Arratisja/ Policët e arrestuar: Nuk e menduam se mund të na ikte

Dec 23, 2016 | 14:50
SHPËRNDAJE

Arratisja nga Komisariati i Policisë në Krujë i Edison Pulës është pasuar me arrestimin e dy efektivëve të Policisë, të cilët kryenin shoqërimin e 21-vjeçarit.

stafuka_2

Sipas Policisë, në pranga ka rënë Denis Çela, 22 vjeç dhe Naim Stafuka, 39 vjeç, si dhe po hetohet në gjendje të lirë oficeri i Patrullës së Përgjithshme, G.T., raporton “Panorama”.

“Dy punonjësit e policisë janë arrestuar mesditën e djeshme pasi akuzohen se kanë neglizhuar detyrën gjatë transferimit nga Stacioni i Policisë Fushë-Krujë në Komisariatin e Krujës të Edison Pulës, anëtar i bandës së Niklës”, sqaroi Policia.

djalifoto

Duke përfituar nga “pakujdesia” e punonjësve të Policisë, Pula arriti të largohej me pranga në duar nga ambientet e jashtme të Komisariatit të Krujës dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Edison Pula, i cili akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë dhe vendosje eksplozivi, është i dyshuar për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Gentjan Bejtjes.

Ai arriti të arratisej mjaft lehtë nga ambientet e Policisë dhe për këtë arsye, grupi hetimor ka ngritur dyshime se 21-vjeçari mund të jetë ndihmuar nga policët që e shoqëronin.

“Kemi arsye të forta të mendojmë se dy efektivat e patrullës dhe shefi i tyre kanë bashkëpunuar me Edison Pulën, i cili u arrestua pak orë më parë me tetë persona të tjerë në një superaksion policor. Na rezulton se Pula ka mundur të arratiset mjaft lehtë, nëpërmjet derës kryesore që ishte e hapur, pasi u fut furgoni me të cilin transportohej i arrestuari me disa precedentë penalë”, bëri të ditur Policia.

Mësohet se dy efektivët kanë mohuar implikimin dhe kanë theksuar se janë gjendur në befasi pasi nuk e mendonin se i arrestuari do t’u arratisej.

“Ishim futur në ambientet e brendshme të komisariatit dhe në momentin që do ta zbrisnim nga makina për ta futur në dhomat e izolimit, ai na shtyu dhe u largua me shpejtësi. Tentuam ta kapnim, por kapërceu murin dhe humbi në qytet”, kanë pohuar efektivët e arrestuar mesditën e djeshme nga SHCBA.

Me gjithë kërkimet e Policisë, Pula vijon të jetë në liri. Blutë kanë kontrolluar rreth 20 banesa, ku dyshohet se ai mund të strehohet, por nuk ka asnjë gjurmë të tij.

LEONIDHA MUSAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura