Baba e bir qëlluan drejt mjetit të blinduar ku udhëtonte i riu! Detaje nga ngjarja në Rrëshen, plumbat bën shoshë makinën, por… “Shënjestra” nipi i Kastriot Reçit

Mar 27, 2023 | 12:57
SHPËRNDAJE

Një konflikt mes dy të rinjve në Rrëshen për një parakalim me makinë degradoi në përdorim të armëve të zjarrit. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e të dielës, ku Erind Bardhaj së bashku me babain e tij, Martin Bardhaj qëlluan me pistoletë në drejtim të mjetit me të cilin po lëvizte Saimir Reçi.

Nga të shtënat fatmirësisht nuk pati të lënduar pasi makina ishte e blinduar. Autorët qëlluan në një distancë të afërt në anën e shoferit. Siç shihet nga pamjet një pjesë e plumbave përfunduan në pjesën e xhamave. Ndërkohë gjatë tentativës për të shmangur sulmin, Saimir Reçi humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën anësore të rrugës.

Në vendngjarje shkoi menjëherë policia. Ndërkohë një grup hetimor mblodhi provat dhe dëshmitë e para ndërsa u ngritën pika të shumta kontrolli për kapjen e dy autorëve të cilët u larguan me shpejtësi.

Mësohet se përdorimi i armës së zjarrit erdhi pas një debati që Erind Bardhi pati me Saimir Reçin në qendër të qytetit. Debat që përfundoi më pas në përplasje fizike. Burime pranë grupit hetimor thanë se Erind Bardhi shkoi menjëherë në banesë dhe pasi i tregoi babait të tij për konfliktin morën pistoletën dhe organizuan sulmin.

Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit që u ekzekutua në një atentat mafioz në vitin 2020 në qendër të qytetit të Rëshenit. Ndërkohë burime thanë se fisi Bardhi dhe Reçi kanë pasur përplasje të vazhdueshme mes tyre dhe nuk përjashtohet mundësia që ngjarja ta ketë zanafillën në këto konflikte të vjetra.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura