Kreu i demokratëve Lulzim Basha ka ironizuar sot deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhënë dje për Baton Haxhiun në “Klan Kosova”, kur tha se nëse Donald Trump zgjidhet president i SHBA-ve, rrezikohen marrëdhënet e Shqipërisë me Amerikën.
Sipas Bashës, tani Rama është në rolin e një lideri botëror dhe po mëson amerikanët se kë të zgjedhin.
STATUSI I PLOTË I BASHËS:
Lideri global ka marrë së fundmi një angazhim mbi të zakonshmen, ka vendosur të mësojë amerikanët si të zgjedhin Presidentin e tyre. Nuk është nga ato pleqërimet me Koçon te lapidari i Vunoit, është një punë që kërkon ta bëjë tani, sa më shpejt. Pasi e ndriti në Shqipëri, duke vendosur krizën dhe varfërinë më të thellë, duke instaluar oligarkinë kriminalo-korruptive, duke konkuruar edhe Trumpin për pasuri personale, pasi shkel çdo ditë ligj dhe kushtetutë, kokoshi ka gati recetën për presidencialet amerikane.
Arroganca dhe deliri si rregull e kanë një kufi, por lideri botëror po tregon se për të, këto çrregullime janë të pamata. Amerikanët shpesh e gjejnë një Borat për të kaluar ca orë në ekrane apo kinema. Kësaj radhe regjisorët s’kanë nevojë të lodhen shumë. Personazhi është vetofruar.