Balliu: Sistemi është ngritur për të vrarë arsimin e shëndetësinë. Rilindja i mori mësuesit dhe mjekët, e i futi në ‘tregun e zi të vdekjes’

Jun 27, 2024 | 13:46
SHPËRNDAJE

Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu është shprehur se sistemi është ngritur për të vrarë arsimin e shëndetësinë.

balliu-1024x575

Në një deklaratë për mediat u shpreh se “rilindja i mori mësuesit dhe mjekët, e i futi në ‘tregun e zi të vdekjes’.”

“Siç u dëshmua me skandalin e Onkologjikut, edhe në rastin e mashtrimit të gjimnazistëve me gjoja viza studentore në Amerikë, janë krerët e sistemit, jo bishtat, që i mundësojnë skema të tilla”, theksoi ai.

 

 

Deklarata e plotë:

Disa ditë më parë Ambasada e SHBA denoncoi një mashtrim të shëmtuar të quajtur ‘Lets’s Talk Together about US24’, një platformë e rrejshme që ofronte viza studimore në SHBA.

Kjo skemë manipulimi dhe hajdutërie drejtohej nga e dërguara e Partisë Socialiste si drejtoreshë në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, Klotilda Jaupi. Si drejtoreshë patronazhiste ajo është lidhje e afërt e deputetes socialiste Ermonela Felaj.

Pjesë e këtij mashtrimi ishte edhe mësuesja e Anglishtes në gjimnazin ‘Qemal Stafa’, V. Lamaj. Kjo e fundit ka bërë një deklaratë publike ku thekson qe ka qenë pjesë e platformës, por përgjegjësia nuk është e mësuesve, pasi ky program është vendosur në mënyre kolegjiale nga institucionet përkatëse. Kjo nënkupton se leja për programin apo mashtrimin është dhënë nga ministria e Arsimit.

Siç u dëshmua me skandalin e Onkologjikut, edhe në rastin e mashtrimit të gjimnazistëve me gjoja viza studentore në Amerikë, janë krerët e sistemit, jo bishtat, që i mundësojnë skema të tilla.

Ky rast fakton jo vetëm degradimin e shtetit që ka ngritur Edi Rama, por se si ky sistem është ngritur për të vrarë edhe shtyllat mbajtëse të një kombi: arsimin dhe shëndetësinë. Rilindja i mori mësuesit dhe mjekët dhe i futi, ashtu si zyrtarët e saj, në ‘tregun e zi të vdekjes’.

Kështu ndodh kur kryeministri vetë blen shefin e kundërzbulimit të FBI, kur merr në punë ish-shefin e shërbimit sekret rumun, kur takon në zyrë ‘komisarin financiar’ të Sinaloas, kur e mbush parlamentin dhe bashkitë me sojsorollopin e basifondeve të shoqërisë.

Rasti i gjimnazit emërmirë ‘Qemal Stafa’ dëshmon edhe një hipokrizi të Rilindjes. Rama, ministrat, drejtorët dhe patronazhistët e qeverisë, stërbetohen për dashurinë për Amerikën, por janë gati ta shesin për pesë aspra.

Paturpësia dhe guximi për të luajtur edhe me logon e qeverisë amerikane, duke e korrupuar simbolikën e saj haptazi, dëshmon se të majtët e urrejnë Amerikën me pasionin e atyre që e kanë urryer për 45 vite kur i shërbenin komunizmit.

Partia Demokratike e dënon aktin e shëmtuar të korruptimit dhe mashtrimit të të rinjve shqiptarë, si edhe përdorimin për këto qëllime të simboleve të aleatit tonë strategjik, dhe u bën thirrje organeve përgjegjëse të hetojnë deri ne fund dhe deri në majë këtë mashtrim te turpshëm.

Për qytetarët që nuk i pranojnë këto mashtrime, që i përbuzin këta hajdutë, le të bashkohemi në betejë kundër së keqes, në protestën kombëtare, më 11 korrik ora 20.00.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura