Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për herë të parë pas arrestimit nga autoritetet në Francë dhe pas vendimit të Gjykatës që e la në burg në pritje të fakteve të reja nga Serbia.
Përmes një postimi në faqen e vet zyrtare në Facebook, nga ai vetë apo stafi i tij, Haradinaj shkruan se populli i Kosovës dhe individët nuk janë trembur “nga tanket e Millosheviqit e lere më nga fletarrestet e tij. Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, „Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush“.
Postimi i Haradinajt
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Është për keqardhje se si disa shtete, ende respektojnë vendimet e ish regjimit të Millosheviqit, ndërsa plot shtete të tjera siç janë Gjermania, Austria e të tjerë, tashmë janë ndarë përfundimisht prej atij regjimi dhe nuk i zbatojnë “poternicat” e tyre.
Ne si popull e si individë, nuk jemi trembur nga tanket e Millosheviqit e lere më nga fletarrestet e tij.
Kam një porosi për miqtë e Serbisë, brenda dhe jashtë Kosovës, „Rrugën e shtetit të Kosovës, nuk do të mund ta ndalë askush“.
Nuk i kemi rënë në qafë askujt dhe nuk do të lejojmë të na bjerë në qafë askush!
Do të takohemi shpejt në Kosovë!
Juaji Ramush Haradinaj