ADA HAZIZOLLI/ Ndonëse jo i bindur në vërtetësinë e audiopërgjimit midis numrit 2 të KQZ-së, Denar Biba dhe gjyqtarit shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, përfaqësuesi i pronarëve në gjykatën e Strasburgut, Sokol Puto, thotë se kjo nuk do të ishte përpjekja e parë e qeverisë për të kthyer mbrapsht dosjet e pronave. Sipas tij, edhe më herët, përmes vizitave jo të pakta, qeveria ka ushtruar dukshëm atë që e cilëson një formë presioni ndaj GJNDGJ-së. Puto flet edhe për fatin e 89 çështjeve në proces gjykimi në bllok, për të cilat pritet qëndrimi i Gjykatës së Strasburgut. Skenari më i keq do të ishte kthimi për gjykim në Shqipëri, ku pronarët nuk do të marrin kompensimin në vlerën që u takon.
Avokat, dy ditë më parë ka qarkulluar në media një audio-përgjim nga ku pretendohet se qeveria ka ushtruar presion ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianko, duke kërkuar nga ky i fundit që të ndikojë te kryetari i GJNDNJ për të pezulluar shqyrtimin e dosjeve të pronave, të cilat janë në proces. A keni ju një koment për këtë?
Unë nuk jam i bindur mbi vërtetësinë e materialit të publikuar, audio-përgjimi nuk është i plotë, ndaj edhe nuk kam asnjë koment.
Gjyqtari Bianku nuk e ka mohuar…
Këtë gjë e thotë po ai portal, që ka nxjerrë përgjimin. Personalisht, do ta quaja të mirëqenë nëse ai do të dilte në një deklaratë zyrtare individuale për t’i thënë të gjitha. Përgjimi është i pjesshëm, jo i plotë dhe duhet të faktohet. Pra, të gjitha këto të lënë një shije të keqe dhe në këtë aspekt unë nuk mund të jap një koment. Por, nga ana tjetër, di të them që nuk është e para herë kur qeveria ka kërkuar pezullimin e shqyrtimit të çështjeve që janë për gjykim në Strasburg. Ky është një fakt i ditur, pasi e ka bërë këtë zyrtarisht dhe publikisht, pra, nuk ka qenë diçka e fshehtë apo nën rrogoz.
Po e drejtë, Qeveria ka kërkuar vazhdimisht kthimin e dosjeve që janë dërguar për shqyrtim në Strasburg. Këtë e ka bërë, duke hartuar një bazë të re ligjore, duke shpresuar se do të ishte bindëse për gjyqtarët e Gjykatës së Strasburgut. E ka bërë po ashtu nëpërmjet Avokates së Shtetit, e cila ka dërguar shkresa “lutjesh” për kthimin e këtyre dosjeve, por asnjëra prej tyre nuk ka dhënë rezultatet. Ndoshta, Qeveria ka preferuar të luajë me të gjithë gurët, përfshirë edhe atë për të ushtruar presion ndaj gjyqtarit…
Pjesën e presionit unë nuk marr përsipër ta komentoj, përderisa nuk jam i bindur nëse është vërtet ashtu apo jo. Por, nga ana tjetër, ka edhe një gjë, po në mënyrë zyrtare, qeveria ka dërguar përfaqësuesit e saj në Gjykatën Europiane, për të takuar drejtues të gjykatës për të njëjtën çështje. Ka qenë ish-ministri i Drejtësisë Manjani dhe ministri i Financave Arben Ahmetaj, që kanë shkuar në Gjykatë. Takimi është pasqyruar edhe në media. Ka pasur takime me kryetarin e Gjykatës, me gjyqtarin shqiptar. Pra, të gjitha këto, çfarë mund t’i quajmë? Qeveria, në Strasburg është palë, siç është pronari palë nga krahu tjetër. Dhe njëra palë nuk mund të shkojë të takojë gjykatën dhe të thotë, më bëni këtë apo atë. Kështu që nuk ka sens.
Nuk ka sens thoni ju presioni që është bërë sepse qeveria e ka bërë me herët këtë?
Edhe vajtja e qeverisë atje, në mënyrë zyrtare për të takuar kryetarin e Gjykatës formë presioni është sepse presioni nuk bëhet vetëm thjesht duke thënë, shiko po nuk e bëre ti këtë, unë do bëj këtë. Presion është edhe kur i thua gjykatës “na jep një çikë dorë në këtë punë se për efekt të vlerës ne mund të falimentojmë, e kemi të papërballueshme”. Edhe ky një formë presioni është.
Nëse audio-përgjimi rezulton i vërtet, si do ta kompentonit?
Nëse është e vërtetë, padyshim që është e papranueshme. Nuk mund të bëhen të tilla ndërhyrje. Unë e thashë, nuk jam as për ato ndërhyrje të dukshme që janë bërë nga qeveria. Nëse do ta ngresh këtë gjë në nivel politik, s’ke punë me Gjykatën Europiane, ke me Këshillin e Europës. Atje ti përballesh me kërkesën e llogarisë. Çdo lloj takimi që bëhet në gjykatë, është i gabuar
Takime informale në dijeninë tuaj ka pasur së fundmi?
Nuk kam dijeni fare.
Aktualisht janë 89 çështje në proces shqyrtimi, çfarë pritet të ndodhë me to?
Po, janë 89 çështje në proces shqyrtimi nga gjykata që janë të gjitha në bllok, për të cilat gjykata do të mbajë një qëndrim, ku themeli i këtij qëndrimi, për mendimin tim, do të jetë që këto çështje do të shqyrtohen në frymën e ligjit të ri apo jo. Dhe ligji i ri është në frymën e garancive dhe të drejtave që garanton konventa apo jo. Pjesa tjetër, e cila ka të bëjë më vlerësimin financiar është një gjë tjetër.
Kur pritet që Gjykata e Strasburgut të dalë me një vendim unifikues për këto dosje?
Nuk mund ta them këtë me saktësi pasi gjykata për këtë grup çështjesh vazhdon korrespondencën edhe me ankuesit, edhe me qeverinë. Edhe në këtë moment që komunikojmë ka shkëmbime argumentesh, ndaj nuk di të them se kur do të ketë një vendimmarrje nga ana e Strasburgut.
Avokat, sipas jush, cilat do të jenë efektet që do të rëndojnë mbi pronarët nëse 89 çështjet që janë aktualisht në shqyrtim kthehen për gjykim në vendin tonë apo vlerësimi bëhet bazuar në skemën e re ku një metër katror tokë çmohet me çmimet e sotme, por zëri kadastral është ai i origjinës?
Nëse kjo ndodh, për një numër të konsiderueshëm pronash kryesisht ato me sipërfaqe shumë të mëdha, pronarët e tyre nuk do të marrin kompensim ose do ta përfitojnë atë duke ia llogaritur pronën e tyre si tokë bujqësore, për rrjedhojë, vlera e përfitimit do të jetë shumë e vogël. Duhet të kemi parasysh që ky ligj ka një efekt shumë të madh mbi atë kategori tokash, të cilat në kohën që janë dhënë vendimet, janë konsideruar truall, por në momentin e shpronësimit origjina e pronës ka qenë bujqësore. Për ta konkretizuar, nëse sot një pronar ka përfituar të drejtën e kompensimit për 100 m2 pronë dhe kjo në momentin e dhënies së vendimit është kategorizuar si tokë truall, në të njëjtën kohë ky pronar ka përfituar edhe 100 mijë metra kthim në natyrë, sipas ligjit sot nuk përfiton asgjë për arsye se toka e kthyer vlerësohet si tokë bujqësore, ndërsa ajo që i ka mbetur vlerësohet bazuar në zërin kadastral të origjinës. Nga ky kalkulim, del se prona e përfituar ka një vlerë më të lartë se ajo që i ka mbetur. Për pasojë, kjo familje konsiderohet e kompensuar, nuk përfiton asgjë. Agjencia e Pronave i nxjerr këto raste, duke publikuar faturën në vlerë negative.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al