Diskutimet mes liderëve të bllokut LDK-AAK-Nisma (LAN) dhe zyrtarëve të Vetëvendosjes më në fund kanë arritur në stadin e marrëveshjes së shkruar.
Koha.net, nga burime anonime, publikon dokumentin e shkruar nga LAN dhe VV-së.
Ndër pikat e kësaj marrëveshjeje është “zhvillimi ekonomik i vendit, rritja e punësimit dhe e mirëqenies së qytetarëve, reformat substanciale në arsim dhe në shëndetësi, në forcimin e shtetit ligjor dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Veç këtyre, në dokumentin që e ka siguruar Koha.net, palët janë pajtuar që të “ndërmerren reforma institucionale, me qëllim të demokratizimit të vendit dhe rritjes së efikasitetit të institucioneve”.
Në Dokument gjithashtu shkruan se blloku LDK-AAK-Nisma është pajtuar me Vetëvendosjen që “të vendoset dialogu i hapur demokratik me pakicën serbe në Kosovë, për integrimin e plotë të tyre si qytetarë të barabartë të Kosovës nëpërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.”
Në këtë dokument, përmendet edhe çështja e dialogut ndërshtetëror me Serbinë, duke thënë se duhet të vlerësohen rezultatet e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani.
Duhet theksuar se dokumenti në fjalë është një draft-dokument i cili edhe mund të pësojë ndryshime të vogla në draftin përfundimtar.
Ndërkaq, marrëveshjen mes Vetëvendosjes dhe bllokut LDK-AAK-Nisma për Kosovën e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe deputeti i VV-së, Visar Ymeri, duke shtuar se ajo pritet të nënshkruhet së shpejti. Marrëveshja do të bëhet publike ditën e mërkurë në orën 13:00.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al