Balla komenton protestën nga Selaniku: PD bllokoi votimin e emigrantëve

Feb 19, 2017 | 18:53
SHPËRNDAJE

Nga Selaniku ku ka takuar emigrantë shqiptarë, deputeti socialist Taulant Balla tha se protesta e Partisë Demokratike është një përpjekje e opozitës për të rritur tensionin në vend, për të bllokuar implementimin e reformës në drejtësi dhe do të shërbejë si alibi për humbjen e radhës së PD-së në zgjedhjet e ardhshme.

balla ne greqi

“Në këto momente, ka disa shqiptarë të futur në një imitacion të një tende për të protestuar. Edhe ata nuk dinë se përse. Sepse të kërkosh qeveri tjetër 4 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që shqiptarët në 18 qershor do të zgjedhin se cilën qeveri duan”, tha Balla i cili ishte në Selanik bashkë me zv/ministrin e Brendshëm, Stefan Cipa.

“Protesta ka të bëjë me tensionimin e klimës politike në Shqipëri, sa kohë që Kuvendi i Shqipërisë tashmë duhet të jetë i angazhuar në vijimin e punës intensive në kuadrin tjetër ligjor në mbështetjen për implementimin e reformës në drejtësi”, u shpreh Balla.

Përsa u përket emigrantëve, Cipa dhe Balla kanë përsëritur premtimin e kryeministrit Edi Rama se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit ku shqiptarët e diasporës nuk do të mund të votojnë nga vendet ku ata jetojnë.

balla ne greqi me emigrantet

Stefan Cipa, zv/ministri i Brendshëm, deklaroi: “Ishte një takim me një pjesë të emigrantëve shqiptarë të Greqisë së veriut për t’i informuar për fillimin e implementimit të ligjit të regjistrimit të adresave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si i vetmi ligj në këto vite të pluralizmit që është bërë për të ndihmuar emigrantët kudo që ndodhen”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura