Auditim i qeverisë, apo auditim i Auditorit Publik-KLSH?

Jul 23, 2024 | 9:10
SHPËRNDAJE

NGA ZEF PRECI zef preci

Kësaj jave pritet të diskutohet dhe eventulaisht të miratohet nga Kuvendi ngritja e Nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik”, draft-vendimi i të cilit është depozituar sipas ligjit. Me dëshirën për të kontribuar sadopak në funksionalizimin e këtij nënkomisioni, por edhe për të hedhur dritë mbi modelin institucional të Westminster të Mbretërisë së Bashkuar (MB) që pretendohet se Kuvendi është duke adoptuar, në vijim po rendis disa çështje që meritojnë vëmendjen e ligjvënësve që ky komision të përmbushë qëllimin e vet.

1. Fusha e përgjegjësisë:

Në draft-vendim përcaktohet se përfshin: “…shqyrtimin objektiv të zbatimit të buxhetit të shtetit dhe rritjen e ndikimit të proceseve të auditimit, duke u siguruar që institucionet publike adresojnë rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH)”.

Gjithashtu, ky draft përcakton se: “Qëllimi kryesor i nënkomisionit është të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, dhe të kontribuojë në përmirësimin e ekonomizimit, efektivitetit dhe eficiencës në përdorimin e burimeve publike. Gjithashtu, nënkomisioni do të sigurojë llogaridhënien e KLSH në Kuvend, pa ndërhyrë në pavarësinë e institucionit”.

1.1. Modeli i Westminster njeh si fusha të veprimtarisë:

Komiteti i Llogarive Publike në Parlamentin e MB shqyrton “… vlerën për para” të projekteve, programeve dhe ofrimit të shërbimeve të qeverisë. Duke u mbështetur në punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit (agjencia shtetërore homologe me Kontrollin e Lartë të Shtetit – KLSH), ky komitet kërkon llogari nga zyrtarët e qeverisë për ekonominë, efikasitetin dhe efektivitetin e shpenzimeve publike.

Madje, në urdhrin e përhershëm për ngritjen e këtij komiteti (Nr. 148) thuhet se ky komision ka për detyrë për të shqyrtuar: “Llogaritë që tregojnë përdorimin e shumave të dhëna nga Parlamenti për të përballuar shpenzimet publike dhe të llogarive të tjera të paraqitura para Parlamentit, siç mund t’i gjykojë të arsyeshme Komiteti”.

Në vlerësimin tim, përcaktimi në draft-vendimin e Kuvendit të Shqipërisë të qëllimit të ngritjes së nënkomisionit të krijon përshtypjen e zhvendosjes së optikës së fushë-veprimit nga kontrolli i llogarive publike te vetë kontrollori – KLSH, ndërsa deklarimi i mosndërhyrjes në pavarësinë e këtij institucioni në thelb mbetet deklarativ, veçanërisht nëse e shohim këtë në nenin vijues (Kompetencat e Nënkomisionit).

Nisur nga modeli i Westminster i MB, i zbatuar në një numër vendesh për krijimin e Nënkomisionit të Llogarive Publike, si dhe duke mos vënë në dyshim vullnetin e mirë të Kuvendit të Shqipërisë për të përmirësuar zbatueshmërinë e rekomandimeve të përvitshme të KLSH, mendoj se fushëveprimi i këtij komisioni duhet të jetë në dimensionin sektorial, dmth aty ku shpenzohen paratë publike, të tilla si: Tatimet, Arsimi, Shëndeti dhe Kujdesi Social, si dhe në programet bazë të qeverisë që angazhojnë burime të rëndësishme publike si reagimi i qeverisë së ndaj pandemisë COVID-19, kontratat koncesionare të llojit PPP etj..

2. Kompetencat e nënkomisionit sipas draftvendimit të Kuvendit

Në draft-vendimin e Kuvendit përcaktohet se këto kompetenca janë:

a) Shqyrtimi i raporteve të qeverisë mbi zbatimin e buxhetit të shtetit dhe raportit të KLSHsë mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, dhe raportimin e gjetjeve;

b) Shqyrtimi i raporteve të auditimit të KLSHsë, ndjekja e zbatimit të rekomandimeve

c) dhe raportimi i gjetjeve;

d) Organizimi i seancave dëgjimore për çështjet, të cilat janë pjesë e fushëveprimit dhe kompetencave të nënkomisionit;

e) Vendimmarrja, dhënia e rekomandimeve dhe trajtimi i përgjigjeve nga institucionet përkatëse;

f) Paraqitja e raporteve dhe trajtimi i përgjigjeve apo propozimeve të tjera për çështjet, të cilat janë pjesë e fushëveprimit dhe kompetencave të nënkomisionit;

g) Shqyrtimi i raportit vjetor të performancës së KLSH-së dhe raporteve të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të KLSH-së;

h) Shqyrtimi i projektbuxhetit vjetor të KLSHsë dhe raportimi i gjetjeve te Komisioni për Ekonominë dhe Financat;

i) Ndërmerr procedurat për përzgjedhjen e audituesve të jashtëm të llogarive të KLSH-së dhe i paraqet rekomandimet Komisionit për Ekonominë dhe Financat;

j) Paraqitja e raportit vjetor për veprimtarinë e tij;

2.1. Modeli i Westminster njeh si fusha të veprimtarisë:

Komiteti i Llogarive Publike në MB shqyrton …”vlerën për paranë”, ekonominë, efikasitetin dhe efektivitetin e shpenzimeve publike dhe në përgjithësi kërkon llogari nga qeveria dhe nëpunësit e saj civilë për ofrimin e shërbimeve publike”. Edhe pse modelet e ofrimit të shërbimeve publike në MB kanë ndryshuar, shtrirja e veprimtarisë së këtij komiteti në gjurmimin e parave të tatimpaguesve është përhapur përtej departamenteve qeveritare për të ekzaminuar gjithashtu organet publike dhe kompanitë private që ofrojnë shërbime publike.

Çfarë nuk bën Komiteti i Llogarive Publike në MB?

– Komiteti shikon se si dhe jo përse janë shpenzuar paratë publike dhe nuk shqyrton meritat e politikës së qeverisë. Ky rol kryhet nga Komiteti i Përzgjedhur i Departamentit përkatës (përndryshe komisionet hetimore parlamentare në legjislacionin shqiptar).

– Komitetet e përzgjedhura punojnë në të dyja Dhomat e MB. Ata kontrollojnë dhe raportojnë për fusha duke filluar nga puna e departamenteve qeveritare deri te çështjet ekonomike. Komitetet e përzgjedhura kryejnë hetime për çështje të caktuara. Rezultatet e këtyre hetimeve janë publike dhe shumë prej tyre kërkojnë një përgjigje nga qeveria. Komisionet e përzgjedhura e kryejnë punën e tyre edhe nëpërmjet korrespondencës, duke u angazhuar me publikun nëpërmjet ngjarjeve publike dhe anketave, duke organizuar tryeza të rrumbullakëta dhe duke ndërmarrë vizita.

– Komiteti nuk shqyrton shpenzimet e autoriteteve lokale të veçanta, forcave policore apo organeve të tjera të qeverisjes vendore. Ky rol përmbushet nga auditori lokal përkatës dhe/ ose organi i zgjedhur i kontrollit.

– Komisioni nuk mund të ndihmojë në zgjidhjen e rasteve individuale. Ky është roli i deputetëve të zgjedhur në zonat zgjedhore në MB.

2.2. Deduksion:

Në vijim do të analizojmë në mënyrë analitike kompetencat e propozuara në draft-vendimin e Kuvendit për ngritjen e Nënkomisionit të përhershëm “Për auditimin publik”.

1) Shqyrtimi i raporteve të qeverisë mbi zbatimin e buxhetit të shtetit dhe raportit të KLSHsë mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, dhe raportimin e gjetjeve;

2) Organizimi i seancave dëgjimore për çështjet, të cilat janë pjesë e fushëveprimit dhe kompetencave të nënkomisionit. Këto dy kompetenca janë detyrë e një numri komisionesh të përhershme të Kuvendit dhe procedura është e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit. Vendosja në këtë vendim mund të shihet si dublim apo marrje kompetencash nga ky nënkomision.

3) Vendimmarrja, dhënia e rekomandimeve dhe trajtimi i përgjigjeve nga institucionet përkatëse. Kjo kompetencë është zgjidhur me Rezolutën e Kuvendit mbas paraqitjes nga institucionet e pavarura të raportit vjetor në Kuvend dhe është një praktikë tashmë e konsoliduar. Problematike ka qenë dhe mbetet ndjekja e zbatimit të rekomandimeve të KLSH nga qeveria dhe institucionet vartëse të saj, apo institucionet e pavarura të krijuara me ligj të veçantë.

4) Paraqitja e raporteve dhe trajtimi i përgjigjeve apo propozimeve të tjera për çështjet, të cilat janë pjesë e fushëveprimit dhe kompetencave të Nënkomisionit.

Raportimi i një Nënkomisioni në Kuvend apo në Komision? Nëse raportimi i këtij Nënkomisioni do të bëhet në Kuvend, atëherë ai merr jo vetëm në formë, por edhe në përmbajtje, atributet e një Komisioni të përhershëm parlamentar, gjë që mendoj se bie ndesh me përcaktimet e Rregullores së Kuvendit. Ndërsa raportimi i këtij nënkomisioni Komisionin e Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financat mund të jetë dicka e zakonshme, por që nuk mund të angazhojë kurrsesi auditorin publik (KLSH).

5) Paraqitja e raportit vjetor për veprimtarinë e tij;

Mendoj se ky Nënkomision duhet të raportoje në komisonin prej nga ka dalë dhe kështu kjo kompetencë është e nënkuptuar dhe paraqitja në vendim është e panevojshme.

Çështja në vijim e kompetencave të Nënkomisonit “Për Auditimini e Sektorit Publik” meriton të analizohet me kujdes, sepse mendoj se përfaqëson njëkohësisht parashikime ligjore që janë në kompetencat e Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Ekonominë dhe Financat:

6) Shqyrtimi i raporteve të auditimit të KLSHsë, ndjekja e zbatimit të rekomandimeve dhe raportimi i gjetjeve;

Ndërsa kompetencat e tjera të këtij nënkomisioni duket se nuk bëjnë gjë tjetër veçse problemeve të vjetra të trashëguara nga mënyra e si janë krijuar dhe funksionojnë institucionet kushtetuese apo të ato të pavarura të krijuara me ligj të veçantë në vendin tonë, ju shtojnë probleme të reja. Të tilla janë edhe kompetencat e Nënkomisionit që lidhen me vetë KLSH-në si institucion i pavarur kushtetues – auditori publik:

7) Shqyrtimi i raportit vjetor të performancës së KLSH-së dhe raporteve të auditimit të pasqyrave vjetore financiare të KLSH-së;

8) Shqyrtimi i projektbuxhetit vjetor të KLSHsë dhe raportimi i gjetjeve te Komisioni për Ekonominë dhe Financat;

9) Ndërmerr procedurat për përzgjedhjen e audituesve të jashtëm të llogarive të KLSH-së dhe i paraqet rekomandimet Komisionit për Ekonominë dhe Financat;

Në vlerësimin tim, raporti vjetor i performancës së KLSH, së bashku me raportet e auditimeve të kryera prej tij janë baza e njohur mbi të cilën Kuvendi kryen vlerësimin e përvitshëm të këtij institucioni dhe bartja e kësaj kompetence te ky Nënkomision ngre pikëpyetje të tjera që lidhen me marrjen prej këtij të fundit të disa kompetencave që dalin jashtë kuadrit të ligjbërjes. Kështu, çështjet që lidhen me procedurat e përzgjedhjes së audituesve të jashtëm, auditimin e pasqyrave financiare të KLSH etj., mund dhe duhet të jenë subjekt i amendimeve në kuadrin ligjor bazë mbi të cilin funksionon ky institucion. Madje nuk e teproj të mendoj se problematika e akumuluar në menaxhimin e burimeve publike në entet rregullatore të energjisë, ujit, konkurrencës, inspektorateve, duke përfshirë edhe Bankën e Shqipërisë, si dhe përjashtimi i një numri të madh të institucioneve në vartësi të qeverisë nga gara në prokurimet publike etj., e bëjnë emergjente një analizë të plotë të gjendjes dhe ofrimin e zgjidhjeve adekuate, që pa cenuar pavarësinë e tyre institucionale, të përmirësojë eficiencën e përdorimit të burime buxhetore dhe të aseteve publike në dispozicion.

Një element pozitiv që duhet evidencuar në draft-vendimin që po komentojmë është dhënia e kryesimit të këtij nënkomisioni të përhershëm opozitës, por nuk del qartë mënyra se si duhet bërë përzgjedhja e kreut të tij. Modeli i Westminister ofron përvojën kur kjo bëhet përmes një procesi të gjerë konsultimi dhe kryesimi i Nënkomisionit në fjalë u ofrohet anëtarëve të Kuvendit me një karrierë profesionale të spikatur. Kjo me synimin që edhe pse në një institucion thellësisht politik, siç është Kuvendi, veprimtaria e nënkomisionit të jetë sa më profesionale dhe në dobi të qytetarëve të vendit. Duke parë me kujdes se çfarë nuk bën Nënkomisioni i Llogarive Publike në Mbretërinë e Bashkuar, mund të konkludohet lehtësisht se Kuvendit të Shqipërisë i duhet të qartësojë përfundimisht jo vetëm fushëveprimin e Nënkomisionit që do të ngrejë te veprimtaria e qeverisë si shpenzuese e fondeve të buxhetit dhe administratore e pasurive kombëtare e aseteve publike, por edhe zgjerimin e fokusit të veprimtarisë audituese të KLSH në sektorin privat, në lidhje me përdorimin e fondeve dhe të pasurive publike, si dhe në mundësimin e një ndarjeje më të prerë midis veprimtarisë së komisioneve hetimore parlamentare dhe fushëveprimit të këtij nënkomisioni në të ardhmen. Kështu, do t’i kursente vetes edhe adresimin e një numri të pafundëm pyetjesh për çështje të caktuara apo për raste individuale, sikurse shkruante shtypi për raportimin e kreut të KLSH javën që shkoi në komisionin e përhershëm parlamentar përgjegjës për ekonominë dhe financat. Mbështetur në sa më sipër, i sugjerojmë Kuvendit të tërheqë draft-vendimin për ngritjen e Nënkomisionit “Për Auditimin e Sektorit Publik”, për të mundësuar reflektimin e problematikës së mësipërme të modelit të Westminster të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe të “praktikave të mira” të vendeve të OECD-së, me qëllimin final përmirësimin e zbatimeve nga qeveria të rekomandimeve të auditorit publik – KLSH-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura