Banorët e Shkodrës: Kulla e Inglizit, 24 vite e bllokuar

Jun 13, 2014 | 12:51
SHPËRNDAJE

Kulla dhe shtëpia e Inglizit para dhe pas shtetëzimit nga komunistët
Për shkodranët, debati për ndërtimet, të vonuara

Drejtori i Monumenteve Bekteshi: Objekti jashtë zonës sime të kontrollit, nuk kam ç’bëj

“Një krim po ndodh në Shkodër. Krim i paralajmëruar, KULLA’ INGLIZIT – Qyteti kësaj here duhet të reagojë”.
Ky ka qenë statusi që, Artan Shkreli, arkitekt e anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit e tij. Nëse këta të fundit do të qëllonin të ishin nga qyteti për të cilin flitet, me siguri do të hapnin sytë. Ç’është ky krim?! Ndërtimi pranë Kullës së Inglizit?! Godina e përfunduar që ka nisur të ndërtohet vite më parë e që për arsye të ardhurash ka ngelur ende pa marrë dorën e fundit?! Jo, qytetarët e Shkodrës, së paku sa pyet ata që kanë punuar aty si shitës ambulantë prej vitesh, nuk çuditen fare me këtë e as e kanë në plan të reagojnë. “Ndërtimi ka kohë, lexova që ishte shkruar diçka për të, po ç’ne që u kujtuan tani?!”, përgjigjet menjëherë i pari që të jepet rasti të pyesësh. Nëse je në qendër të Shkodrës, aty ku si pikë reference mund të merret më mirë Teatri “Migjeni” sesa shatërvani “bashkëkohor”, arrin të shquash fare pak, mes pemëve, majën e torres. Avitesh për të parë më shumë, për të gjetur hyrjen që të çon në zonën përreth, në oborrin e saj. Nuk ka! Nuk ka pasur asnjëherë! Të paktën jo në këto 24 vite. Një bar tipik nga ato që në çdo qytet quhen “Rinia”, i ka zënë pamjen lidhëse me qytetin duke e lënë në xhep. Nga ana tjetër është ndërtimi i ri “zhurmues”, që nuk është fare i ri. Përpara tij, në të njëjtin vend, sipas qytetarëve, ka qenë zjarrfikësja e qytetit. Për Kullën, monument kulture i kategorisë së parë, nuk kishte asnjë shteg. Turistët e huaj, me aparatin drejtuar nga qielli, në këtë rast, nuk kanë asnjë mundësi të përfshijnë edhe veten në kuadratin e fotografisë. Por, kjo gjë u bie në sy vetëm vizitorëve, shkodranët janë mësuar me këtë gjë. Madje, ashtu e harruar siç është, kur pyet banorët larg zonës përreth saj, ngrenë njëherë sytë lart sado që nuk janë në zonë. Lëvizje instiktive kjo që tregon se ajo kullë, është parë gjithnjë së poshtmi. I keqardhur, por pa asnjë mundësi për të ndërhyrë është edhe Besi Bekteshi, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare. Besi tregon menjëherë hartën e cila tregon zonën e tij të mbulimit. Kufiri tregon qartë se Kulla është jashtë zonës së tij. “Nuk e them për të larë duart, por dua të tregoj se unë nuk kam asnjë fuqi për të ndërhyrë. Jam në gjyq me disa objekte që janë brenda territorit tim të kontrollit, por këtu nuk ndërhyj dot”, thotë Bekteshi. Pra, zëri u mbetet vetëm autorëve të legalizimeve nga Bashkia e qytetit. Ndoshta është pikërisht kjo e fundit arsyeja pse u hap një lojë e u fry një histori me të cilën qytetarët jetojnë përditë prej vitesh.

“Enver Hoxha, i mahnitur nga Sahati”

Drejtorit i Drkk Shkodër, Besi Bekteshi
Një ndër monumentet e veçanta, tepër të rëndësishme për nga trashëgimia kulturore në Shqipëri, është dhe “Villa Paget” ose “Sahati Inglizit” sikundër njihet në Shkodër. Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës, Besi Bekteshi, Kulla e Inglizit është i vetmi ndërtim në pjesë të mëdha british, që për fat të keq, jo vetëm u shkatërruan gjatë vitit ’46 (sipas fotografive origjinale), pra u rrënuan “torret” e vetme british si një shato perëndimore në Shqipëri, por u la dhe pas dore sot. Është e vetmja kulturë midis orientit dhe perëndimit british në Shkodër, e ndërtuar në formën e një shatoje nga një njeri që sipas studiuesit Hamdi Bushati është konsideruar lordi Paget, djali i tretë i Alfred Paget, si par dhe lord i Britanisë së Madhe, ose majori Paget. “Me t’u vendosur pushteti popullor, e shtetëzoi atë. Kur e bleu majori Paget shtëpinë e famshme, e cila “rrëmbeu edhe zemrën e Enver Hoxhës më vonë me sahatin e bukur”, ndërtoi dhe shatonë british me torret dhe sahatin e bukur. Ai kishte zgjeruar territorin dhe si oborr apo sipërfaqe që kalonte dhe ish MAPO-n e dikurshme në qendër të Shkodrës. Paget ia ka shitur këtë kryevepër british në vitin 1930 një firme tregtare si “Vllazën – Salih Mehmeti”, thuhet për shifrën 3600 napolona ari”, shton Bekteshi. Pra dy shtëpitë, dhe sipërfaqen si interland të tyre në qendër të Shkodrës, Paget i shiti. Ishin 16 dhoma aristokratike të mëdha, dhe më e madhja ishte ndërtuar me stil oriental, tavane të punuara po kështu që dikur “mahnitnin” të huajt dhe që sot janë, por nuk ekspozohen për këtë qëllim. “Kur deshën të hapnin rrugën e gjerë që sot të çon drejt Teatrit “Migjeni”, torret dhe dyert e “shatos” janë prishur me një gëzim të madh nga komunistët, edhe pse në fakt po prishej e vetmja kulturë british në Shqipëri”, thotë drejtori Bekteshi.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura