjen me rrjeta të paprekura. Ashtu si tre muaj më parë, këto skuadra kanë ndarë nga një pikë, por këtë herë duhet thënë se vështirësojnë punët e njëra-tjetrës nisur nga synimet që kanë. Te kuqezinjtë debutoi Gilman Lika, ndërsa për vendësit ishin jo pak, por pesë lojtarë që kanë qenë në fushë për herë të parë. Ndërkaq, edhe gjykimi nuk ka mbetur pa u kontestuar gjatë kësaj përballjeje. Gilman Lika debuton me Flamurtarin, duke u aktivizuar që nga minuta e parë e pjesës së dytë. Pas këtij barazimi, Bylisit i vështirësohet situata në tabelën e klasifikimit, duke pasur parasysh që javën e ardhshme udhëton drejt Kukësit. Për sa u përket vlonjatëve, javën e 18-të të Superiores do ta luajnë përballë Besës në Vlorë, ku nuk falin asnjë ekip.

Java e 17-të
Pardje
Kastrioti-Tirana    0-0
Besa-Laçi    2-2
Shënues: Sefa 83’ (p), Muriqi 90+2’/ Çela 27’, Bërkiç 66’
Partizani-Kukësi    0-0
dje
Bylis-Flamurtari    0-0
Skënderbeu-Vllaznia    2-1
Shkëmbi 7’, Ribaj 18’/ Tafili 64’
Teuta-Lushnja    6-2
Joel 12’, 22’, 50’, 75’, Samb 43’, Xhafaj 81’/ Fonseka 57’, K.Arbri 90’

kategoria superiore
RENDITJA
Nr EKIPI      N    F    B    H    G+    G-    P
1. Skënderbeu     17     11     3     3     25     12     36
2. Teuta    17     7     6     4     26     22     27
3. Partizani     17     8     3     6     16     13     27
4. Laçi     17     8     2     7     19     16     26
5. Kukësi     17     7     5     5     17     16     26
6. Flamurtari      17     8     4     5     20     16     25
7. Bylis    17     5     7     5     19     17     22
8. Besa     17     6     4     7     16     19     22
9. Vllaznia      17     6     3     8     22     22     21
10. Lushnja     17     5     3     9     16     26     18
11. Kastrioti     17     5     2     10     10     16     17
12. Tirana     17     3     4     10     6     17     13
SHËNIM: Kukësi dhe Flamurtari, -3 pikë, të dënuar nga Disiplina.

Mirel Josa
Trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, falënderon futbollistët për paraqitjen ndaj Vllaznisë, duke theksuar se skuadra e tij vuajti disa mungesa në këtë takim, prandaj dhe fitorja merr shumë vlera. “Kemi arritur një fitore të rëndësishme për ecurinë tonë, por për asnjë moment nuk kam qenë i qetë edhe kur rezultati ishte 2-0. Ne kemi fituar dhe ky është një pozitivitet për ne, pasi na bën të jemi më të qetë dhe të mbyllim sa më shpejt llogaritë për sa i përket kampionatit. Tashmë kemi një kalendar të vështirë dhe mund të themi se ende asgjë nuk ka përfunduar, pasi kampionati është shumë i gjatë”.

Agim Canaj
Kreu i pankinës shkodrane, Agim Canaj, është pjesërisht i kënaqur nga paraqitja e skuadrës në Korçë, por gjithsesi humbja djeg shumë në kampin kuqeblu. “Kur humb, asnjëherë nuk je i kënaqur, por duke iu referuar kundërshtarit që kishim përballë, mendoj se kemi bërë një lojë të mirë. Në fakt e filluam keq dhe shkuam në disavantazh të dyfishtë. Pas dy golave të pësuar, reaguam disi më ndryshe, deri sa u ngritëm në lojën tonë dhe patëm raste për të shënuar jo vetëm një gol, por edhe të tjerë që nuk i shfrytëzuam si duhet. Mendoj se duke marrë pikë në takimet e radhës, do t’i shpëtojmë rënies”.

LEONARD KARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura