TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda “riformaton” akuzat për të pandehurit e “bandës së Durrësit”. Në seancën e djeshme, prokurorët e çështjes u kanë komunikuar të gjithë të pandehurve plotësimin e akuzave ndaj tyre, referuar ndryshimeve që ka pësuar Kodi Penal në vite. Ndryshimet e klasifikimit të akuzave nuk kanë përjashtuar të pandehurit nga “organizata kriminale”, por kanë lehtësuar disi pozitat e tyre, mes të cilëve edhe veprat penale që u atribuohen të akuzuarve si anëtarë kryesore të “bandës”, të pandehurit Lulzim Berisha dhe Endrit Dokle. Por, tek i pandehuri Dokle, riformulimi i akuzës i ka shtuar barrën e akuzave që rëndonte mbi të në nisje të procesit. Organi i akuzës është detyruar të plotësojë akuzat ndaj të pandehurve, referuar ndryshimeve që ka pësuar Kodi Penal nga viti 1995 e në vijim. Ndryshimet janë bërë në zbatim të dispozitës së Kodit, sipas të cilës, “kur ligji i kohës kur është ndryshuar vepra penale dhe ligji i mëvonshëm janë ndryshuar, zbatohet ai ligj, dispozitat e të cilit janë më të favorshme për personin që ka kryer veprën penale”. Komunikimi i të pandehurve me akuzat e ndryshuara u bë nga përfaqësuesit e prokurorisë në proces, prokurorët Anton Martini dhe Behar Dibra. Sipas
Prokurorisë, në ngjarjen e 29 tetorit 1998, ku në një pritë të armatosur u vranë Viron Curri e Arjan Paja dhe u plagos rëndë Marsel Sotiri, vetëm vrasja e Sotirit ishte e paramenduar. “Objektivi kryesor i këtij sulmi kriminal i ndërmarrë prej të pandehurve ka qenë shtetasi Marsel Sotiri, të cilit i kishin zënë pritë të organizuar dhe ishin duke e pritur të kthehej në Durrës me makinë nga Tirana. Rrugës për në Durrës, i dëmtuari Marsel Sotiri kishte me vete në makinë dy shokët e tij, viktimat Viron Curri e Arjan Paja. Autorët e ngjarjes i kanë konstatuar ata si të pranishëm në makinën e kundërshtarit të tyre Marsel Sotiri, por nuk janë kursyer edhe ndaj tyre me goditjeve me armë zjarri”, thuhet në konstatimin e Prokurorisë, që ndryshonte akuzën nga “vrasje me paramendim” në “vrasje me dashje” në dy raste për të pandehurin Lulzim Berisha. Referuar Prokurorisë, në dispozita më favorizuese ligjore u klasifikuan akuzat ndaj të pandehurit Berisha për vrasjen e Dritan Sallakut, të Eduart Ongarit dhe tentativën e vrasjes dhe vrasjen e Marsel Sotirit. Po sipas organit të akuzës, është vendosur pushimi i akuzës për “trafikim të armëve” dhe të tentativës për vrasjen e Isuf Morinës dhe Kujtim Haxhiajt ndaj të pandehurit Endrit Dokle. Nga ana tjetër, prokurorët pohuan se nga hetimi ka rezultuar se Dokle duhet të akuzohej edhe për një tentativë vrasjeje ndaj Lulzim Berishës, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2005. Favorizim në klasifikimin e veprave penale të kryera prej tij përfitoi edhe i pandehuri Adriatik Coli, i penduar dhe bashkëpunëtor i Drejtësisë në këtë proces gjyqësor. Procesi gjyqësor në ngarkim të 16 të akuzuarve si “anëtarë” të “bandës së Durrësit”, të akuzuar për një sërë vrasjesh në vitin 1998-1999, është drejt fundit. Në përfundim të seancës së djeshme, gjykata u dha kohë të pandehurve dhe avokatëve të tyre për t’u njohur me formulimin e ri të akuzave. Në përfundim të shfaqjes së kundërshtive nga ana e mbrojtësve, nëse do të ketë, procesi do të kalojë në fazën e konkluzioneve përfundimtare të prokurorisë. ar.ba
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al