“Regjimi që mbretëron te ne shkel hapur e brutalisht të drejtat e njeriut dhe kujtohet për to vetëm kur akuzohet nga Perëndimi” Në pjesën e tretë dhe të fundit të letrës së tij për Ramiz Alinë, Bashkim Shehu, djali i vogël i ish-kryeministrit komunist, formaton një analizë kritike mbi gjendjen e të drejtave të njeriut, duke denoncuar me forcë praktikat mesjetare në realizimin e tyre. Jo rastësisht, autori i promemories, që e vlerëson këtë si një nga vlerat fondamentale të qytetërimit, ndalet gjatë te liria e shprehjes.
“Njerëzit që drejtojnë shtetin, -shprehet ai, -e kanë akaparuar, e kanë monopolizuar lirinë e fjalës, duke paracaktuar çfarë të kritikohet dhe si të kritikohet, dhe, tek e mbrampja, duke sanksionuar, përkundrejt dënimesh penale të rënda, çfarë pikëpamjesh lejohen të shprehen e çfarë pikëpamjesh janë të ndaluara”.
“Ju pretendoni, -i drejtohet Shehu kreut të regjimit, -se liria e fjalës te ne është realitet prej kohësh, por për çfarë lirie mund të flitet kur shprehja e çdo pikëpamjeje që divergon ndaj pikëpamjes së pushtetit është penalisht e dënueshme me afate burgimi aspak të shkurtra, përpos që në praktikë më së shpeshti një i dënuar i tillë presekutohet për gjithë jetën, madje jo vetëm individualisht, po edhe si familje, deri te fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve”.
Më shumë se preokupacioni për konstatimin e gjendjes së rëndë, djali i kryeministrit argumenton me vizion të kthjellët barrierat që pengojnë në krijimin e mjedisit të përshtatshëm për realizimin e të drejtave të njeriut. Përkundër idesë së Alisë në Plenumin VIII për “qetësinë sociale shembullore” dhe përkujdesjen për ta ruajtur atë, që “Shqipëria mos të rrëshqasë në greminën e krizave dhe kaosit social”, Shehu parashtron qasjen për të shkallmuar më së pari statuskuonë e regjimit, me të cilin nuk mund të pretendohet për të drejta të njeriut, por për dhunë dhe represion.
Pa dyshim që shprehja e lirë e vullnetit politik me mjete individuale, shprehet kundërshtari i Alisë në letër, do të sillte pashmangësisht, ashtu si në vende të tjera, prishjen e stabilitetit politik ekzistues dhe do të cenonte “unitetin e popullit rreth Partisë”, por kjo e keqe për regjimin do të prodhonte një situatë produktive për popullin dhe qytetarët. Se stabiliteti socio-politik aktual, arsyeton Shehu, nuk është në konkordancë me vullnetin e popullit, për rrjedhojë, as me interesin e tij dhe si i tillë është regresiv, antinjerëzor.
Një stabilitet si ky, konkludon ai me guxim, nuk është në interesin e një pushteti që sinqerisht mendon e përpiqet për interesin e popullit, por është në interesin e pushtetit që interesin e popullit e identifikon apriori me vazhdimësinë e vetvetes, për të gëzuar për vete proregativat që rrjedhin nga një gjendje e këtillë. Në pjesën e dytë të letrës që botuam numrin e kaluar, publikuam replikat e Shehut me tezat e fjalimit të Ramiz Alisë në Plenumin VIII të KQ për stabilitetin ekonomik dhe politik përballë zhvillimeve demokratike në vendet e Europës Lindore. Përkundër qasjes së kreut të Partisë për specifikën historike të Shqipërisë “as Lindje as Perëndim”, pa demonstrata e protesta, autori i promemories argumenton natyrën represive dhe karakterin terrorist të regjimit sunduar nga ortodoksia komuniste.
“Nëse në Shqipëri nuk ka protesta masive, shkruan Shehu duke polemizuar me Alinë, nëse nuk ka kurrfarë lëvizjeje disidente, po ka qetësi sociale, ka “unitet të popullit rreth Partisë”, kjo i detyrohet represionit edhe më të skajshëm, se sa në shumë vende ku ka protesta masive, lëvizje disidente, apo edhe përleshje me armë; se s’është e denjë për t’u mburrur me entuziazëm e brohoritje të ekzaltuara, përderisa në Rajhun III kishte më shumë”.
Në shtjellimin e idesë për të formatuar një shoqëri të hapur e liberale, djali i ish-kryeministrit i sugjeron lidershipit komunist për të reformuar sistemin në mënyrë të tillë që t’i krijojë popullit mundësinë për ta shprehur lirisht vullnetin e vet mbi të gjitha çështjet politike e sociale, ndryshe, sipas tij, vendi është i destinuar të përjetojë aparteidin dhe kaosin e tmerrshëm.
PJESA E TRETË E LETRËS
Pra, çfarë e bën të mundshëm që shtetet perëndimore t’i shpallin të Drejtat e Njeriut si një point d’honneur e politikës së tyre dhe t’i akuzojnë regjimet komuniste si dhunues të këtyre të drejatve, ndërsa regjimet komuniste i përmëndin të Drejtat e Njeriut vetëm kur i akuzon Perëndimi, pra, shtërngohen t’i përmendin vetëm pse akuzohen dhe më për mbarë do t’u vinte heshtja?
Me sa duket kjo gjen shpjegimin e vet: a)në faktin se të Drejtat e Njeriut, duke u pranuar përgjithësisht dhe në mënyrë të padiskutueshme, përbëjnë një nga vlerat fondamentale të qytetërimit, përnjësohen pra, në aspektin etik, me të mirën; b)dhe njëkohësisht në faktin tjetër se, megjithëqë regjimet komuniste idealisht nuk e mohojnë këtë vlerë, gjëndja reale e të Drejtave të Njeriut nën këto regjime paraqitet në mënyrë flagrante shumë më e rëndë se sa në Perëndim.
Dihet se egzistojnë sisteme të ndryshem vlerash ngase kriteret e së mirës dhe së keqes ndryshojnë mes tyre, të kushtëzuara më së shpeshti nga motive ulitare. Por nëse thuhet që shtetet e Perëndimit orvaten të imponojnë arbitrarisht kriteret e veta lidhur me të Drejtat e Njeriut, mos ndoshta kësisoj nënkuptohet se nuk është një e Drejtë e Njeriut liria e fjalës dhe e opinionit? A nuk është kjo një e Drejtë e Njeriut jo më pak se sa e Drejta për të gëzuar frytin e punës së vet?
Në princip, kjo s’mund të ketë tjetër kuptim, liria e fjalës dhe e opinionit është një e drejtë që e ka çdo individ, si pjestar i një shoqërie, për të shprehur lirisht dhe haptazi opinionin e vet mbi qeverisjen e punëve të përgjithshme të shoqërisë, që janë, pra dhe të tijat: për të shprehur opinionin e vet individual, të pavarur, jo vetëm kur ky opinion është miratues, por edhe nëse përshkohet nga kritika ndaj personave që qeverisin apo edhe ndaj vet regjimit politik, duke shkuar deri në kërkesa për ndryshime politike radikale.
Pradaj, padyshim që dhunohet një e Drejtë e Njeriut, madje ndër më elementaret, kur një apo disa njerëz që drejtojnë një shtet, e akaparojnë, e monopolizojnë lirinë e fjalës, duke paracaktuar çfarë të kritikohet dhe si të kritikohet, dhe, tek e mbrampja, duke sanksionaur, përkundrejt dënimesh penale të rënda, çfarë pikëpamjesh lejohen të shprehen e çfarë pikëpamjesh janë të ndaluara.
7
Në fjalimin programatik të mbylljes së Plenumit VIII të Komitetit Qëndror, ashtu si dhe herë të tjera më parë nëpër fjalime të autoriteteve nga më kryesorët të PPSH, shfaqet shqetësimi në lidhje me situatën aktuale ndërkomëtare, të karakterizuar nga detanta ndërmjet superfuqive, përkatësisht ndermjet blloqeve të tyre, nga pakësimi i dispozitivit të tyre shkatërrues në kontinentin europian dhe nga shuarje të njëpasnjëshme konfliktesh lokale në rajone të tjera të botës. Por ndryshe nga shumë herë të tjera, ky shqetësim konstant i lidershipit shqiptar nuk shfaqet tani drejtpërdrejt, haptazi, por nëpërmjet mohimit global të një situate të tillë ndërkombëtare.
Nga ana tjetër në këtë fjalim theksohet në mënyrë të veçantë se plotësimet e përmirësimet, që mendohet të bëhen në aktivitetin e drejtimit politik dhe në fusha të ndryshme të jetës sociale të vendit, nuk janë aspak të imponuara nga rrethana të jashtme, por vetëm nga interest e popullit shqiptar. Uroj me gjithë shpirt që këto plotësime e përmirësime të përputhen sa më tepër me interest e popullit, por, që programimi i tyre është, në mos i imponuar, së paku i influencuar nga evenimentet ndërkombëtare të lartpërmqëndura dhe të mohuara globalisht në fjalimin programatik të Plenumit VIII të Komitetit Qëndror të PPSH, si dhe nga një eveniment tjetër gjithëpoaq krucial, siç është përshpejtimi i paparë i proçeseve të liberalizimit në disa vende me regjim komunist, duke përfshirë BRSS (ndonse tek ne është programuar një ecuri krejt tjetër), pra, lidhja objektive ndërmjet kësaj tërësie faktorësh korokomitantë dhe plotësimeve e përmirësimeve që, siç u tha në Plenumin VIII, do të kryhen në vendin tonë, është diçka krejtësisht evidente e që nuk mund të mos vihet re.
Prandaj, nëqoftëse përnjëmend kërkoni t’i bëni hesapet para së gjithash me interest e popullit, pra, rrjedhimisht edhe me vullnetin e popullit, e jo me faktoret e jashtëm, atëherë do të duhej t’i jepnit mundësinë këtij populli për ta shprehur lirisht vullnetin e vet mbi të gjitha çështjet politike e sociale. Pretendohet se një mundësi e tillë tek ne është bërë prej kohësh realitet; mirëpo për çfarë lirie mund të flitet kur shprehja e çdo pikëpamje që divergon ndaj pikëpamjes së pushtetit është penalisht e dënueshme me afate burgimi aspak të shkurtra, përpos që në praktikë më së shpeshti një i dënuar i tillë presekutohet e diskriminohet për gjithë jetën, bile jo vetëm individualisht, po edhe si familje, deri te fëmijët dhe fëmijët e fëmijve?
A nuk është i mjaftueshëm ky mekanizëm dhune me precedente historike të rralla, për ta banalizuar vullnetin politik në një drejtim të caktuar qysh më parë nga lart? Natyrisht, heqja e pengesave që i bien ndesh lirisë së fjalës, dmth shprehjes së lirë të vullnetit politik me mjete individuale, do të mund të sillte për rrjedhojë të pashmangshme, ashtu si në vende të tjera, prishjen e stabilitetit politik ekzistues dhe të qetësisë sociale egzistuese, nëse ky vullnet politik në masë të konsiderueshme nuk do të pajtohej me status quo-në e regjimit. Dhe prishja e stabilitetit sociopolitik patjetër që në vetvete është një fenomen negativ.
Por, duke supozuar që ky stabilitet socipolitik të mos jetë siç u tha, në konkordancë me vullnetin e popullit, pra, gjithsesi as me interesin e popullit (një supozim krejt i lejueshëm, ky, qoftë edhe thjesht për arsye se e kundërta, në kushtet e mohimit të lirisë së fjalës, nuk mund të provohet), atëherë kujt do t’i interesonte që ta ruante? Kujt do t’i duhej ky stabilitet: një pushteti që sinqerisht mendon e përpiqet për interesin e popullit, apo një pushteti që interesin e popullit e indetifikon apriori me vazhdimësinë e vetvehtes, për të gëzuar, ashtu, për vete proregativat që rrjedhin nga një gjëndje e këtillë?
8
Duke lexuar këtë letër të hapur, ju mund të thoni, të respektuar zotërinj, se për një njeri që ndodhet si të thuash, jashtë valles, është diçka e kollajshme ta vendos veten ex cathedra dhe të kritikojë politikën me gjuhën e etikës, se është e lehtë të denoncosh diçka që e mendon si të keqe, ndërsa është mjaft e vështirë ta mendosh në mënyrë konstruktive për një alternativë ndaj të keqes, dhe ca më e vështirë ta aplikosh këtë në praktikë.
Mund të thoni, gjithashtu, se unë, Bashkim Mehmet Shehu nuk kam të drejtë morale për të kritikuar Pushtetin, përderisa nuk kam treguar kurajon tia thoshja në sy tim eti atë çka po ju shkruaj në këtë letër të hapur. Dhe ndoshta do të keni një farë të drejte të mendoni kështu. Mirëpo nuk duhet harruar, nga ana tjetër, se mungesa e kurajos, për të thënë të tilla të vërteta është një sëmundje e përgjithshme e mjedisit në të cilin jam rritur dhe kam jetuar për 26 vjet, dhe në të cilin ju dhe familjet tuaja jetoni. Veç asaj, besoj, që nuk ka dhe aq rëndësi nëse nuk ia kam thënë këto tim eti: edhe nëse kjo përbën diçka të keqe në fund të fundit kjo do të ishte një e keqe që më përket vetëm mua.
Shumë më e rëndësishme është se këto janë të vërteta: çka është patjetër një e keqe, dhe një e keqe e cila na përket të gjithve. Dhe sa për gjetjen e rrugëzgjidhjeve politike konstruktive e konkrete, si dhe për aplikimin e tyre në praktikë, këto nuk më përkasin mua, që jam subjektivisht profan dhe objektivisht i pafuqishëm. Në këtë aspekt unë mund të prononcohem, vetëm në një mënyrë sado kudo të përgjithshme, për lirinë e fjalës dhe të opinionit, jo duke u nisur nga ndonjë konsideratë e caktuar politike apo ideologjike, por duke e konsideruar këtë liri si një nga të Drejtat elementare të Njeriut. Dhe duke e përfunduar këtë letër të hapur, i referohem edhe një herë Plenumit VIII të Komitetit Qëndror të PPSH, pikërisht një thënie që mendoj se ngërthen esencën e politikës së regjimit:
Megjithë reformat që mund të vihen në jetë e ndryshimet evolutive të programuara që mund të kryehen, sistemi ekonomik shtetopronar dhe sitemi politik diktatorial do të ruhen të pandryshueshëm. Dihet se këto dy pika mbahen nga ortodoksia komuniste si alfa dhe omega e socializmit. Dihet gjithashtu, se pa çlirimin ekonomik të njeriut punonjës, që është detyra fondamentale e socializmit, liria e fjalës dhe e opinionit – e arritur, kjo, qysh në shoqërinë borgjeze – mbetet formale apo gjysmake. Por nga ana tjetër, pa lirinë e fjalës dhe të opinionit, heqja e skllavërisë ekonomike private do të thotë skllavëri e gjithanëshme e individit nga shteti.
Bashkim Shehu
Malinat, më 23 tetor 1989