Banda e re e Lushnjës ekzekutoi në mënyrë identike dy biznesmenët në Athinë, si u vranë Lulzim Qorri dhe Dikens Halili në lokalet e tyre! “Mister” porositësit e krimeve

Sep 30, 2023 | 11:22
SHPËRNDAJE

Vrasjet e kryera nga banda e re e Lushnjës ende nuk kanë shkaqe dhe autor të porositjes së tyre.

laert-haxhiu 1

Ndonëse Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Elbasanit kanë besimin se rrëfimi i grabitësit “killer” me pagesë është i saktë, janë ende shumë pikëpyetje në lidhje me ngjarjet e publikuara nga vetë policia si kronologji krimesh dhe autorësh të këtyre krimeve.

Përpos atyre që janë kryer në vendin tonë, autorësinë e Laert Haxhiut mbajnë edhe dy krime në kryeqendrën e Greqisë ku sërish viktima kanë qenë dy shqiptarë. Ditën e djeshme, ka qenë nëna e vajzës që u konsiderua si e përfshirë në grupin kriminal që ka folur në lidhje me të bijën për njohjen me atë që policia e konsideron një prej “serialkiller”-ave më të mëdhenj të 5 viteve të fundit në vendin tonë.

Ndërkohë që avokati mbrojtës i Laert Haxhiu ka kërkuar që familja e saj të merret në mbrojtje pasi po kërcënohet. Ditën e sotme do të zhvillohet edhe seanca e parë për personat që janë arrestuar në kuadër të këtij hetimi.

VRASJET NË GREQI

Dëshmia e grabitësit të pikës së këmbimit valutor në “Astir”, Artan Tafani, bëri të mundur jo vetëm për zbulimin e 4 vrasjeve të ndodhura në një vit, por edhe atentatet ndaj 2 shqiptarëve në mes të Athinës në Greqi në 2018-n dhe 2021-n. Bëhet fjalë për vrasjen e Lulzim Qorrit dhe Dikens Halilit, krime të pazbardhura nga drejtësia greke.

Arrestimi i Tafanit tashmë duket se ka rihapur këto dosje të cilat janë drejt zbardhjes, me porositës të dyshuar Laert Haxhiun, 32- vjeçarin me skedë të pasur në vrasje, vendosje tritoli dhe grabitjeje. Lulzim Qorri u ekzekutua më 12 dhjetor 2018, pak para orës 23:00 në ambientet e një lokali në kryeqytetin grek, shumë afër sheshit “Omonia”.

Dy persona ndaluan me një motoçikletë përpara kafesë, një vend ku mblidhen shqiptarët, moment kur ishte plot për shkak të një ndeshjeje futbolli që po luhej. Njëri prej tyre zbriti nga motori dhe gjuajti nga një distancë e afërt dhe 3 plumba e kapën 44-vjeçarin në kokë, duke e lënë të vdekur në vend.

Në pak sekonda 2 agresorët ikën pa lënë gjurmë. Qorri, lindur në Grabian të Lushnjës, para se të vritej, ishte hetuar dhe arrestuar në Shqipëri për trafik droge me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, si pjesë e një grupi kriminal. Ndërsa Dikens Halili, 39 vjeç, nga Toçi i Tepelenës, pronar i një lokali në qendër të Athinës, u vra nga një person i maskuar dhe me kapele brenda në biznesin e tij më 3 tetor 2021.

Agresori u afrua dhe qëlloi jashtë kafenesë ku po qëndronte Halili. Ai qëlloi drejt tij 6 herë në kokë dhe bark, duke e lënë të vdekur në vend, teksa zona ishte e tejmbushur me njerëz. Pas krimit, autori u arratis me një automjet me ngjyrë të bardhë, i ndihmuar edhe nga të tjerë. Halili kishte një lokal që frekuentohej nga këngëtarë të njohur shqiptarë. Mbetet i paqartë shkaku pse Laert Haxhiu i donte të vrarë bashkëkombësit e tij, por lidhja e tyre me trafikimin e lëndëve narkotike është pista e parë.

Të gjitha provat që janë mbledhur, bashkëngjitur edhe rrëfimi i Artan Tafanit për këto 2 vrasje, i janë dërguar autoriteteve greke. Shqipëria prej disa muajsh kërkon me ngulm ekstradimin e Haxhiut për ngjarje të tjera të regjistruara që më herët, por shkalla e parë e Gjykatës së Janinës e ka refuzuar dhe procesi vijon në Apelin e kësaj Gjykate!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura