Bashkia e Tiranës siguron mbështetjen e Abu Dhabit për financimin e projektit 50 milionë euro për rehabilitimin e lumit të Tiranës. Kryebashkiaku Basha bëri me dije se pas vizitës së tij në Abu Dhabi dy ditë më parë, ka marrë premtimin për mbështetje maksimale për këtë projekt madhor. “Para dy ditësh, gjatë vizitës sime në Abu Dhabi, mora edhe premtimin për një investim madhor të qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, që është rehabilitimi i lumit”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës. Këto deklarata ai i bëri gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e rrugës “Llazar Shapatini” në kryeqytet. Me një investim prej 52 milionë lekësh, aksi që fillon te shinat e trenit, vazhdon deri te rruga “Rreshit Maloku” dhe shtrihet në një zonë informale në Njësinë Bashkiake Nr. 9, do të ketë infrastrukturë krejtësisht të re. Kryebashkiaku Basha, në këtë inspektim shoqërohej nga deputetja e zonës, Majlinda Bregu, dhe kryetari i Njësisë Bashkiake N. 9, Indrit Fortuzi. Kjo rrugë u shërben rreth 4 mijë banorëve. “Kjo rrugë, me gjatësi 600 metra linearë, e pashtruar dhe e paprekur asnjëherë, do t’i nënshtrohet një ndërtimi të plotë, duke filluar nga kanalizimet e ujërave të zeza, ujërave të shiut, ujësjellësit, ndërtimi i trotuareve, gjelbërim e ndriçim”, tha Basha. Sipas tij, do të merren masa edhe për rehabilitimin e mureve rrethuese të shtëpive, atje ku është e mundur, me modelin e kangjellave dhe atje ku nuk është e mundur, nëpërmjet mureve mbajtëse. “Kjo rrugë u shërben 4000 qytetarëve të Tiranës dhe unë e kam vizituar në muajt e verës, të mbuluar nga pluhuri, dhe sot e vizitoj të mbuluar nga balta. Shenjë e qartë e mungesës totale të vëmendjes për këtë pjesë të qytetit, me përjashtim të disa ‘hijeve’ që vijnë e zhduken natën, por që nuk japin llogari për të kaluarën dhe nuk kanë përse të japin, pasi qytetarët kanë zgjedhur tashmë projektin e së ardhmes”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Projekti i ndërtimit të kësaj rruge, e cila pritet të përfundojë brenda 10 muajsh, parashikon edhe vendosjen e 25 shtyllave të ndriçimit, mbjelljen e 190 pemëve dhe zëvendësimin e mureve rrethuese me kangjella. Kryebashkiaku Basha tha se vendosja e një standardi europian në të gjithë Tiranën është prioriteti i Bashkisë. Basha ka preferuar të mos u përgjigjet akuzave të ardhura nga opozita, të cilat, sipas kreut të Bashkisë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse evidentojnë dështimin e tyre në qeverisjen e Tiranës. “Projekti i së ardhmes është projekti i standardit europian në çdo cep të Tiranës, pa asnjë humbje kohe, me akuza të cilat qytetarët i bëjnë rëndom për atë çka nuk u bë, por as humbje kohe për t’iu përgjigjur atyre që kanë evidentuar dështimin e tyre dhe tani duan të na e paraqesin si model për të ardhmen”, tha Basha.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al