Pas me tepër se katër vjetësh që nga seanca e parë e procesit, Gjykata për Krimet i dha fund dje shqyr-timit gjyqësor për akuzat e ngritura ndaj të pandehurve si anëtarë të “bandës së Durrësit”. Në seancën e radhës, e cila është lënë për t’u mbajtur më 6 tetor, pesë gjyqtarët e dosjes do të njihen me kërkesat e Prokurorisë në lidhje me fajësinë e me masat e dënimit ndaj të pandehurve. Po dje, gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit të Lulzim Berishës, i akuzuar si “kreu” i “bandës”, për ripyetjen në Gjykatë të tre dëshmitareve, Valbona J., Teuta J. dhe Genta C., të cilat gëzojnë statusin e “dëshmitareve të mbrojtura”. Me anë të një vendimi të ndërmjetëm, gjykata e rrëzoi këtë kërkesë me pretendimit se dëshmia e tyre është provë e marrë në proces. Gjatë gjykimit, administrimi i tri dëshmive të mësipërme ka sjellë jo pak “trazira”. Kjo për shkak se Valbona J., dyshohej nga Prokuroria të jetë përdorur si “karrem” nga “banda” për nxjerrjen në pritë të Marsel Sotirin, kur ai u ekzekutua. Por gjatë dëshmisë në proces, ajo u tërhoq, duke pretenduar se nuk i njihte të pandehurit. Në seancën e djeshme, pa kursyer as vlerësimet negative ndaj organit të akuzës, disa prej mbrojtësve shfaqën kundërshtitë e tyre ndaj ndryshimit të kualifikimit të akuzave për klientët e tyre. Mbrojtësi ligjor i të pandehurit Lulzim Berisha i kërkoi gjykatës dje që provave të fashikullit të gjykimit t’i shtoheshin edhe disa akte të tjera të paraqitura prej tij. Aktet ishin kryesisht fakte, me të cilat avokati pretendonte të provonte pavër-tetësinë e disa momenteve të rrëfyera nga i pandehuri i penduar, Adriatik Coli, gjatë dëshmisë së tij në proces. Ndërsa disa akte të tjera të paraqitura prej tij, do të provonin të kundërtën e pretendimeve të Prokurorisë, se disa prej ngjarjeve për të cilat ata akuzohen janë kryer për hakmarrje. “Vrasjet e shtetasve Dritan Sallaku, tentativa e vrasjes së shtetasit Marsel Sotiri, vrasja e shtetasit Eduart Ongari dhe vrasja e shtetasit Marsel Sotiri janë kryer në kuadër të hakmarrjes e interesave të grupimeve kriminale rivale”, thuhej në vendimin e Prokurorisë për ndryshimin e akuzave. Avokat Dashnor Mullai, mbrojtësi ligjor i të pandehurit Plaurent Dervishaj, u shpreh para gjykatës se ndryshimi i klasifikimit të akuzave nuk ka sjellë lehtësim, por rëndim të pozitave. Mbrojtësi Riza Icka e cilësoi si të gabuar qëndrimin e Prokurorisë me “ndryshim të pjesshëm të akuzës”. “Nuk ekziston ‘ndryshimi i pjesshëm’. Ka vetëm ‘ndryshim të akuzës'”, pohoi avokati.
Gjykimi
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të dosjes penale në ngarkim të anëtarëve të bandës së Durrësit për katër vjet radhazi, Prokuroria ka paraqitur rreth 200 dëshmitarë. Një numër i tillë personash me dijeni për krimet dhe veprat penale ishte planifikuar të paraqitej që në fillim të procesit, ndërkohë që disa dëshmitarë kanë munguar në proces. Mbështetja kryesore për akuzat e Prokurorisë ka qenë i penduari Adriatik Coli, i cili ka qenë anëtar i grupit dhe, siç ka pranuar edhe vetë, ka marrë pjesë në disa prej krimeve, por në vitin 2007 vendosi të bashkëpunojë me Drejtësinë dhe mori statusin e të penduarit.
Armand Bajrami
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al